Partia Demokratike hyn në zgjedhjet e mesit të mandatit me pritshmëri të larta, për shkak të rënies së mbështetjes për Donald Trumpin dhe pakënaqësisë së amerikanëve me rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës.
Anketimet i japin demokratëve epërsi në garën për Dhomën e Përfaqësuesve dhe rezultate të mira në disa gara të rëndësishme për Senatin, përfshirë Teksasin, Kansasin dhe Mainen. Por BBC shtron pyetjen sesa të besueshme janë vërtet këto sondazhe.
Në zgjedhjet e mëparshme, ato e kishin nënvlerësuar mbështetjen për Trumpin, për shkak se shumë prej votuesve të tij nuk marrin pjesë në anketime, por paraqiten në numër të madh në ditën e zgjedhjeve.
Sipas ekspertëve, sondazhet janë bërë më të vështira pasi qytetarët përgjigjen gjithnjë e më pak në telefon dhe një pjesë e votuesve konservatorë nuk pranojnë të marrin pjesë në to.
Ndaj, mendohet se kjo mund të krijojë një avantazh artificial për demokratët në rezultatet e publikuara. Nga ana tjetër, republikanët kanë disa përparësi: shumë prej zonave në garë janë tradicionalisht republikane, polarizimi politik ka pakësuar numrin e votuesve të pavendosur dhe partia ka shpenzuar qindra miliona dollarë për reklama elektorale.
Për çdo rast, Megjithatë, demokratët kanë arsye të shpresojnë për një rezultat të mirë, pasi në zgjedhjet lokale dhe speciale të vitit të kaluar arritën rezultate më të kënaqshme nga sa parashikonin sondazhet. Një frikë e tyre lidhet saka me reagimin e mundshëm të Trumpit në rast humbjeje.
Ai ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje integritetin dhe sigurinë e zgjedhjeve amerikane, ndaj ekziston shqetësimi se mund të kontestojë përsëri rezultatet. Pavarësisht optimizmit të Partisë Demokrate, sondazhet nuk e garantojnë fitoren.
Rezultati duket se do të varet nga pjesëmarrja e votuesve, mobilizimi i mbështetësve të secilës parti dhe votat e qytetarëve të pavendosur, duke qenë se edhe diferencat më të vogla mund të përcaktojnë kontrollin e Kongresit.











