• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, June 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Demokracia plot mbiemra dhe paradokset shqiptare?!

by Ben Andoni
06/03/2024 19:15
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ben Andoni

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë mbiemra na shfaqen nga literatura politike për demokracinë. Pas viteve ’90, asnjëherë në historinë njerëzore nuk ka pasur kaq shumë vende të pavarura, të cilat kanë vendosur apo praktikuar qeverisje demokratike. Ashtu si asnjëherë tjetër në histori, ndërgjegjësimi për demokracinë nuk është përhapur kaq shpejt dhe gjerësisht përtej kufijve kombëtarë. Asnjëherë demokratët në mbarë botën nuk janë dukur të kenë kaq shumë arsye për entuziazëm (Diamond, 90). Po a është i justifikuar ky hap?! Vendi ynë është njëri prej tyre syresh, që bëri një hop të paimagjinueshëm, pas rënies së socializmit, anipse me shumë probleme lidhur me demokracinë. Dhe, jo më kot. Në Shqipëri koncepti i demokracisë ka qenë tejet i përhapur por gati abstrakt, pasi ai merresh i mirëqenë dhe lidhej me Diktaturën e Proletariatit!!! Sundim i Popullit, por me peshën dhe autoritetin kryesisht nga punëtorët. Koha tregoi se ishte dhe mbeti abstrakt ashtu si edhe sot, por jo më me pushtetin që ushtronin dikur shtresat e Klasës Punëtore, Fshatarësisë Kooperativiste dhe Inteligjencës Socialiste, por tashmë me mënyrën sesi ushtrohet në vend. Demokraci deleguese, demokraci joliberale, demokraci përjashtuese, demokraci hibride e shumë të tjera, janë disa nga mbiemrat që i vishen demokracisë, në mungesë të një demokracie reale dhe gjithëpërfshirëse.

Ndaj, nuk është se publiku u çudit nga të dhënat e fundit të Freedom House, lidhur me Shqipërinë, për shkak se një pjesë e madhe e publikut as nuk është e interesuar për atë realitet që e shikon para syve dhe ngjyresat (plot mbiemra), që po i jepen demokracisë. Në indeksin Global Freedom, Shqipëria renditet tashmë me 68 pikë, duke shënuar progres me vetëm një pikë krahasuar me vlerësimin e vitit të shkuar. Mbetemi një vend në tranzicion me një sistem hibrid të qeverisjes, që sipas ekspertes Karppi për VOA-n: “Kjo do të thotë se aksesi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë po përmirësohet ndjeshëm në Shqipëri dhe ky progres duhet vlerësuar”. Ndërkohë që shtoi edhe esencën e pozicionit tonë: mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim në Shqipëri. Ashtu si ecuria e zgjedhjeve lokale, gjatë të cilave, sipas saj, “nuk është krijuar ambient për zgjedhje më të lira dhe më të drejta”. Por edhe kjo quhet pozitivitet, që do të thotë dhe të përmirësohesh një shkallë do të thotë se: “Në përgjithësi, Shqipëria ka përparuar këtë vit, duke u dhënë qytetarëve mundësinë që të marrin pjesë edhe një herë në proceset demokratike, duke iu përmbajtur angazhimeve për reformat e bëra përpara Bashkimit Evropian”.

A jemi drejt paradokseve demokratike? Kur nuk bën zgjedhje të mirë-pranuara, apo palët nuk e pranojnë fituesin, a mund të themi se jemi në një demokraci efektive? A mundet që përballja në parlament të mos bëhet konfliktuale dhe e dhunshme?

Cilat janë paradokset atëherë?!

Këto janë tre koncepte thelbësore: Demokracia kërkon mirëkuptimin. Mirëkuptimi kërkon ligjshmërinë. Dhe, ligjshmëria kërkon performancën aktive.

