Opozita e re me 20 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë ka hedhur hapin e parë për formalizimin e grupeve parlamentare, ndërsa kanë nisur të përfliten edhe krerët që do të drejtojnë grupet. Deputetët e PD-së dhe LSI-së në Kuvend, në një mbledhje mes tyre këtë të enjte në parlament, kanë rënë dakord që t’i drejtohen me shkresë zyrtare Kuvendit për formalizimin e grupeve, javën e ardhshme. Nga Partia Demokratike, Rudina Hajdari, deputetja që nuk hoqi dorë nga mandati, është diskutuar si emri më i mundshëm për kryesinë e grupit parlamentar.
Nga LSI-ja, Lefter Koka, deputet që gjithashtu doli kundër veprimit të LSI-së për djegie në bllok të mandateve, ka kërkuar që në krye të grupit parlamentar të ri të LSI-së të vihet një grua. Enver Roshi, kandidat nga listat e LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, që pranoi mandatin, ka propozuar emrin e Ediola Brahas për drejtimin e grupit.
Vendimi përfundimtar pritet të merret javën e ardhshme mbi emrat që do të jenë drejtuesit e rinj të grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së. Me opozitën e vjetër që doli jashtë Parlamentit dhe tashmë ka nisur një valë protestash kundër qeverisë, grupi i PD-së drejtohej nga Edmond Spaho, ndërsa LSI-ja nga Petrit Vasili. Nga deputetët që dolën kundër vendimit për djegie mandati, është edhe Mylsim Murrizi i PD-së. Opozita e re në Kuvend ka 20 deputetë, ndërsa në total numri i deputetëve është 99, 79 prej të cilëve janë të mazhorancës.
g.kosovari