Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Laçit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, bëhet fjalë për E. Suti, i cili dyshohet se është autori i atentatit me armë zjarri ku mbeti i vrarë I. Lika.
Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar dhe viktima jetonin në të njëjtën lagje, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur marrëdhënien mes tyre dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë çuar në krimin e rëndë.
Viktima, I. Lika, ishte me origjinë nga Miloti, por prej vitesh banonte në Laç. Sipas burimeve hetimore, ai njihej me katër mbiemra të ndryshëm, ndërsa e kaluara e tij po verifikohet në detaje nga grupi hetimor.
Dyshimet e para të hetuesve lidhen me aktivitetin dhe qëndrimin e viktimës jashtë vendit. Paralelisht, ekspertët kriminalistikë dhe strukturat hetimore vijojnë punën për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm dhe për të zbardhur motivin e atentatit.
Ndërkohë, kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar vijojnë në disa zona, ndërsa policia nuk përjashton asnjë pistë hetimore deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje.











