Deputeti i Partisë Socialiste, Ermal Pacaj, është shprehur se në Partinë Socialiste nuk ka krizë dhe përçarje. Komentet Pacaj i bëri në emisionin ‘Studio Live’, ku tha se diskutimi publik mbi një përplasje të mundshme mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama erdhi pasi në mbledhjen e Grupit të PS, deputetja socialiste u ul në rreshtat e fundit. “Ne jemi një forcë politike që thuajse një vit para zgjedhjeve lokale, administrojmë 53 nga 61 bashkitë në vendin tonë. Ne i kemi fituar këto bashki në sajë të punës dhe besimit. Asgjë nuk ka ardhur rastësisht. Krizë në PS nuk ka. Në mbledhjen e Grupit të PS nuk ka pasur përplasje apo debate të forta. Një debat i tillë që do të çonte në përjashtimin e disa personave nga PS nuk ekziston.
Një ndër arsyet, një nga argumentet ishte fakti i pozicionimit të koleges në fund të rreshave. Po të shohësh, dy karrige më andej jam unë. Kur shkova, shkova fiks në orën 11:00 në mbledhje dhe u ula në fund. Ne deputetët nuk e kemi me protokoll se ku duhet të ulemi. Dhe normalisht kur merren të tilla indicie dhe të tilla skenarë që bëhen lajm, hajde i diskutojmë. Por nuk ka substancë dhe nuk ka gjë për të diskutuar në këtë rast”, tha mes të tjerash Pacaj.
Ndërkohë më tej Pacaj foli edhe për ambicien e shprehur nga deputeti Socialist Erion Braçe për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës nën siglën e PS.
Pacaj tha se është totalisht legjitime që një deputet i PS që ka 30 vite në politikë të shprehë një ambicie të tillë. Sipas Pacaj, në fund janë forumet e partisë ato që do të marrin një vendim për këtë çështje.
“Një ambicie si ajo e Braçes, që ka 30 vite në politikë, nuk mendoj se duhet bërë lajm. Ajo që mund të ketë bërë Braçe është një ambicie e tij totalisht legjitime. Në fund fare janë forumet e partisë ato që do vendosin”, tha mes të tjerash Pacaj.