Duke u mbështetur dhe në studiuesin e mësipërm, është vetë demokracia që i sjell tensionet politike, kurse evolucioni politik ka treguar se tensionet dhe konfliktet janë të lidhura ngushtë me natyrën e demokracisë. Përplasja e parë është ajo që vjen përmes konfliktit dhe konsensusit. PD-ja dhe PS-ja, si dy partitë e vetme në drejtimin e vendit, do mbahen mënd për konfliktet e panumërta “në emër të parimeve”, por që kanë treguar shumë problematika morali politik. Një legjislaturë më parë, PD-ja e bojkotoi, ashtu si tashmë PD-ja (Rithemelimi) ka vendosur të mos i lërë punimet normale parlamentit! Demokracia për vetë natyrën e saj është një sistem i konkurrencës së institucionalizuar për të marrë pushtetin. Me pak fjalë, pa këto nocione: konflikt dhe konsensus nuk ka demokraci. Por nëse konflikti politik, si në rastin e muajve të fundit, shkon e bëhet shumë intensiv atëherë shoqëria është e mbarsur me konflikte dhe sherre. Kjo e bën jo vetëm stabilitetin politik por edhe paqen civile shumë të acaruar. PD-ja, falë mosfunksionimit si duhet të sistemit të Drejtësisë, po mbetet peng i verdiktit të saj, ndërsa me bojkotin hibrid po e dëmton dhe ashpërson konfliktin politik deri në përplasje fizike. Djegiet, prekjet e tepruara me dorë, ulërimat e zakonshme e bëjnë këtë paradoks shumë real. Demokracia kërkon konflikt, por jo shumë; duhet të ketë konkurrencë, por vetëm brenda kufijve të përcaktuar me kujdes dhe të pranuar botërisht. Ndarja duhet të zbutet me konsensus, cilësohet nga studiuesit (Diamond, ‘90).

Demokracia është realisht dhe mbetet sistemi më i mirë në dukje, por edhe më i vështiri për t’u ruajtur. Ndërkohë që demokracia vetvetiu kërkon që pushteti të mos jetë vetëm në duar të pak vetave ose më keq, një individi të vetëm (po ndodh rëndom pas paktit 2008), pasi politikat i nënshtrohen mekanizmave të përfaqësimit dhe llogaridhënies popullore, pra mirëkuptimit. Nga qeveria në fuqi kërkohet jo vetëm të funksionojë në interes të qytetarëve, por edhe të jetë në gjendje t’u përgjigjet problematikave njerëzore dhe shqetësimeve të tjera në kohën e duhur. Ka qenë ky rasti i duhur me Shqipërinë? Po, në kohën e Pandemisë dhe Tërmetit. Por, Jo, sot, në momentet e rritjes së çmimeve dhe mbi të gjitha ruajtjes nga grupet e interesit, që në jo pak raste janë shumë të privilegjuara dhe madje edhe ligjet u përshtaten atyre. Rasti i ligjit të basteve në parlamentin tonë, para pak ditëve, e tregoi më së miri këtë me manovrimin e socialistëve. Integriteti i deputetëve dhe jo varësia e kartonit ndaj kreut është kërkesë e demokracisë, ashtu si sensi që partitë duhet të kenë pavarësinë e mjaftueshme për t’u ngritur mbi to (Ibid).

Kontradikta e tretë lidhet me atë që shkon midis mirëkuptimit dhe efektivitetit. Populli jo vetëm duhet të tregojë se sundon, por edhe duhet ta ndjejë se ka përballë qeverinë e zgjedhur prej tij. PS-ja, në mandatin e tretë qeverisës, përballet realisht me këtë fakt. Sa ka mundur që të tregojë se përbën një shumicë, që i përfaqëson shqiptarët? Për fat të keq, korrupsioni i drejtuesve të niveleve të ndryshme, për të cilat SPAK nuk ndalet me thirrjet dhe ende GJKKO që se ka mbyllur ciklin, është shqetësues. Tashmë nuk përbën më asnjë habi shkuarja në SPAK e zyrtarëve të lartë, nga ministra, ish-ministra, kryetarë Bashkie e me radhë.

Sot, veç indekseve të ndryshme, që japin situatën në Shqipëri, demokracia duhet të ndihet legjitime nga qytetarët, që duhet thënë se në shumicën e rasteve janë shumë të zhgënjyer prej saj. PPP-të, arroganca qeveritare, braktisja e qendrave urbane lokale, erozioni demografik nuk ndalen, ndaj jo pak herë zhgënjimi është i madh. Demokracia vetë varet nga legjitimiteti që i japin njerëzit, ku kërkohet jo vetëm moral dhe respekt por edhe performancë aktive. Për fat të keq, pjesa më e madhe e ministrave të Ramës, janë gjithnjë e më shumë larg interesave dhe halleve të publikut, por nuk japin llogari edhe para deputetëve të PS-së (Kuptohet llogaridhënia për PD-në).

