Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me heqjen e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia e Kavajës.
Meta nga burgu shprehet se kjo masë është një dënim ndaj qytetarëve, të cilët nuk u nënshtruan në zgjedhjet e fundit. Ai shton se gjithashtu edhe një rrezik serioz e kërcënim i madh për qytetarët e Kavajës, për pronat e tyre të çmuara e të lakmuara.
“Heqja e Drejtorisë së Kadastrës nga Bashkia shumë e rëndësishme e Kavajës është jo vetëm dënim për mosnënshtrimin e qytetarëve të saj në zgjedhjet e fundit vendore por një rrezik serioz dhe kërcënim i madh për pronat e tyre të çmuara dhe të lakmuara.
Largimi nga qytetarët i shumë shërbimeve bazë është vijim i strategjisë së “Rilindjes” për të centralizuar bashkë me to edhe korrupsionin.
Heqja e drejtorive të rëndësishme të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ujësjellësave, sistemit elektro-energjitik, prokurorive e gjykatave është dështim i Reformës së Decentralizimit dhe sukses i Reformës së Patronazhimit, në dëm të qytetarëve dhe në funksion edhe të axhendës antikombëtare të shpopullimit të Shqipërisë.
Partia e Lirisë, që në programin e saj ka kryeprioritet madhor ndalimin e shpopullimit, angazhohet që pas 11 Majit të rikthejë shërbimet jetike pranë qytetarëve”, shprehet Meta.