Ngjarja e rëndë dhe e paprecedentë që ndodhi “Ditën e Verës” në Shalës të Cërrikut, ku një burrë u masakrua në shtëpinë e tij nga baxhanaku i të birit dhe babai i këtij të fundit, përveç aktit të rëndë, u spostua në gjykatën e Elbasanit. Në ballafaqimin mes dy personave babë e bir, të vënë nën akuzën e grabitjes me pasojë vdekjen e mikut të familjes, dy protagonistët kanë hedhur akuza të rënda kundër njëri-tjetrit. Ndërsa i ati pretendoi të ruante nderin dhe egon e vet dhe të familjes, duke i thënë gjykatës se ai s`mund të ishte i pabesë të vriste mikun e shtëpisë dhe se këtë, nëse e kishte bërë djali i tij, duhej të vrisnin, djali ka mbajtur thuajse të njëjtin qëndrim mohues për veten, por jo për të atin:
“Kur shkova unë në shtëpinë e tij, Bajramin e gjeta të pajetë”! Prokuroria ka dokumentuar një pjesë të mirë të aktit makabër, ndërsa ka sjellë para gjykatës edhe ekspertimin e kufomës, duke i bërë me dije gjykatës se burri ishte masakruar pas koke me mjete të forta. Naim Çekrezi, 56-vjeç, ka mohuar në mënyrë kategorike të jetë ai autori i këtij akti të turpshëm, duke i kërkuar gjykatës të lihej i lirë, pasi ishte turpëruar gjithë familje e tij, ndërsa i biri, në dëshminë e tij, ka pranuar në prokurori: “Po, e mora unë në telefon Bajramin se ma kërkoi babi. Ai donte të shkonte të sqarohej me të pasi ai kishte folur ca fjalë për nënën”.
Edhe prokuroria, në materialin e saj, pranon se thirrja është gjetur në telefonin e Bajramit, edhe pse aparati celular është gjetur në sobën e druve krejtësisht i djegur. Po ashtu prokuroria, ka fiksuar faktin se zarfin me para që është gjendur te “Kodra e Patateve”, futur nën tokë te pema e ullirit e ka marrë Ilir Çekrezi, 26-vjeçari që tashmë mban edhe peshën më të madhe në këtë ngjarje, ndërsa prokuroria, nuk bën me dije asnjë lloj elementi që implikon Naim Çekrezin në këtë krim, përveç faktit se ai ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka pirë raki me viktimën para se ai të vritej. “Shekulli” sjell fakte tronditëse të akuzave të rënda dhe të ndërsjella mes babait e djalit në gjykatë, në fazën e parë hetimore. Ja çfarë gjeti policia dhe prokuroria teksa po kryente kontrollin e banesës në shtëpinë e viktimës, i cili kishte grumbulluar një shumë të hollash dhe ishte munduar t`i fshihte dhe t`i ruante për të birin e vetëm të tij, që kur të kthehet nga Greqia, që të ndërtonte shtëpinë e re.
Seanca
“Jeta ime mori fund”. Kaq ka deklaruar para trupit gjykues i akuzuari kryesor për vrasjen Ilir Çekrezi. Ndërkohë ka ndërhyrë avokati Bajram Stafa, i cili i tha gjykatës se klienti i tij ndodhet në situatë të paqartë dhe nuk është në gjendje të japë shpjegime. Mirëpo Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë së arrestit me burg për Ilir Çekrezin, 26 vjeç, dhe babanë e tij, Naim Çekrezi, 56 vjeç, me banim në lagjen nr 3, fermë Cërrik. I pari ka mbërritur në gjykatë Ilir Çekrezi, i cili ka deklaruar në një moment se: “jeta ime mori fund” ndërkohë që është njohur me akuzën e ngritur nga prokurori i çështjes Neritan Hoxha.
Sipas prokurorit Hoxha, nisur nga provat e grumbulluara në vendngjarje, dëshmitë dhe deklarimet e dhëna, ekzistojnë prova se shtetasi Ilir Çekrezi është autor i dyshuar i vrasjes së shtetasit Bajram Shinkolla. Sipas prokurorit, ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me pasojë vdekjen. Gjykatësja Idush Maliqi ka pyetur të akuzuarin nëse ai kishte diçka për të thënë. Por ai nuk është përgjigjur. Në vend të tij ka ndërhyrë avokati mbrojtës, i cili është shprehur se klienti nuk është në gjendje të japë shpjegime. Më pas, gjyqtarja Idush Maliqi e ka cilësuar si të drejtë kërkesën e prokurorit dhe ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për të riun, që është edhe baxhanak me djalin e viktimës.
