Ministri Pushtetit Vendor, Ervin Demo, u shpreh se katër bashki të reja kanë miratuar zonat prioritare lidhur me Paketën e Maleve.
Siç u shpreh ai, në territor ka kaluar numri i 500 aplikimeve, si pasojë e interesit të bashkive që shpallin zonat prioritare
“Vendimet e ditës së sotme: kemi pasur katër bashki të reja që sot kanë miratuar zonat prioritare, duke nisur me Bashkinë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë.
Ne vazhdojmë të ecim çdo javë me bashkitë që miratojnë zonat e tyre prioritare. Tashmë mund të themi se numri i aplikimeve në territor, edhe për vetë faktin që numri i bashkive po rritet javë pas jave, është edhe më i madh. Janë kaluar 500 aplikime. Edhe në javët në vijim kemi një sërë bashkish që janë në procese përfundimtare të miratimit të zonave prioritare“, tha ai.
Nga mbledhja e qeverisë më 26 mars, Demo sqaroi se se këto investime do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në ekonomi dhe rritjen e punësimit.
Ai u vuri theksin se Paketa e Maleve nuk është nismë për zgjidhjen e pronësisë, por instrument për zhvillimin lokal.
Sakaq, Paketa e Maleve ka një rëndësi të madhe për qeverinë ‘Rama’, pasi ky i fundit u ka dhënë ultimatum kryebashkiakëve se nëse duan që të rikandidojnë, duhet të sjellin në tryezë minimalisht 10 kontrata të firmosura për këtë paketë.











