Merr fund odiseja e gjykimit të grupit “Drenica”. Para pak minutash Kolegji ndërkombëtar i gjyqtarëve në Gjykatën themelore në pjesën veriore të Mitrovicës shpalli verdiktin për të akuzuarit e grupit “Drenica 1”. Sipas këtij verdikti, kryetari i Skenderajt dhe njëherësh ish-komandant i UÇK-së dënohet me 12 vjet burgim, e ish – komandanti i UÇK-së dhe ambasadori Sylejman Selimi dënohet me 6 vjet burgim, raporton Koha Ditore.
Gjykata dha urdhër që dy të dënuarit të shkojnë menjëherë në vuajtje të dënimit. Në këtë proces nga aktakuza u liruan të gjithë të tjerët. Të liruarit janë: Sabit Geci, Jahir Demaku, Avni Zabeli, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari. Gjykata në arsyetimin për vendimin me të cilin Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt dhe ish-komandant i UÇK-së, thekson përgjegjësinë për një vrasje në shtator të vitit 1998, për çka u dënua më 12 vjet burgim.
Ndërsa Sylejman Selimin, ish komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjykata e shpalli fajtor për shkelje të konventave ndërkombëtare të luftës, pra për trajtim çnjerëzor të një dëshmitari si spiun serb. Për këtë ai u dënua me 6 vjet burgim.









