“Rama do ta hajë gjelin në janar”, ky është titulli i të martës në gazetën Rilindja Demokratike për protestën e të hënës të Partisë Demokratike. Një fotografi e të djeshmes për të paralajmëruar të ardhmen. Një lojë gjysëm e varfër fjalësh që nënkupton edhe ardhjen e Vitit të Ri, edhe menunë tradicionale dhe mbi të gjitha, nënkuptim i shprehjes së hershme të kalamajve në lojën e famshme me letra dhe të të rriturve në lojërat e jetës së përditshme: “E hëngri derrin…!” apo “Do ta hajë derrin…!”
“A jemi gati t’i bëhemi barrikadë e pakapërcyeshme korrupsionit në zyrat e Kryeministrit e ministrave…”? Kjo ishte pyetja retorike e Lulzim Bashës në protestën e tkurrur të së hënës, i cili rreshtin e tyre e vazhdonte sërish me pyetje retorike: “…a jemi gati ta kthejmë në një ferr të vërtetë çdo minutë, çdo orë e çdo ditë të çdo të korruptuari…?”
Mbas tre protestash dhjetori që erdhën duke u shuar si frymë, si formë dhe si përmbajtje, mbasi dështuan të imponohen me shifra gjigante protestuesish siç u premtua dhe protestë të pandërprerë siç u paralajmërua, ngjan se përfundimisht demokratët kanë vendosur të zgjedhin mënyrë tjetër për të detyruar qeverisjen të bëjë lëshime dhe tërheqje. Një mënyrë që ka nevojë për më pak njerëz në rrugë, por më të vendosur, më aktivë se vëzhguesit e thjeshtë, më të ashpër dhe më arrogantë. PD ka zgjedhur përfundimisht që “të rinjtë” e saj të zemëruar dhe të paduruar të marrin në dorë fatet “revolucionare” të partisë për hir të të pjekurve të partisë. Skenari është gati dhe pritet vetëm vënia në skenën e rrugës të kësaj historie të së nesërmes. Grupe të rinjsh të forumit rinor të PD-së, të armatosur me vezë të prodhuara nga pularia ish-socialiste e Gon Dukës dhe të veshur me vendosmëri dhe vullnet të fortë nga “gjelat” luftarakë në PD, do të krijojnë gardhe njerëzore në të njëjtën kohë përpara disa zyrave të rëndësishme të shtetit shqiptar. Në fillim tek disa nga ministrat socialistë, ata që janë më të përmendurit e më të sulmuarit nga PD-ja. Do të tentojnë ta bëjnë tek Saimir Tahiri, Lindita Nikolla, Ilir Beqja apo Arben Ahmetaj e të tjerë. Do të tentojnë ta bëjnë dhe në disa institucione të rëndësishme financiare, duke nisur me drejtorinë e tatimeve tek Brisida Shehaj e gjetkë.
“Nëse nuk i lëmë të hyjnë brenda, na kushtojnë më pak”, do të jetë slogani i protestës që tashmë është i zgjedhur.
Spektakli duket se është i garantuar. Në ekran një protestë e tillë fiton dinamikë. Afron kuriozitetin e herës së parë. Riidentifikon emra konkretë si fajtorë qoftë për shirat e janarit, qoftë për dramat personale, qoftë për premtimet e pambajtura të qershorit të dy vjetëve më parë. Më pas, me kismet dhe me të parë e me të bërë, nëse do të shkojë mbarë ky plan, do të thirret një protestë masive për të penguar edhe hyrjen e kryeministrit në zyrë. Domosdo në ditët që Rama do të ndodhet në Tiranë. Në epilog të tyre, vezët dhe bojërat do të bëjnë pjesën e formës dhe të thelbit të protestës.
Rebusi se çfarë do të ndodhë në janar është duke u zgjidhur pak nga pak. Sinjale në media, provë pulsi me të djathtë të paduruar për t’u rikthyer në pushtet dhe të majtë të pakënaqur nga pushteti kanë dëshmuar këto ditë se zgjedhja e madhe, sipas këtij skenari, tashmë është bërë përfundimisht. Në PD, për një mijë e një arsye, ka fituar padurimi dhe kanë dalë në plan të parë radikalët. Tipologjia e tyre është e thjeshtë për t’u vënë re. Janë ata të cilët si rregull e parim duan t’i ngjajnë Berishës si të vetmin model që njohin, të vetmin model që i ngop dhe të vetmin model që në fakt i ka mbajtur të bashkuar, i ka sjellë në pushtet dhe i ka përzënë nga pushteti. Janë gjithashtu prurjet e reja të Bashës, që kanë një farë pushteti në parti, por nuk kanë qenë as pjesë e pushtetit të djeshëm dhe as pjesë e parlamentit të sotëm. Janë edhe ata që koha normale dhe opozita normale nuk ju japin asnjë mundësi për të bërë gjë, sepse nuk dinë të bëjnë asgjë përveçse të bërtasin. Arroganca dhe toni i lartë, shtryja, përqeshja e kundërshtarit, taktika “ec dil jashtë e ta tregoj unë tek e tek”, vazhdojnë të jenë ende mjete, motive dhe motivin politik në Shqipëri e budallenjve me mandat. “Pjesë” e kësaj vendimmarrjeje janë dhe aventurierët që shkojnë aty ku ka rrëmujë për “të bërë ndonjë plaçkë” dhe për t’i rënë në sy Doktorit.
Dhe natyrisht, përpara të gjithëve është edhe vetë Basha. Kryetari i ri i PD-së ngjan se është i detyruar më shumë se të krijojë këtë rrjedhë të re opozitare, ta lerë në këtë moment veten që ta marrë rrjedha. Sepse jo ai, Basha, por dikush tjetër në vendin e tij, do t’i ngjante një gruaje të turpshme që edhe pse e refuzon me fjalë, herë – herë ja ka pak qejfi “një çikë seks me dhunë”.
Domethënë me dhunë të moderuar.
Domethënë me nja tre-katër gurë të hedhur, ma ca xhama të thyer, me disa bikerina vezësh të shijshme nga të Gon Dukës, pak zjarr për të djegur letra me ngjyra dhe mbi të gjitha, gardhe njerëzore për të mos lejuar hyrjen në zyrë të disa ministrave, drejtorëve dhe me shpresë, edhe të vetë Edi Ramës. Për t’i thënë atij më pas se pushteti është një lojë shumë e komplikuar për ta vizatuar me lapsa me ngjyra dhe se pavarësisht votave që e sollën dhe e mbajnë në pushtet, forumi rinor i PD-së i gatoi dhe e bëri të hajë derrin në janarin e pritshmërisë së madhe demokratikase.
P.S.: “…lexoje bunkerin dhe hap rrugën sa e ke këtë mundësi”, tha Paloka në mitingun e të hënës.
P.P.S: “Rama ka afat vetëm 24 orë të ikë nga Tirana. Më pas populli merr fatet e tij në dorë”, tha Albana Vokshi, një ditë përpara protestës së të enjtes së javës së shkuar. Në dhjetor nuk ndodhi gjë, pritet janari për të parë Bashën si tribunin e ri demokrat të modelit të vjetër demokrat.