Pas shpërndarjes së disa imazheve në mediat ku shfaqeshin një pjesë e madhe e librave të Bibliotekës Kombëtare që dukeshin të lagur pas reshjeve të para disa ditëve, ka ardhur reagimi i drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare.
Në një dalje për mediat, Persida Asllani ka deklaruar se nuk ka pasur dëmtime të librave që bëjnë pjesë në atë që quhet fondi i vlerave të rralla.
Ajo tha se janë prekur 12 mijë botime. Asllani deklaroi se 75 % e materialeve janë tharë.
“Numri i njësive të prekura nga lagëshitra është 12 mijë. 75% janë tharë, po punohet për pjesën e mbetur. Natyra e teksteve të lagura është e 15 viteve të fundit, libra shkollorë, letërsi, të cilat për shkak të mungesave të hapësirë nuk kanë mundur të ruhen sipas standardeve. Puna që po kryhet bazohet te udhëzuesit profesional botëror. Punohet me shpejtësi, ka një sasi pune të konsiderueshme. Merren masa për vendosjen e materiale në një mjedis të thatë, me aspirim, kemi hapur dritaret dhe kemi përdorur ventilator apo edhe tharëse flokësh”, tha ajo./a.m.