Nga Mero Baze
Dekreti i Presidentit Begaj për zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit, shkaktoi drama të mëdha politike më shumë sesa një dramë juridike për Bashkinë e Tiranës.
Nga pikëpamja juridike, shumica e opinionit bie dakord, që dekretimi është pasojë e një manovre ligjore për të mos iu referuar Kushtetutës por një neni që trajton sherret e të punësuarve me punësuesin. Në këtë rast punësuesi i Erion Veliaj është votuesi i Tiranës dhe ai nuk e ka pushuar nga puna. Do ta pushojë në ditën e zgjedhjeve të ardhshme, ku ai nuk është kandidat.
Kjo është dhe drama më e madhe që ka krijuar dekreti.
Partia Socialiste, në përpjekje të sforcuar për të gjetur një zgjidhje për Bashkinë e Tiranës e cila ka mbetur si mall pa zot, pati një ngutje të pakuptueshme për të pritur ndoshta edhe një apo dy muaj më shumë që ky problem të zgjidhej në rrugë kushtetuese. Nuk mendoj se pas një muaji opozita do ishte më e fortë dhe pozitat e PS në Tiranë do ishin më të rrezikuara. E vetmja gjë që mund të ndodhte një muaj më vonë, ishte që opozita do ishte në kulmin e debateve për zgjedhjen e kandidatit, i cili i ishte kthyer në torturë psikologjike.
Duke vepruar shpejt përmes kësaj manovre juridike, PS me sa duket ka dashur të krijojë një perceptim të qartë për distancimin e saj nga Erion Veliaj, me qëllim që ai të mos jetë më pjesë e debatit elektoral dhe të konsiderohet një histori e mbaruar. Kjo u duk edhe sot në Gjykatën e Lartë, kur ekzistonin gjithë mundësitë teorike që Gjykata ta nxirrte nga paraburgimi, pasi aktualisht quhet i shkarkuar dhe dosja ka shkuar për gjykim duke rënë arsyet e ndikimit të tij mbi dosjen në hetim. Edhe pse gjyqtarët janë të afërt me Partinë Socialiste, ata kanë qenë në një vijë me partinë, për ta lënë në burg. Pra i vetmi mesazh që kërkon të japë PS në këtë rast është distancimi i tyre nga Erion Veliaj për të mos e pasur si çështje nëpër këmbë gjatë fushatës.
Nga ana tjetër, drama tek opozita është edhe më e madhe. Ata, duke shpresuar se beteja mes PS dhe Erion Veliaj do vazhdonte dhe do futej në spirale të pafundme ligjore, harruan se mund të kishin zgjedhje kaq shpejt dhe tani po përpiqen të gjejnë arsyet bindëse për shkelje të Kushtetutës nga dekreti i Presidentit për të mos hyrë në zgjedhje.
Por dhe ky është një vendim i vështirë, pasi partitë e tjera opozitare mund të hyjnë në zgjedhje dhe t’i sharrrojnë një pjesë të madhe të elektoratit. Kështu që duhet të mendohet mirë. Propozimi i Ermal Hasimes nga Agron Shehaj, nuk është një ofertë që bind PD ta kandidojë, por është një sinjal frike për ta, se nëse bojkotojnë zgjedhjet, ai mund të jetë kandidati i pjesës tjetër të opozitës duke e relativizuar fuqinë e PD. Në këtë rast Hasimeja është më shumë një kandidat shantazhi mbi PD sesa një ofertë për PD që natyrisht nuk e pranon. Nëse PD arrin të pranojë Ermal Hasimen, atëherë duhet të pranojmë që diçka e rëndësishme po ndryshon tek Berisha. Por kjo është ngjarje e pamundur. Ai se ka duruar dot as gjashtë muaj në kabinet e jo ta durojë katër vjet kandidat.
Ndaj i gjithë ky tension rreth dekretit të Presidentit, ankimi i tij në Gjykatën Kushtetuese, mundësia e pezullimit nga Gjykata apo jo, nuk lidhen fare me fatin e Veliaj, por me hallin që ai u hapi me shkarkimin nga PS dhe Presidenti. Veliaj e ka rrugën e hapur që me procesin e ankimimit pas Gjykatës Kushtetuese të shkojë në Strasburg duke rishikuar edhe masën e paraburgimit, por thjesht ka lënë litarin jashtë për ata që e varrosën.