I ati në gjykatë
Pas tij ka mbërritur në gjykatë i ati, Naim Çekrezi. Ai është njohur me akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim” nga prokurori dhe është pyetur nga gjyqtarja nëse ka diçka për të thënë dhe nëse u përmbahet deklarimeve në polici. 56-vjeçari i është drejtuar gjykatëses se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen: “Mund ta ketë vrarë djali. Nuk jam i pafytyrë të bëj gjëra të tilla”. Naim Çekrezi ka shpjeguar se është njoftuar pasdite për vdekjen e mikut dhe se ka shkuar atje bashkë me bashkëshorten e tij ku ka qëndruar deri në orën 23.00.
Ditën tjetër ka marrë pjesë në varrim, ndërsa, teksa ka shpjeguar itinerarin e asaj dite, ai sërish ka tentuar të përdor fjalor prekës për gjykatën: “Sot, ky është turpi më i madh për mua. Djali të gjejë dhe të tregojë se si është e vërteta. Ai është i vdekur; vareni nëse e ka bërë. Më ka turpëruar. Unë kam edhe katër fëmijë e, sot, ata ndjehen shumë keq për mua. Ndaj më lini të lirë”. Pas kësaj ka ndërhyrë avokati mbrojtës, i caktuar kryesisht nga gjykata, Ilir Murra. Ai i kërkoi trupit gjykues se nuk ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova që klienti i tij të ketë kryer elementë të veprës penale ndaj duhet të lihet i lirë. Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtarja Maliqi ka lënë në burg edhe Naim Çekrezin.
Vrasja dhe policia
Ka qenë nusja e djalit që ka mundur të qartësojë jo pak policinë dhe prokurorinë në lidhje me gjithçka mund të kishte ndodhur në banesën e saj, ndërsa ajo kishte ikur për në Elbasan bashkë me të birin e mitur dhe motrën e saj të shihnin festimet e Ditës së Verës. Ajo i ka treguar policisë se i kishte lënë bukën gati vjehrrit, por ai i kishte thënë se do shkonte deri në qytet të merrte një arkë me portokalle dhe se më pas do të kthehej dhe do ta priste në shtëpi atë dhe nipin e tij të vogël, pasi i biri punonte në Greqi prej shumë vitesh.
Policia ka vendosur që ngjarja fillimisht të trajtohej si vetëvrasje me qëllimin e vetëm që vrasësit mos të krijojnë idenë e ndjekjes, pasi ekspertët e Krimeve të Rënda kanë fiksuar faktin se në tavolinën e bukës së viktimës janë gjendur dy gati rakie, ç`ka do të thotë se autori dhe viktima kanë pirë raki bashkë. Atëherë në hetim janë futur edhe komponentë të tjerë, me anë të të cilëve është shkuar tek autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Dy ditë pas krimit të rëndë, kryepolici i Elbasanit, Alfred Çepe, bëri me dije për “Shekulli” se dy të ndaluarit e kanë pranuar ngjarjen, por pa dhënë detaje të tjera, për shkak të fazës së hetimeve
Babai i ruante në valixhe paratë e të birit që punonte në Greqi
Gjatë këqyrjes së vendit përreth është konstatuar se në sobë është gjendur një aparat celular i djegur krejtësisht i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Në dhomë është konstatuar një tavolinë sipër së cilës ndodheshin një shportë plastike me arra, një kokërr vezë, një enë metalike me tre gurabije, dy gota qelqi, një shishe rakie. Këto sende janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe janë dërguar në ekzaminim kriminalistik në Tiranë.
Nga këqyrja e dhomës përballë kuzhinës janë konstatuar çrregullime të mëdha të teshave dhe sendeve-objekte të ndryshme. Dy valixhe druri të dëmtuara (të shqyera) në njërën prej të cilave janë gjendur të mbështjella me çorape me ngjyrë të zezë 24 copë monedha të prerjes 1000 lekëshe, 98 kartëmonedha të prerjes 500 lekëshe. Në tavolinë janë gjendur 3 kartëmonedha 1000 lekëshe dhe 1 copë 500 lekëshe. Poshtë dyshekut në një çorape janë gjendur 100 copë monedha të prerjes 50 Euro. Gjithashtu në vendin e ngjarjes janë gjendur 2 copa letre një aktmarrëveshje si dhe një deklaratë bankare ku janë shënuar disa numra llogarie me shkrim dore.
