Deputeti i PS, Adnor Shameti, i ftuar në një studio televizive foli për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me veprimtarinë e Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Shameti deklaron se “mazhoranca do ta çojë deri në fund procedurën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Presim raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias që të na vijë zyrtarisht. Do ta administrojmë në Komisionin Hetimor për hetimin e veprimtarive të presidentit gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit dhe do të vazhdojmë me hapat e tjerë deri në përfundimin dhe nxjerrjen e raportit përfundimtar për tia dërguar më pas seancës plenare të Kuvendit”.
“Raporti i sotëm është për t’u përshëndetur. Thelbi i opinionit është se Meta i ka tejkaluar kompetencat, që në vetvete është shkelje e Kushtetutës. Raporti është një material shumë i gjerë dhe i kompletuar që nuk mund të përmblidhet në dy fjali. Në këtë opinion del qartë se Meta vendosi anulimin e zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën”, tha ai.
I pyetur edhe rreth shtyrjes së veprimtarisë së komisionit hetimor lidhur me këtë çështje, Shameti tha se “afati mund të shtyhej dhe me një muaj por mund të kishte edhe shtyrje të seancës plenare në Komisionin e Venecias”.
Sa i përket veprimtarisë së parlamentit dhe të komisionit hetimor, Shamti thotë se “veprimtaria e tyre është e natyrës ligjore dhe politike dhe i takon Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse shkeljet e Metës janë të natyrës së rëndë apo jo”.
“Unë jam optimist që do të procedojmë brenda afatit që komisioni hetimor ka dhe me gjithë seriozitetin e treguar do vazdhojmë në këtë linjë për të përmbyllur me sukses gjithë këtë proces. Komisioni i Venecias thotë në mënyrë të qartë që i takon Kuvendit dhe më pas Gjykatës Kushtetuese të çmojë që nëse këto shkelje gjatë veprimtarisë së tij, janë të një natyre të rëndë apo jo që të çojnë në shkarkimin e tij. Ne po veprojmë në përputhje të plotë me atë që Kushtetuta dhe Komisioni i Venecias parashikon”, – përfundoi deputeti Shameti.
/a.r