Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka qenë pasditen e së enjtes në Elbasan, për të ndjekur nga afër situatën e zjarreve në Krastë.
Por përmes një njoftimi në Facebook, Demiraj ka kritikuar mungesën e angazhimit të pushtetit vendor, por edhe qytetarëve. Ai ka publikuar edhe disa foto ku shihet duke shuar zjarrin me ca dege pemesh.
“E papranueshme. Jam në Krastë të Elbasanit dhe vetëm pak forca zjarrfikëse, të ushtrisë dhe Emergjencave Civile janë angazhuar në shuarjen e flakëve. Asnjë person nga qeveria vendore, bashkia, apo qytetarë të zonave përreth. Kjo situatë vihet nën kontroll të plotë vetëm nëse bashkëpunojmë të gjithë së bashku”, ka thënë Demiraj.
Megjithatë, ministri ka rezervuar një falenderim, që shkon për kreun e Emergjencave Civile, Prençi dhe strukturat e tij.