Dekriminalizimi, Balla: Problem mbeten njerëz si Ristani e Basha
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, thotë se procesi i dekriminalizimit duhet rregulluar me ligj. Në një deklaratë për mediat nga Korça, Balla u shpreh se kur është fjala për politikën shqiptare, më shumë sesa ata që kanë kryer vepër penale dhe janë dënuar për këtë, problem mbeten ata që nuk janë dënuar për veprat e kryera.
“Rekordet kriminale është një definicion që duhet rregulluar me ligj. Por problemi në politikën shqiptarë nuk janë ata që kanë kryer një vepër penale dhe për atë janë dënuar dhe madje kanë ekzekutuar edhe dënimin. Problem mbeten njerëz si Ristani, Basha dhe të tjerë që kanë kryer vepra penale, janë të vetëdijshëm, por që nuk i kanë ekzekutuar këto vendime për këto vepra penale. Është çështje shumë komplekse”, tha ai.
Balla theksoi se PS ka qenë shumë e qartë për këtë çështje dhe socialistët po e çojnë atë në hullinë zyrtare të zgjedhjes përmes një procedure që do të fillojë shumë shpejt në Parlament.
Duke iu drejtuar kreut të opozitës, Balla tha se edhe ai ka një çështje të hapur me drejtësinë.
“Pse jo edhe këtu nga Korça i bëj një pyetje Lulzim Bashës: Po ti Lulzim si do ta zgjidhësh këtë problem që ke të hapur me drejtësinë, kështu që edhe ky është një proces dekriminalizimi i domosdoshëm”, tha ai.









