Konsensusi i arritur mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e një ligji që do të parandalonte përfshirjen e individëve me rekorde kriminale në politikë, por dhe në administratë, për doktor Sabit Brokajn është një shenjë e mirë, por ai vë në pikëpyetje shtrirjen efektive të të ashtuquajturit Dekriminalizim. Sipas tij, palët kanë rënë dakord që të mos preken zyrtarë apo politikanë të lartë përfshirë këtu emra ish-ministrash të akuzuar për afera korruptive, gjë që me hyrjen në fuqi të ligjit për Dekriminalizimin nuk do të kemi asnjë surprizë për arrestime apo largime nga politika, përveç emrave që dhanë vetë dorëheqjen. Po të njëjtin qëndrim, Brokaj ndan edhe për Reformën në Drejtësi, e cila po realizohet më shumë e detyruar nga ndërkombëtarët për t’u bërë sesa vullnetit të palëve. Ai vë në fokus edhe rolin e madh të faktorëve ndërkombëtarë, atij të SHBA-së dhe Bashkimit Europian për dy nismat e palëve, edhe pse e para ka pasur një dakordësi, ndërsa te reforma në drejtësi, qëndrimet janë të ndara. Ajo që palët duhet të bëjnë është pikërisht vënia në zbatim e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe shmangia e hapësirave ligjore, të cilat mund të lënë hapësirë që politikanët të ndërhyjnë duke iu larguar principit fillestar.
Z. Brokaj, së fundmi politika shqiptare ka marrë një kthesë të rëndësishme, në kuadrin e një konsensusi pothuajse të munguar mes opozitës dhe mazhorancës, ku së bashku kanë miratuar ligjin për Dekriminalizimin dhe ndryshimet kushtetuese. Çfarë efekti do të sjellë zbatimi i këtij ligji për shoqërinë shqiptare dhe vetë politikën?
Kohëzgjatja e shqyrtimit të tij, për mendimin tim, erdhi për arsye se ndërsa secila palë kërkonte elemente kryesore të palës tjetër dhe ajo i nxirrte kundërshti, arritën së fundmi të bien dakord që të ulin, si të thuash stekën, në goditjen e elementeve sipas këtij ligji të kriminalizuar. Pra, të mos prekin nivelin e lartë. Me këtë kam parasysh këtu nivel të lartë. Për shembull, për mua, dhe ma merr mendja për shumë shqiptarë, më i kriminalizuari është Sali Berisha. Po flas këtu duke kujtuar vitet ’97, ’98 apo dhe Gërdecin që po t`i mendojmë saktë, janë të vlefshëm për t’u futur te ky proces Dekriminalizimi. Nuk do të thoja më tej për Lulzim Bashën që janë penalitete të hapur apo dhe të tjerë. Së fundmi, palët ranë dakord që të mos godasin në këtë nivel. Ai ligj do të zbatohet për mua, në një nivel të parëndësishëm për ardhmërinë e politikës shqiptare apo të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Të njëjtën gjë deshën të bënin dhe do të orvaten të bëjnë për ligjin për Reformën në Drejtësi. Ndaj e sollën dhe këtë ligj, ku për dy vjet erdhën përballë e përfundimisht ndihen realisht të imponuar, më saktë të urdhëruar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Bashkimi Europian.
Kjo do të thotë se vitin që vjen, kur pritet të nisë zbatimi i këtij ligji, nuk do të kemi surpriza për emra të rëndësishëm të politikës apo zyrtarëve të lartë që do të mund të preken nga ky ligj?
Për dekriminalizimin, ajo që mund të them është se do të shikojmë nivele dhe individë të tillë, të cilët për mendimin tim nuk ndikojnë as në pastrimin në tërësi, as në opinion, lidhur me profilaksinë që duhet të bësh. Kjo pastaj mbetet për t’u parë dhe më pas për t’u gjykuar.
Palët janë në diskutime për hartimin e draftit përfundimtar të një reforme tjetër të rëndësishme, siç është ajo për Drejtësinë, ku së fundmi, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandimet se ku duhet të fokusohet politika shqiptare për të pasur një gjyqësor jo të korruptuar, por jo vetëm. Si i shikoni ju këto diskutime? Sa gjasa ka që palët të pranojnë çdo propozim dhe në të njëjtën kohë të arrijnë një reformë gjithëpërfshirëse?
Ne kemi përvojë me Komisionin e Venecias, por kemi po aq përvojë të mjaftueshme që t’i shmangemi Venecias. Ne kemi çuar shumë ligje atje përfshirë dhe Kushtetutën dhe e dimë shumë mirë se çfarë i punuam Kushtetutës në muajin prill të 2008-s, ku ia hoqëm gjithë thelbin demokratik dhe harmonizimit të institucioneve. Venecia natyrisht dha një variant, në thelb të pandryshuar me variantin që çuam ne, që kjo është një gjë e mirë, në kuptimin që del se ne e kemi marrë seriozisht. Në atë komision ekspertësh jam i bindur që ka pasur shumë persona, ekspertë që kanë dashur të bëjnë vërtet një reformë të plotë për sistemin e drejtësisë. Por, reformat apo ligjet nuk janë varur tek ne pikërisht nga ekspertët. Ato varen nga politikanët dhe kryesisht nga drejtuesit e partive, të cilët përcaktojnë karakterin e votimit të çdo reforme apo ligjit përkatës. Unë e kam thënë që Reforma në Drejtësi do të bëhet po qe se dyshja SHBA-Europë do t’u thotë politikanëve në Shqipëri “merreni, votojeni dhe shporruni”. Po qe se do thuhet kjo radhë dhe sekuencë veprimesh, besoj se diçka për të ardhmen do të bëhet mirë. “Shporruni”, në kuptimin që kë kap reforma, të largohet. Unë merakun e kam se përvoja jonë 25-vjeçare ka bërë që të jemi jashtëzakonisht specialist për mënyrën se si t’i deformojmë këshillat, udhëzimet apo dhe variantet që na ofrohen, përfshirë këtu edhe ato të ekspertëve ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë kam merakun se në këto hapësira, që vetvetiu në çdo ligj mbeten për të lënë mundësinë e arsyetimit, në rastin e veçantë të ndryshojnë ndonjë gjë dhe t’i largohen principit. Do të gjykojë përfundimisht këtë që, e ardhmja e Shqipërisë varet pikërisht pas pranverës, duke marrë parasysh këtu afatin që dha ambasadori amerikan, Donald Lu. Po qe se kjo reformë do të bëhet vërtet ashtu siç është menduar të bëhet, Shqipëria shpëton njëherë e mirë. Në qoftë se pikërisht do të futim ingredientët që e ndryshojnë shijen e kësaj gjelle që është gatuar, dhe kjo është e mundshme, pastaj vjen erë që do të thotë se Shqipëria nuk bëhet, sepse kontingjentët e politikës shqiptare të korruptuara e degraduara, kanë zbritur deri në një grupmoshë poshtë moshës mesatare të politikanëve, deri tek elementët e rinj. Futen në politikë dhe gjykojnë për përfitime nga politika e posti, por jo me ndjenjën e përgjegjësisë se çfarë do të bëjnë për të lartësuar vendin dhe veten. Lartësi quajnë trastën me para, por kurrë jo vlerave që do t’i japin vendit dhe vetes. Gjithsesi do të thoja se edhe për këtë reformë do të duhet që palët të diskutojnë së bashku.