Një histori e pazakontë dashurie ka dalë në dritë nga shqiptarja Tiana Krasniqi, e cila ka rrëfyer për emisionin “Në Kohë Reale” se si u dashurua dhe u martua me James Broadnax, një të dënuar me vdekje në Teksas, i cili u ekzekutua pak pasi u martua me Tianën.
Tiana rrëfen se historia e tyre filloi në vitin 2024, kur ajo po përgatitej për provimin e fundit të masterit në drejtat e njeriut.
Për temën e diplomës së saj, ajo zgjodhi të shkruante mbi sistemin e dënimit me vdekje në Teksas. Për të mbledhur informacion, ajo filloi një korrespondencë me email me James Broadnax, i cili ndodhej në radhën e të dënuarve me vdekje.
“Fillimisht ishte komunikim profesional. Pastaj kaloi në telefonata të përditshme. Pas tre muajsh kuptuam se midis nesh kishte diçka më shumë se thjesht një temë diplome”, tha Tiana.
Ajo u tërhoq veçanërisht nga interesimi i sinqertë i Brodnx-it për jetën e saj, për kulturën shqiptare, shkollimin dhe respektin e vazhdueshëm që ai tregonte ndaj saj.
Pas dy vjet e gjashtë muaj komunikim intensiv, takimi i parë fizik e konfirmoi lidhjen e tyre.
Pavarësisht situatës së vështirë, ata vendosën të martohen. Ceremonia u zhvillua brenda burgut, përmes xhamit.
“Ora 5:30 e kishim terminin e martesës. Ishte e gëzueshme, por edhe pak e mërzitshme sepse e dinim që ai kishte një datë për ekzekutim. Ishte e gëzueshme që më në fund u martuam, sepse kishim një procedurë shumë të gjatë, gati një vit. Ishte një ditë shumë e bukur. Kemi qarë të dy. Ka qenë gëzim, por edhe trishtim sepse e dinim çfarë na priste dhe kishim ende luftën ligjore përpara”, shprehet Tiana.
Pas një beteje ligjore të gjatë, James Broadnax u ekzekutua. Tiana ishte e pranishme gjatë orëve të fundit. Ajo përshkroi momentet e fundit si jashtëzakonisht të rënda: “Ai qante dhe thoshte se nuk ishte gati të vdiste, se nuk e kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar. Më tha: ‘Mos u dorëzo. Tregoni botës që unë jam i pafajshëm’”.
Sipas rrëfimit të saj, James Broadnax insistonte se ishte i pafajshëm dhe kishte marrë fajin mbi vete për të mbrojtur djalin e tezës së tij, i cili – sipas tij – kishte lënë gjurmë ADN-je në vendin e krimit.
Tiana thekson se ADN-ja e James Broadnax-it nuk u gjet as në armë, as në trupat e viktimave të grabitjes së vitit 2008.
“Unë kurrë nuk do të dorëzohem. Do t’i tregoj botës që ai ishte i pafajshëm”, deklaroi Tiana në fund të intervistës, duke shtuar se historia e tyre ka sjellë paragjykime të forta nga shoqëria dhe madje nga familja e saj, me të cilën nuk ka kontakt prej më shumë se 15 vitesh”, tha ajo.
Intervista e plotë:
Si je njohur ti me bashkëshortin tënd të ndjerë James Brodnx?
Unë në 2024 e kam kryer shkollën e juridikut dhe ja fillova masterin për drejtat e njeriut. Kur erdhi koha për të shkruar provimin e fundit të vitit, unë e zgjodha të shkruaj për dënimin me vdekje në Teksas. Për ta bërë provimin më interesant, desha të shkruaj diçka që lidhet drejtpërdrejt me Teksasin dhe dënimin me vdekje. Kështu, e fillova komunikimin me Jamesin fillimisht me email, sepse atje në Teksas kanë mundësinë të shkruash email-e. Pastaj vazhduam me telefonata pothuajse çdo ditë.
Sa kohë ka zgjatur komunikimi juaj deri në momentin që ti e ke kuptuar që ky nuk ishte thjesht një komunikim për diplomën tënde, por kishte kaluar në një fazë tjetër, romantike? Kishte diçka mes jush?