Kufoma
Trupi i viktimës është transportuar për në morgun e qytetit për t’iu nënshtruar autopsisë. Nga këqyrja e kufomës rezultoi se në anën e djathtë, në pjesën e sipërme, pas koke janë konstatuar dy plagë njëra pranë tjetrës. Ndërsa e gjithë pjesa e pasme e kockës së kokës ka pasur thyerje dhe zhytje në brendësi të kafkës. Plagët kanë qenë të thella. Ekspertët kanë marrë edhe mbetje të thonjve dhe njolla gjaku nga trupi i viktimës për analiza kriminalistike. Nga veprimet e mëtejshme hetimore ka rezultuar se shtetasi Bajram Shinkolla kishte komunikuar ditën e ngjarjes me telefonin e tij celular me shtetasin Ilir Çekrezi.
Gjatë marrjes në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes ka pranuar se i është kërkuar nga babai i tij t`i telefononte Bajramit dhe, pasi kishte folur në telefon me të, janë nisur së bashku drejt fshatit Shalës. Prokuroria: Zarfin me lekët e vjedhur, Ilir Çekrezi e groposi te ulliri Babai i tij i Ilir Çekrezit, Naimi, ishte nisur në drejtim të banesës së Bajramit për t`u sqaruar në lidhje me disa fjalë që Bajrami kishte thënë në drejtim të nderit të bashkëshortes së Naimit. Më pas është nisur edhe Iliri në drejtim të banesës së viktimës dhe kur ka hyrë në banesë ka gjetur të shtrirë Bajramin ndërsa në tavolinë ka parë dy gotat e rakisë, ca arra dhe një telefon celular. Telefonin e ka hedhur në sobën e druve dhe ka shkuar në njërën nga dhomat ku ka gjetur në dysheme dy valixhe.
Njërën e ka hapur me shkelm dhe ka marrë një zarf me lekë. Është larguar me makinë në shtëpi dhe ka gjetur aty babanë, tezen me burrin dhe djalin e tyre. Të nesërmen ka shkuar në shtëpinë e Bajramit së bashku me bashkëshorten për varrim dhe, meqenëse nuk ndjeheshin mirë, janë kthyer në shtëpi. Ka marrë zarfin me lekë që kishte marrë tek shtëpia e të ndjerit, e ka futur në një plastmas dhe ka shkuar t`i groposë tek ullishta e tyre, 1 km larg banesës. Pas marrjes së të dhënave është shkuar në vendin e quajtur “Kodra e Patates” e mbjellë me ullinj. Në rrënjë të ullirit janë gjetur të mbështjella me plastmas një sasi lekësh ku në njërën shkruhej *”Adile Shinkolla, 60 mijë, korrik 2013!”. Në anën tjetër të letrës të shkruar me shkrim dore: * “Lekë 2100E 210 bajram”. Brenda kësaj letre janë gjendur një sasi të hollash dhe Eurosh që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Dispozita
Sipas organit të akuzës, në këto kushte, për shkak të rrezikshmërisë dhe largimit është nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasin Ilir Çekrezi nën akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim”. Në ngarkim të tij ekziston dyshimi i bazuar në prova se në bashkëpunim me të ndaluarin Naim Çekrezi ka konsumuar këtë vepër penale. Kjo dispozitë parashikon se “Vjedhja e pasurisë kur është e shoqëruar me dhunime që kanë sjellë vdekjen e personit dënohet me burgim nga 15 deri në 25 vjet burg dhe deri me burgim të përjetshëm. Në fund organi i akuzës argumenton se caktimi i masës së sigurisë kërkon të merret në konsideratë rrezikshmëria e tij, rrethanat e ngjarjes, mënyra e kryerjes së krimit etj. Përfundimisht prokuroria ka ngritur akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim” dhe ka kërkuar masën e sigurisë me burg pa afat për babë e bir. Shekulli
(* Fjalitë janë marrë nga dosja dhe qartësojnë atë çfarë ishte shkruar mbi prova. E sjellim të paprekur mbishkrimin për shkak vërtetësie)