DETAJE/ Komandanti i FNSH-së hyri në banesën e autorit, donte t’a kapte në befasi
Komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, Simon Gjeta ishte në ndjekje të autorit të plagosjes së 21-vjeçarit në Oblikë të Shkodrës, Ruzhdi Aishta.
Ky i fundit plagosi fqinjin e ri për një sherr për gardhin e banesës dhe më pas u largua drejt kodrës së fshatit ku edhe u fsheh. Policia arriti që, rreth orës 19:35, ta rrethonte të kërkuarin në banesën e tij, në kodrën e fshatit. Efektivët e FNSH-së i bënë thirrje Aishtës që të dorëzohej, por ky nuk përgjigjej. Në këtë moment, komandanti Simon Gjeta vendosi të hynte në shtëpinë e autorit – banesë njëkatëshe me katër dhoma dhe ta befasonte autorin e plagosjes.
Ky i fundit ishte i armatosur me një kallashnikov dhe hapi zjarr me breshëri ndaj komandantit. Menjëherë ndërhynë efektivët e tjerë, të cilët bënë të mundur tërheqjen e Gjetës drejt radhëve të tyre dhe më pas e dërguan atë në spital. Gjeta fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.