Pas tre muajsh filluam të kuptojmë që ka diçka më shumë sesa thjesht për provimin e diplomës. Filloi të bëhej më vështirë të mos i pranonim ndjenjat që kishim për njëri-tjetrin.
Po cila ka qenë ajo gjë që të ka tërhequr ty më shumë?
Interesimi i tij për jetën time, për shkollën, për kulturën shqiptare, për shumë gjëra. Kisha mundësinë të flisja me të lirshëm. Kurrë pa asnjë gjykim, kurrë pa mosrespekt. Kishte gjithmonë respekt për mua, gjithmonë buzëqeshje. E kalonim shumë mirë gjithë kohën.
E mban mend se si ta ka shprehur në fillim James dashurinë? Hera e parë që të ka thënë “të dua” ose të ka treguar për ndjenjat e tij?
Po, ai i pari e ka shprehur ndjenjat ndaj meje. Një ditë më ka shkruar që ndjenjat e tij janë më shumë se shoqërore dhe që është dashuruar me mua. Thjesht kështu.
A kishe ndoshta ndonjë stepje ose paragjykim kur ke nisur për herë të parë komunikimin me James?
E dija situatën për çfarë ishte aty. Por e dija edhe që kjo situatë nuk është aq e thjeshtë saç e paraqesin mediat në televizor apo në internet.
Cili ka qenë momenti që ti u zhvendose në SHBA dhe ke patur takimin e parë me të?
Pas dy vjet e gjashtë muaj komunikim, unë shkova atje dhe qëndrova tre muaj. Prej atij takimi e kuptuam që kjo lidhje është shumë më e vërtetë se sa telefonatat apo mesazhet. Takimi nuk ishte i lehtë, kishte shumë emocione. Nuk ishte vetëm i gëzueshëm, por edhe pak i rëndë.
Ti e dije që ishe e dashuruar me një person që ishte i dënuar me vdekje. E ke menduar ndonjëherë se si do t’ia dilje kësaj marrëdhënieje?
Ne e kemi biseduar shumë se çfarë mund të ndodhë dhe çfarë s’mund të ndodhë. Aty ishte lufta ligjore e madhe dhe e kemi ditur prej fillimit që ka shanse që ai të mos jetojë, sepse dënimi me vdekje vazhdonte.
Ti dhe James keni kryer një ceremoni martesore në burg. Jeni martuar të dy përmes xhamit, në institucionin ku ai vuante dënimin. Si e kujton martesën tënde?
Ora 5:30 e kishim terminin e martesës. Ishte e gëzueshme, por edhe pak e mërzitshme sepse e dinim që ai kishte një datë për ekzekutim. Ishte e gëzueshme që më në fund u martuam, sepse kishim një procedurë shumë të gjatë, gati një vit. Ishte një ditë shumë e bukur. Kemi qarë të dy. Ka qenë gëzim, por edhe trishtim sepse e dinim çfarë na priste dhe kishim ende luftën ligjore përpara.
Cilat kanë qenë fjalët që keni shkëmbyer së bashku?
Kanë qenë më shumë fjalë se jemi të fortë, jemi duke luftuar së bashku si bashkëshortë. Ai kishte besimin se do t’ia dilte, se do ta kalonte dënimin me vdekje.
Në momentin kur gjykata vendosi të ekzekutojë vendimin e dënimit me vdekje për bashkëshortin tënd, keni qenë e pranishme?
Po, isha aty.
Si ka qenë ajo ditë, procedura, takimi i fundit me James, përshëndetja e fundit me të?
Nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 12:00 ishim bashkë. Kemi pasur bisedat e fundit. Ai qante shumë, unë qaja shumë. Ai nuk e pranonte që duhej t’i ndalin jetën. “Nuk jam gati për të vdekur. Nuk e kam bërë këtë krim”, thoshte vazhdimisht. Ishte shumë vështirë të shihje një burrë 37-vjeçar të qajë dhe të thotë se ka frikë. Pastaj nga ora 14:00 deri në 17:00 prisnim ndonjë lajm për ndalimin e ekzekutimit. Në orën 16:00 më thanë që nuk do ta ndalin. Në orën 17:30 hyra në dhomën ku e pashë të shtrirë në shtratin e ekzekutimit, i lidhur me rripa. Ishte momenti më i trishtuar i jetës sime. Qamë të dy, folëm deri në frymën e fundit. Ai u kërkoi falje familjes së viktimave, por përsëri tha që ai nuk e ka bërë atë krim.
