Tre librat e rinj të sugjeruar për këtë javë janë 3 tituj: “Kosova, lufta e heshtur” nga Zef Mazi, “Zonjusha mbresëlënëse Kesidi” nga Meihan Boey dhe “Portreti i një zonje” nga Henry James.
ZEF MAZI, AUTOR
KOSOVA, LUFTA DHE DIPLOMACIA E PADUKSHME QË NDRYSHOI LOJËN
Titulli: Kosova, lufta e heshtur
Autori: Zef Mazi
Shtëpia botuese: Onufri
Çmimi: 2000 lekë
Zef Mazi është një nga diplomatët më me përvojë dhe më me ndikim të Shqipërisë në dekadat e fundit. Libri i tij “Kosova, lufta e heshtur, diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991-1999)” mbështetet pikërisht mbi këtë përvojë të jashtëzakonshme.
Me një karrierë që shtrihet nga misionet diplomatike në Vjenë, Bernë, Londër, Dublin, OKB dhe në organizatat kryesore ndërkombëtare, deri te poste si drejtues i strategjisë në IAEA dhe i negociatave të Shqipërisë për integrimin europian, Mazi ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në proceset që formësuan fatin e Kosovës në vitet vendimtare të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Përmes këtij rrëfimi, Mazi vendos në qendër rolin e Shqipërisë për Kosovën, sfidat e një shteti të vogël në një krizë të madhe, përplasjet mes realpolitikës dhe së drejtës ndërkombëtare, si dhe peshën e vendimeve që shpesh merren pas dyerve të mbyllura. Ai ofron jo vetëm kujtime reale mbi bazë arkivore, por edhe analiza të sakta të mekanizmave të diplomacisë, të vështirësive dhe të proceseve që çuan drejt pavarësisë së Kosovës. Ky libër është një testament i qartë i kontributit të tij intelektual dhe diplomatik, si dhe një udhëzues për të kuptuar se si zhvillohet në realitet diplomacia kur përballë është fati i një populli.
VASILIKA TAFA, BOTUESE
“ZONJUSHA MBRESËLËNËSE KESIDI” NË SINGAPORIN E SHEK. XIX
Titulli: Zonjusha mbresëlënëse Kesidi
Autore: Meihan Boey
Përktheu: Hedera Ceni
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1400 lekë
Në Singaporin e viteve 1890, ka shumë mënyra se si mund t’a humbasësh jetën. Nëse nuk sëmuresh nga malaria, jetën mundet do të t’a marrin fantazmat hantu. Por as njëra dhe as tjetra nuk përbën problem për flokëkuqen Leda Kesidi, një nxënëse me rezultate shumë të mira që, të gjitha sfidat e jetës, i ka zgjidhur falë cilësive të saj të veçanta. Kur ajo mbërrin në Singapor nga Skocia për të shërbyer si kujdestare për Sara Xhejnin, fëmija e fundit e mbijetuar e familjes së madhe Bendemir, zbulon se pinjollët e kësaj familje nuk janë zhdukur nga ethet tropikale, por nga pontianaku që prej kohësh përndjek kopshtin e tyre. Në këtë rast asaj i duhet që të gjejë një zgjidhje.
Por, ka kohë që ajo ka tërhequr vëmendjen e vejanit të pasur Kai Uing Tong, familja e të cilit vuan nga një mallkim i tmerrshëm. Ai ka dy vajza binjake dhe është i shqetësuar sa për edukimin po aq edhe për martesën e tyre.
Kesidi pranon me kënaqësi të punojë për të, duke besuar se mund të ofrojë sadopak qetësi. Kur mbërrin në shtëpinë e punëdhënësit të ri, zbulon se ajo familje është e sulmuar nga shpirti i fantazmave, prandaj përpiqet që ta rregullojë situatën pa asnjë vonesë. Sapo e çon në prehje një krijesë të mbinatyrshme, një tjetër i zë vendin shumë shpejt. Asaj i duhet të përballet me forca shumë më të lashta e më të fuqishme se çdo gjë që ka hasur më pare, për të mos përmendur ngacmimet e papritura që ndjen brenda shpirtit të saj.
Zonjusha e mrekullueshme Kesidi, që i zgjidh të gjitha problemet me qetësi, të sjell në mend Meri Popinsin, arkeologen detektive Amelia Peabadi, madje edhe aventurieren austriake Ida Pfeiffer, e cila ka vizituar Singaporin në shekullin e XIX.
GRANIT ZELA, PËRKTHYES
“PORTRETI I NJË ZONJE”, JETA E ISABEL ARÇERIT NË SHQIP
Titulli: Portreti i një zonje
Autori: Henry James
Përktheu: Granit Zela
Shtëpia botuese: Albas
Çmimi: 1900 lekë
Jeta e Isabel Arçerit ndryshon rrënjësisht pas ftesës që i bën tezja e saj, znj. Tushet, për ta shoqëruar në Europë. Atje, të gjithë magjepsen nga bukuria, inteligjenca dhe fuqia e saj e brendshme. Në botët dehëse të Parisit, Firences dhe Romës, iluzioni i vetëbesimit asaj i shembet gradualisht nga intrigat e atyre që duken miq dhe mbështetës.
Me një trashëgimtare të re, me një mëtues të dhënë pas pasurisë dhe me një zonjë të paskrupullt, Henry James e ndërton historinë si një lojë delikate, ku gjithçka duket e kundërta: liria shndërrohet në fat, dashuria në tradhti, çiltërsia në mashtrim dhe anasjelltas. Kjo kryevepër bashkon temat më thelbësore të letërsisë së James-it: lirinë personale, kufizimet shoqërore, psikologjinë femërore dhe dallimet kulturore midis Europës dhe Amerikës, duke krijuar një portret të thellë dhe të ndjeshëm të një gruaje që përpiqet të jetojë sipas vullnetit të saj.