Demokracia mbështetet në një minimum detyrimi dhe një maksimum pëlqimi (Ibid), por janë kontradiktat që duhet secili vend t’i zgjidhë sipas kushteve të veta dhe mbi të gjitha të mos flejë mbi dafina. Ose siç bëhet rëndom edhe tek ne, duke sajuar mbiemra të pafund për demokracinë, për t’i shpëtuar detyrimeve dhe për të pluskuar mbi një term, që është sfidues dhe që po shpreh mangësi të tilla. Shembuj sesi shkitet sot janë mbiemrat që e kanë mbathur demokracinë: demokracia e përgjithshme; demokraci me intensitet të ulët, demokraci deleguese, demokraci joliberale, demokraci përjashtuese, demokraci e ngrirë, demokraci populiste dhe demokraci klienteliste, mes të tjerave. Dy politologët David Collier Steven Levitsky ndaluan së numëruari kur arritën te rreth 600 “nëntipe të zvogëluara” të demokracisë që qarkullonin në literaturë. Demokracia problematike e ditëve tona, pra, nuk është gjë tjetër veçse një shtesë tjetër në një katalog të gjatë zhgënjimesh, që rasti i Shqipërisë, po na i jep pafund. (Homo Albanicus)

 

Next Post
Skandali mes Lekës dhe Elias, zëdhënësi: E stisur nga familja Zaharia, duan të marrin pronat

Skandali mes Lekës dhe Elias, zëdhënësi: E stisur nga familja Zaharia, duan të marrin pronat

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Gjermania eliminohet për herë të parë me penallti! Dramë edhe për Holandën! Paraguaj e Maroku vijojnë Botërorin

Gjermania eliminohet për herë të parë me penallti! Dramë edhe për Holandën! Paraguaj e Maroku vijojnë Botërorin

June 30, 2026
Një çantë e dyshimtë në Tiranë, njësia anti-eksploziv dhe policia në vendngjarje

Konflikt fizik në zonën e Shkallnurit në Durrës, slloveni plagoset me mjet prerës

June 29, 2026
Projekti i plotë/ Mazniku tregon rrugën që do ndiqet me reformën territoriale në 61 bashkitë e vendit

Mazniku: Rama dhe të gjithë ne kemi një kontratë me 860 mijë votues

June 29, 2026
Shkon në 1719 numri i viktimave nga tërmetet në Venezuelë, mbi 5 mijë të plagosur

Shkon në 1719 numri i viktimave nga tërmetet në Venezuelë, mbi 5 mijë të plagosur

June 29, 2026
Ndërhyrje të paligjshme në shtratin e Lumit të Valbonës, IKMT gjobit dhe pezullon subjektin

Ndërhyrje të paligjshme në shtratin e Lumit të Valbonës, IKMT gjobit dhe pezullon subjektin

June 29, 2026
VIDEO / Xhama të thyer dhe dyer të shkatërruara, pasojat pas sulmit të protestuesve te ‘Politekniku’

VIDEO / Xhama të thyer dhe dyer të shkatërruara, pasojat pas sulmit të protestuesve te ‘Politekniku’

June 29, 2026
Flirtime e tradhti/ Meri Shehu bën parashikimin e mujor të horoskopit në BBV!

“Kleçka” e korrikut! Meri Shehu: 4 planete do të trazojnë jetën e këtyre shenjave!

June 29, 2026
Spahiu tregon arsyet: Pse Berisha deklaroi hapur që 21 janari është krim shtetëror pa dashje

“Edhe Rusia me Ukrainën, apo SHBA me Iranin që janë në luftë bëjnë negociata! ‘Flamingot’ refuzojnë!”

June 29, 2026
“Nuk ecën, vendi kalon në kaos”/ Braçe dhe Berisha kundër platformës së protestës për asamble me short dhe qeveri tranzitore

Jesuralem Post: Si depërtoi retorika antisemite në protestat anti-Kushner në Shqipëri

June 29, 2026
Spaho, në Kuvend: Ne të Partisë Demokratike nuk jemi hajdutë!

“Rama të mos dorëhiqet”, Spaho sqaron deklaratën dhe “shpërthen” kundër PD

June 29, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In