Ti dhe James jeni takuar fizikisht për herë të parë në momentin kur ai ishte pa jetë. Si e kujton atë moment?
Hera e parë kur e prekën pas vdekjes… nuk është e lehtë. Ishte hera e parë dhe e fundit që prek një trup pa jetë. Nuk kam fjalë për ta përshkruar. Është e rëndë. Sidomos kur e di që ai person të ka dashur dhe respektuar më shumë se kushdo tjetër në botë.
A arritën familjarët e personave që ndërruan jetë në grabitjen e 2008-ës ta falnin James-in kur ai u kërkoi falje në momentet e tij të fundit?
Jo, ata nuk folën fare. Vetëm Jamesi u foli atyre. Unë isha aty derisa helmi i hyri në trup. Ai bërtiti nga dhimbja, doli nga vetëdija dhe pas 20 minutash vdiq. Unë u detyrova ta shoh aty 20 minuta duke ia ndalur frymën.
Cilat kanë qenë fjalët e fundit të tua dhe të Jamesit?
Ai më tha: “Mos u dorëzo. Mos u dorëzo. Të dua shumë. Mos u dorëzo. Kallëzoji krejt botës që unë nuk e kam bërë këtë krim.” Deri sot, edhe pas tre javësh, nuk e kam lehtë fare.
A ua ka treguar James-i versionin e tij për të gjithë ngjarjen?
Sa kemi mundur të flasim, ai gjithmonë ka thënë që nuk e ka bërë atë krim. Lexoje transkriptin dhe do ta shohësh. ADN-ja e tij nuk ishte as në armë, as në trupat e viktimave. Ishte ADN-ja e djalit të tezës së tij, i cili ishte bashkëpunëtor.
Sipas tij, kush e ka kryer krimin?
Aty ka qenë James-i dhe djali i tezës. ADN-ja në armë dhe në trupat e viktimave ka qenë e djalit të tezes. Jamesi e mori dënimin sepse mori fajin mbi vete për ta mbrojtur djalin e tezës nga dënimi me vdekje. Ai vetë nuk kishte asnjë problem kriminal më parë.
Tiana, ti njeh një person që me ty është treguar shumë inteligjent, shumë i dashur, shumë i afërt, ndërsa gjykata e Teksasit ka dalë në përfundimin se ai është vrasës i dy personave. A sheh një kontrast ndërmjet këtyre dy personazheve?
Ky është pikërisht problemi. Kur ke evidencën që ai nuk e ka bërë krimin, por ata e injorojnë dhe nuk duan ta besojnë ADN-në dhe dëshminë e djalit të tezës që pranoi fajin.
Djali i tezës së James-it e ka pranuar fajin para se të jepej vendimi apo pas ekzekutimit të Jamesit?
Para ekzekutimit. Më 11 mars ai bëri një video dhe nënshkroi që ai e ka bërë krimin. Tha që Jamesi mori fajin për ta mbrojtur atë.
Nëse James do të të dëgjonte sot në këtë intervistë, a ke diçka që do t’i thuash?
Unë kurrë nuk kam me u dorëzu. Kam me kallëzu krejt botës që ai ishte i pafajshëm.
E momenti kur ti ke treguar familjes për marrëdhënien që kishe me James-in, si kanë reaguar ata?
Nuk e kanë pritur mirë. Unë nuk kam pasur kontakt me familjen time që prej më shumë se 15 vitesh.
A je ndjerë ti, Tiana, e paragjykuar si një grua e dashuruar me një të dënuar me vdekje?
Po, jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga familja – nga kushdo që e ka dëgjuar historinë tonë. Nuk i fajësoj njerëzit, sepse nuk është diçka e lehtë. Paragjykimet vijnë nga të gjitha anët.










