Një skicë e rrallë e Leonardo Da Vinçit e martirizimit të Shën Sebastianit të lidhur në një pemë, në vlerë prej 15 milionë euro, është shfaqur për herë të parë për media, raporton Reuters.
Shtëpia e ankandeve Tajan e ka ekspozuar vizatimin e Da Vinçit për herë të parë, transmeton Koha.net.
“Është absolutisht e jashtëzakonshme dhe madje është shumë e rrallë që të zbulohet një vizatim i Da Vinçit”, është shprehur Thaddée Prate, drejtor i Mjeshtërve të Vjetër në Tajan.
Në anën e kundërt të skicës, ekspert kanë gjetur edhe shënime të shkruara mbrapsht dhe diagrame mbi dritën dhe hijen që lidhen me studimet e Da Vinçit për optikën.
Shënimet së prapthi ishin tregues kryesor i prejardhjes së vizatimit, ka thënë Prate.
“Në anën e djathtë, shkrimet e tij se prapthi, që janë tipike për artistin dhe që vetëm ai mund t’i bënte, është në një mënyrë nënshkrimi i këtij vizatimi”, ka thënë ai.
Shtëpia e ankandit ka punuar ngushtë me ekspertin e famshëm për vizatimet e Leonardos, Dr. Carmen C. Bambach, kurator në Departamentin e Vizatimeve dhe Shtypit në Muzeun Metropolitan të Artit në New York.
Bambach ka përcaktuar se vizatimi ishte studim i Da Vinçit për një pikturë të paekzekutuar të shenjtorit të martirizuar.
Vizatimi me ngjyrë kafe ka madhësi 19.3 cm dhe 13 cm, ndërsa besohet të jetë një nga tetë veprat për Shën Sebastianin që është cekur në “Codex Atlanticus”, një listë e hartuar nga vet Da Vinçi. Kjo është skica më e avancuar e tij tashmë e njohur.
Sipas Tajan, vizatimi ishte bërë gjatë viteve të hershme të Da Vinçit, rreth vitit 1480. Vlera e këtij vizatimi është përcaktuar 15 milionë euro, bazuar në disa ankande të ngjashme.
Siç është përcaktuar së fundmi si “thesar kombëtar” nga Ministria franceze e Kulturës, vizatimi nuk mund të shitet për koleksionuesit privat dhe duhet të gjendet një pronar mes muzeve kombëtare franceze, me Louvren, si një kandidat i mundshëm. (b.an)