Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË ASTRIT HASAN HITAJ, SHOFERI PERSONAL I ISH-KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA
P R O Ç E S – V E R B A L
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 29.5.1983, në Tiranë.
Ne, hetuesit e M.P.B., Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar:
- Emri, emri i babës, mbiemri: Astrit Hasan Hitaj.
- Datëlindja, (dita muaji, viti), 18.11.1948.
- Arsimi: Të lartë.
- Vendbanimi: Lagjja “Punëtori” Gjirokastër
- Detyra: Oficer në Degën e Punëve të Brendshme Gjirokastër.
- Anëtarësia në Parti: Anëtar partie.
- A është i dënuar: I padënuar.
- Numri i letërnjoftimit: Nuk e ka me vete.
- Marrëdhëniet me të pandehurin:……………
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K.P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Astrit Hitaj
Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë: Më 18 shkurt 1979, kam filluar punë në grupin e shoqërimit të armikut Mehmet Shehu, duke qenë shofer i parë.
Gjatë kohës që kam shërbyer në këtë vend pune, unë kam konstatuar veprime të familjes së armikut Mehmet Shehu, që binin në kundërshtim me vijën politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, të kryera si nga Mehmet e Fiqret Shehu, ashtu dhe nga fëmijët e tyre, gjë që nuk ishte aspak e drejtë.
Kam vënë re se armiku Mehmet Shehu, me shumë respekt dhe me shumë miqësi, fliste për Llambi Peçinin, të cilin sa herë që shkonim në Vlorë, do ta takonte patjetër dhe me të rrinin për orë të tëra, duke biseduar.
Ndaj nesh si oficerë të grupit të shoqërimit, si nga ana e Mehmet Shehut, Fiqret Shehut, ashtu dhe fëmijëve të tyre, mbahej një qëndrim mospërfillës, përbuzës, duke u sjellë në mënyrë shumë të keqe dhe duke na trajtuar si hyzmeqarë.
Këto kishin sjellë dhe pakënaqësi tek ne, për trajtimin që na bëhej. Fëmijët e tyre kishin marrë rrugë të keqe, drejt degjenerimit dhe në raste të ndryshme, i kishin marrë nga klubet të dehur në orët e vona të natës, sidomos Bashkimin me Marjetën.
Më kujtohet një rast, kur kam qenë duke u kthyer nga Durrësi dhe në makinë kisha Fiqretin dhe Marjetën. Në këtë kohë për në Tiranë, para nesh po udhëtonte Udhëheqësi i Partisë.
Nga ana e Fiqretes dhe Marjetës, më është thënë që ta parakalonim automjetin e tyre, por unë pasi i kam kundërshtuar në mënyrë të prerë, se një veprim i tillë ishte haptazi i parregullt, ato kanë heshtur……………………………!
Më datën 17 dhjetor 1981, unë kam qenë me shërbim pranë shtëpisë së armikut Mehmet Shehu, shërbim të cilin e kam marrë në orën 19.00. Këtë ditë Mehmet Shehu ka qenë në mbledhjen e Byrosë Politike, i shoqëruar nga Ali Çeno e Llesh Rroku.
Mbasi u kthye nga mbledhja e Byrosë Politike, Mehmet Shehu u fut brenda në shtëpi, ku doli menjëherë nga dera kryesore (andej dhe nga u fut), duke parë pjesën e parë të shtëpisë dhe u fut përsëri brenda në shtëpi. Ka kërkuar që t’i shkonte mjeku Llesh Rroku, i cili i ka shkuar, por unë nuk e di se përse……….!
Kam qëndruar te dhoma e shërbimit të oficerëve, ku ishte me shërbim oficeri Dashamir Rabaj, kurse unë isha me shërbim si shofer. Aty ka ardhur dhe Ali Çeno. Unë nuk i kam ndjekur me vëmendje të gjitha bisedat që janë bërë këtu, por më kujtohet se Ali Çeno ka thënë, që do të shkoj në shtëpi të ha bukë dhe do të kthehem përsëri se këtu do të fle.
Nuk e mbaj mënd mirë orën kur u kthye Ali Çeno, por më duket se më thanë mua, që të vete ta marr me “Gaz”, në shtëpi dhe që duhet të ketë ardhur në dhomën e shërbimit të oficerëve, nga hynim gjithmonë, nga shtëpia e Jonuz Lutos……………….!
Atë natë, veç meje dhe Dashamir Rabajt që ishte caktuar me shërbim, ka fjetur dhe Ali Çeno, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku. Se cilët persona kanë qenë në dhomën e shërbimit të oficerëve, kur Ali Çeno ka thënë se do të shkonte në shtëpi për të ngrënë bukë dhe se do të vinte përsëri, nuk më kujtohet mirë………!
Proces-verbalin mbasi m’u lexua dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos pa vërejtje.
Dëshmitari H e t u e s i t
Astrit Hitaj Sokol Koleka Bashkim Caka