Ndërkaq pas takimit Rama Meta deputetë të Partisë Socialiste kanë mbështetur qëndrimet e kryetarit të tyre. Të pyetur nëse duhet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, ata thanë dje se përgjigjen për këtë pyetje e ka ezauruar vetë kryeministri, Edi Rama.
Në një prononcim për median, ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, interesit të gazetarëve nëse e mbështese apo jo idenë e rifreskimit të kabinetit ekzekutiv u përgjigj se “unë dhe askush përveç kryeministrit nuk mund të ketë gjykim për këtë pikë për sa kohë e ka ai këtë të drejtë”.
Ndërkohë mjaft kategorik kundër ndryshimeve në qeveri u shpreh deputeti socialist, Bashkim Fino. “Absolutisht nuk jam dakord për ndryshime në qeveri. Qeveria
po punon jashtëzakonisht në funksion të përmbushjes së programit të vet dhe të reformave që i ka nisur dhe po vazhdon t’i bëjë në mënyrë të suksesshme sipas BW.
Për mua kjo qeveri duhet të vazhdojë me legjitimitet punën e saj. Unë kur them nuk duhet të ketë ndryshime në qeveri nuk e ndaj LSInë dhe PSnë. Për mua të gjithë ministrat e kabinetit Rama, qofshin ministra të PSsë, qofshin ministra të LSIsë, punojnë jashtëzakonisht shumë mirë dhe unë personalisht jam shumë i kënaqur”, – tha Fino.
Ndërsa kolegu i tij i PSsë, Ulsi Manja, pyetjes nëse ekzekutivi ka apo jo nevojë për impulse të reja siç kërkon LSIja, tha se “e keni marrë përgjigjen para dytri ditësh nga kryeministri i vendit.
Kryeministri ka tagrin dhe përgjegjësinë për ndryshime në qeveri”. Ndërkaq deputetë të LSIsë më herët e kanë mbështetur publikisht qëndrimin e Ilir Metës sipas të cilit nëse dikush mendon se qeveria nuk ka nevojë për impulse të reja atëhere ky mendim është shqetësues.