Nga Sokol Balla/
Një çështje që u la thuajse në injorim nga maxhoranca, duket se do të kthehet në të vetmin argument lufte nga opozita, në këtë fushatë të vakët elektorale: dekriminalizimi.
Ndërsa si proces formal, dekriminalizimi është ende në tryezat bosh të një Kuvendi në fushatë, amerikanët mbajtën premtimin e dhënë prapa kuintave, se nuk do ta linin këtë çështje të futej në kalendat greke.
Kërkesa e PD për të ç‘regjistruar kandidatin aktual të sajin në Këlcyrë dhe mbeshtetja direkte që mori nga ambasada Amerikane, tregon një çarje që ekziston në këtë drejtim, mes kryeministrit dhe Rrugës së Elbasanit.
Them kryeministrit dhe jo kryetarit të Kuvendit, i cili megjithëse të enjten në Top Story, deklaroi se dekriminalizimi “po përdoret nga Opozita, për t’i vënë një njollë të pamerituar vendit”, duket se në zhvillimet e fundit, nuk ka ndërmend t’i kundërvihet amerikanëve, jo thjesht për faktin se nga tre kandidaturat e përfolura të maxhorancës (në Veri, Shqipëri e Mesme e Jug), asnjëra prej tyre nuk vjen nga radhët e LSI.
Paradoksi qëndron në faktin që nëse PD sot lau duart me kandidatin e saj për Këlcyrën, nuk tha asnjë fjalë, përkundrazi, mbrojti në Kolegj, rikthimin në garë të kandidatit të Mamurrasit. Nuk dihet nëse kjo do sjellë ndryshim në qëndrimin e saj për kandidatin e mësipërm, si dhe një të tretë që mbetet ende i panjohur. (Amerikanët mund të jenë të ashpër në këtë çështje, por në mes të një fushate, ishte normale që përballë treshes nga PS, të fusnin në listën e zezë të kandidatëve të këtyre lokaleve, po aq, edhe nga krahu i PD).
Jo lehtë e ka edhe KQZ, e cila pasi ç‘regjistroi kandidatin e rikthyer nga Kolegji, të përsërisë të njëjtën gjë edhe me Këlcyrën.
Më në fund, kur të gjithë mendonin se loja kishte mbaruar pa nisur, ajo nisi pa filluar mirë.
Po tani?









