Nipi i Myslym Pezës, komandantit të çetës dhe batalionit të Pezës, Sokol Peza, tregon se korrieri që ishte nisur për të urdhëruar ndalimin e masakrës me ballistët në Lushnjë e vranë njerëzit e Hamit Matjanit. Ai tregon historitë e treguara nga i ati, Skënder Peza, se si Myslym Peza dhe Mehmet Shehu ishin përplasur në një incident në Baldushk pranë Pezës.
Si e njihni ju historinë e vrasjes së korrierit që Myslym Peza i dërgoi Mehmet Shehut për ndalimin e vrasjes së nacionalistëve në Lushnjë?
Unë nuk i kam jetuar ato kohë sepse jam i ri, por rrjedh nga një familje, që për shkak se ka hyrë në luftë që në vitin 1940 me çetën e Pezës, gjyshi im është Myslym Peza dhe babai im Skënder Peza, luftëtar i kësaj çete, kam dëgjuar të përsëritura me mijëra herë këto episode nga Lufta Nacionalçlirimtare. Myslym Peza mbulonte zonën operative të Pezës që shkonte deri në Lushnjë dhe ishte shumë i kujdesshëm në marrëdhëniet me fshatarët, por edhe se nuk ka luftuar kundër ndonjë ballisti, sepse zona jonë nuk ka pasur ballistë.
Ka pasur ndonjë përplasje apo qejfmbetje mes Mehmet Shehut dhe Myslym Pezës?
Kur Brigada e Parë ka ardhur në Pezë, ka ardhur nga Baldushku dhe u vendos në shtëpinë më të madhe të Baldushkut, shtëpia e Balasejve. Gjyshi im, edhe pse e kishte idhull Brigadën e parë, nuk doli ta priste Mehmet Shehun. Por aty pati një incident. Të nesërmen e natës së parë që qëndroi në Baldushk Brigada e Parë, Mehmet Shehu doli për të kontrolluar rojet e sigurisë. Aty takon një Avdi Kasalli, nga Peza, që Bab Myslymi e kishte shefin e rojeve. Mehmeti kërkoi që të largoheshin rojet e Pezës dhe të vendoste rojet e Brigadës së parë.
Avdiu nuk pranoi, duke i thënë se merr urdhër nga Myslym Peza, komandanti i tij. Ka pas një debat dhe në fund Mehmet Shehu i thotë do bësh si them unë, sepse unë të vras. Avdiu i ka thënë: Pse arma ime nuk vret?! Partizanët e Brigadës së Parë e kapin Avdiun dhe Mehmeti urdhëron që të pushkatohet.
I çojnë haber Myslym Pezës që Mehmet Shehu ka thënë se do vrasë Avdi Kasallin. Bab Myslymi i çon fjalë ultimative duke i thënë se nëse e gjen gjë Avdi Kasallin, Mehmet Shehu nuk del gjallë nga Peza. Madje Myslym Peza i ka thënë se nëse ti do të vendosësh rojet e brigadës, dil nga zona ime, nëse nuk ke besim tek unë.
Si ka ardhur lajmi për ballistët e Lushnjës?
Është treguar se në Pezë ka ardhur lajmi se Brigada e Parë ka ndesh në rezistencë nga forcat e Hamit Matjanit në Lushnjë dhe se disa nga ballistët e kapur nga partizanët janë pushkatuar. Anglezët që rrinin në Pezë shkojnë te Bab Myslymi dhe i thonë se beteja ka ndodhur në zonën që drejton ti dhe duhet të ndalohet masakra. Myslym Peza nis korrierin e tij përmes të cilit urdhëronte Mehmet Shehun që të mos vazhdonte masakrën me fshatarët e thjeshtë. Korrieri është vrarë nga njerëzit e Hamit Matjanit, si pjesë e forcave partizane. Më vonë është gjetur dhe letra që ai do t’i çonte Mehmet Shehut nga Myslym Peza.
Si është diskutuar dhe çfarë qëndrimi është mbajt nga Myslym Peza për atë masakër?
Është dënuar, është gjykuar si masakër dhe Myslym Peza shprehte shqetësimin se kjo nuk duhej përsëritur. Duhet të gjykojmë edhe kohën në të cilën zhvilloheshin gjërat. Historianët nuk e thonë sot që ka pasur dy urdhra të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me iniciativë të gjyshit tim, Myslym Peza, që të mos merrnin pjesë në betejat për çlirimin e Tiranës, Brigada 3, 2 dhe 22, që ishin brigada që ishin formuar në Tiranë dhe që e njihnin edhe palën kundërshtare dhe meraku ishte se duke e njohur mirë palën tjetër, mund të kishim edhe këtu ndonjë masakër me ballistët. Sepse nuk kishim të bënim me ndonjë ushtri të organizuar të dalë nga akademitë apo kazermat, por ushtri partizane që nuk i njihte rregullat e ushtrisë sa i takon çështjes së robërve të luftës.
Çfarë flitej në familjen tuaj për këtë masakër, Mehmet Shehu ka qenë në Lushnjë për të mobilizuar dhe rekrutuar nga popullata partizanë, apo ishte përplasje me forcat e Ballit?
Unë di një gjë, e cila në familjen tonë tregohej shpesh. Gjyshi im nuk merrte në çetën e tij njerëz dosido, merri nga ara dhe jepu pushkë në dorë. Ishte një aktivitet që kishte nisur në 1940 dhe gjithmonë ka qenë i kujdesshëm se mos ai që kishte pranuar në çetën e tij mund të punonte për interesat e armikut, mësonte lëvizjet dhe bazat dhe dezertonte në krahun tjetër. Duhet të kthehemi në kontekstin e luftës. Dhe këtu dua t’i jap përgjigje pyetjes suaj, sidomos Brigada e Parë, që ishte formacioni i parë në këto përmasa dhe me njerëzit më të zgjedhur, e cila kishte krijuar një nam shumë të mirë në popull, nuk mund të merrte njerëz nga arat dhe t’i bënte luftëtarë të saj.
Diku nga janari 1944, Irfan Ohri thërret gjyshin tim, Myslym Pezën, dhe i thotë që Lufta Nacionalçlirimtare mori fund. Ne jemi 35 mijë veta, kurse partizanët 5 mijë. Qëllimi i tij ishte që të detyronte Myslym Pezën të tërhiqej nga lufta. Batalioni i Pezës kishte qëndruar kompakt dhe nuk ishte shpërndarë as nga Operacioni gjerman i dimrit, si dhe Brigada e Parë.
Në prani edhe të drejtuesve të tjerë të batalionit, dhe misionarëve anglezë, Myslym Peza i përgjigjet se Lufta Nacionalçlirimtare do fitohet jo se jam unë apo Mehmet Shehu në krye të formacioneve luftarake, por sepse e mbështet i gjithë populli. Sot mund të jemi 4500-5000 luftëtarë, por në pranverë do shikosh sa do të shtohemi.
Sipas Myslym Pezës, në fund të luftës ballistët përfunduan në 4-5 mijë vetë, sepse shumë iu bashkuan formacioneve partizane, ndërsa partizanët ishin mbi 40 mijë. Ekspertë të luftës pranë batalionit të Pezës ishin vetëm anglezët, sepse panë që fronti popullor ishte i organizuar si forca antifashiste./panorama/a.k