Kreu i opozitës Sali Berisha ka reaguar ndaj kërkesave të disa anëtarëve të përjashtuar të degës së Partia Demokratike në Durrës, të cilët synonin një takim sqarues lidhur me vendimin ndaj tyre. I pyetur nga gazetarët pse nuk i kishte pritur dhe nëse do t’i takojë në vijim, Berisha theksoi se vetëm një prej tyre rezulton i përjashtuar për arsye të qarta, duke e akuzuar për angazhim në fushatë në favor të kundërshtarëve politikë.
Ai nënvizoi se shqyrtimi i rasteve të tilla nuk është kompetencë personale e tij, por e strukturave dhe forumeve të partisë, duke i ftuar të gjithë të pakënaqurit të ndjekin rrugën zyrtare të ankimimit. Berisha paralajmëroi se në analizat e brendshme të premtuara më herët do të evidentohen përgjegjësitë për çdo rast bashkëpunimi me kundërshtarët, duke shtuar se persona të tillë nuk do të kenë vend në parti.
“Së pari, nga ata që janë përjashtuar aty ishte vetëm njëri dhe ai është përjashtuar me motive të qarta. Ai ka qenë nënkryetar, në fushatë elektorale ka punuar për kundërshtarët, për të mos thënë edhe ca gjëra të tjera, nuk ka nevojë, por edhe ai dhe çdo njeri tjetër, ka një gjykatë kjo parti, duhet të paraqesë ankesat. Nuk është Sali Berisha gjykatësi i partisë. Po, Sali Berisha ka premtuar me kohë që do bëhen analiza. Ka premtuar me kohë që në këto analiza do nxirren përgjegjësitë, pa diskutim.”
Në deklaratën e tij, ai hodhi akuza të forta ndaj individëve që, sipas tij, kanë mbështetur kandidatë rivalë, përfshirë edhe përfaqësues të lidhur me Tom Doshi, duke i cilësuar këto veprime si të papranueshme. Gjithashtu, Berisha i konsideroi këto përpjekje si të nxitura nga kundërshtarët politikë, duke përmendur edhe kryeministrin Edi Rama.
Megjithatë, ai ritheksoi se çdo anëtar ka të drejtë të ankimojë dhe të provojë nëse është ndëshkuar padrejtësisht, ndërsa procesi i analizës brenda partisë do të vijojë për të identifikuar përgjegjësitë individuale.
“Në qoftë se X apo Y për shkaqe, nuk më interesojnë, bën fushatë dhe bën thirrje të votohet, bën thirrje ditën para votimit që të votohet për kandidatin e Tom Doshit, unë mendoj se është më e pakta që mund të them pacipësi ekstreme të pretendojë se ka ndonjë gjë të përbashkët me PD. Ka shkelmuar vetë investimin e vet dhe keqpërdoret. Pra, ata persona që jepen me qira, që japin veten me qira, kanë bërë një zgjedhje ata. Partia është një institucion që ka të gjitha forumet dhe cilido që ka vërejtje, ka pakënaqësi, ka të drejtë të ankimojë.
Por absolutisht ata që kanë punuar për kundërshtarët, nuk do kenë vend në PD. Jo, ke punuar për kundërshtarin, shko… Marrin përsipër një mision të turpshëm, të neveritshëm. Mirë, ti e bëre atë, dikush thotë se bashkëjeton me të, nuk di asgjë, nuk merrem, por e bëre atë, ti vazhdo, nuk të thirri njeri për të të thënë pse e bëre. Bëre zgjidhjen tënde dhe unë e respektoj zgjidhjen e gjithsecilit.
Shkove bëre fushatë për deputetin kundërshtar, tani shkon të më shitesh mua se të mbaroi periudha e qirasë? Jo. Këto janë përpjekje të dëshpëruara të Edi Ramës dhe atyre që bëhen lolo të tyre.”











