Ish-të përndjekurit politikë dhe trashëgimarët e tyre morën vitin e kaluar 1.13 miliardë lekë.
Të dhënat tregojnë se fondi që qeveria kishte vendosur në dispozicion është ekzekutuar i plotë.
Në vitin 2023, ish-të përndjekurit morën 1.13 mld lekë. Të dhënat nga thesari, tregojnë se pagesat për ta janë ekzekutuar mbi normën vjetore 1 mld lekë, e cila ishte vendosur në dispozicion nga buxheti i shtetit.
Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë është pjesë e një procesi ligjor që ka nisur nga viti 2007 dhe vazhdon edhe sot, sipas një formule që favorizon pagesat ish-të dënurave direkt nga regjimi komunist dhe mandej trashëgimtarët.
Procesi për kategorinë parësore është drejt përfundimit, me këstin e 22-të, ndërsa pasardhësit e tyre janë në pritje të këstit të tretë. Ai shoqërohet me vonesa, pasi një pjesë e njerëzve jetojnë jashtë vendit dhe nuk dorëzojnë dokumentet për të tërhequr paratë.
Buxheti i këtij viti llogarit një fond 1.2 mld lekë për dëmshpërblimin e tyre, ndërsa procesi administrohet nga Ministria e Financave./m.j