• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, December 28, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Dekorimi i urrejtësit racist

by Rexhep Qosja
28/08/2019 17:12
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Rexhep Qosja 

“Në një moment historik, kur kral Petri, më 1913, në Deçan, e ndezi atë qiriun e madh të dylltë, të cilin, siç na mëson kujtimorja, mbretëresha Milica e la për t’iu dhuruar atij që do të hakmerret për Kosovën, serbët naivisht besuan se robërisë shekullore i erdhi fundi, se u plotësua fati i ynë dhe se rilindi mbretëria e car Dushanit. Të verbuar nga shkëlqimi i armëve tona, ata nuk kuptuan se shqiptarët e islamizuar, të rehatuar në trojet serbe, janë turq më të tmerrshëm se turqit. Duke mos pasur në çka të mbështeten, ata nuk u zhvilluan lartësueshëm, por u zgjeruan rrafshueshëm, të bindur se zgjerimi i tillë, i bërë me bindjen se të kujt janë dhentë e tij është edhe bjeshka, u jep të drejtë që të përvetësojnë tokat tona. Harruan mendjelehtë se ky “ligj natyror” nuk zbatohet në shoqërinë e qytetëruar.

Kështu një popull pakëz i njohur, pjesëtarët e të cilit kishin bisht maceje ose qeni, dhie ose kali, dhe s’e dallonin sheqerin prej borës, siç i përshkruanin dikur hulumtuesit dhe shkencëtarët gjermanë, mbasi u dëbuan turqit, “doli prej pyllit” dhe u paraqit në skenën politike botërore. Dhe, fuqitë e mëdha evropiane, duke pasur parasysh punët dhe interesat e veta, këtij populli “bishtak” i ndihmuan që të krijojë shtetin e vet.

Por, shqiptarët nuk ishin të kënaqur me këtë shtet, prandaj edhe nuk hoqën dorë prej programit kombëtar, prej projektit të quajtur “Shqipëria e Madhe”, që përfshin edhe një pjesë të madhe të hapësirës etnike serbe -gjithë vatrën tonë kosovare.

Në këtë mënyrë ky rrëfim i njohur historik u dramatizua. Dhe u ndez zjarri mes dy popujve, zjarr që, kur më i vogël e kur më i madh, po qitte flakë përgjatë një shekulli…

Para dy dhjetëvjetëshave ky zjarr mori flakë aq të madhe saqë ne u rrezikuam të digjemi në të.

Gjysma e botës iu turr Serbisë dhe në tokën tonë të shenjtë me luftë u krijua edhe një gjysmështet shqiptar..

Të bijtë e atyre shqiptarëve të vjetër, që s’kanë ardhur prej pyllit ballkanik, por prej parapyllit evropian, nuk janë të pajisur ndoshta me bisht shtaze, por me disa veçanti shtazarake…

Këta djegin e rrënojnë kisha e manastire, gropojnë zemra e u nxjerrin sy njerëzve të gjallë. Këta jo njerëz, kufomavjedhës, i prishin varret dhe vatrat tona, i asgjësojnë rrënjët tona me qëllim që të shuajnë dhe kujtesën tonë. Këtë strategji kombëtare raciste, shqiptarët, me pajtimin e mentorëve të tyre, pa kurrfarë pengesash po e realizojnë para syve të krejt botës.

Parashteti s’do të bëhet shtet. Serbia mund të jetë e shkelur, por kurrë e mundur, thotë (thoshte) Gavrillo Principi…

Mua më lartëson Kryqi i artë i knjazit të lavdishëm, që ma dhuruat, kurse ju po përkuleni nën Kryqin e rëndë të Shpëtimtarit, në të cilin dushmanët duan t’u shqyejnë. Ju jeni vëllezërit e betimit, në ju qëndron mbretëria. Le t’ju ndihmojë i Madhi Zot!”

Ky tekst është fjalim i mbajtur në oborrin e Kishës së Graçanicës me rastin e dhënies së Çmimit “Kryqi i artë i knjaz Llazarit”, që jepet çdo vit në përkujtim të Vidovdanit – të disfatës serbe në Kosovë në vitin 1389.

Këto në të vërtetë janë disa fragmente të atij fjalimi që më 27 qershor të këtij viti i tha në oborrin e lulëzuar të Kishës mesjetare të Graçanicës, afër, shumë afër Prishtinës, poeti i shumëçmuar dhe shumë herë i dekoruar në Serbi, Gojko Gjogo.

Që e tha Gojko Gjogo këtë fjalim me përmbajtje nacionaliste, raciste, shoviniste kundërshqiptare, që e tregojnë fragmentet që po ua paraqes këtu lexuesve shqiptarë, nuk është gjë e çuditshme: fjalimet, shkrimet, deklaratat, veprat letrare, veprat historike, veprat publicistike me përmbajtje të tillë, me politikë e ideologji të tillë, raciste, shoviniste, fyese ndaj shqiptarëve kanë një traditë më tepër se 150 vjeçare në jetën e në kulturën serbe. E çuditshme është se këtë fjalim ai e tha në Graçanicë, në Kishën e lavdishme të Graçanicës! E çuditshme është që këtë fjalim e tha Gojko Gjogo në Graçanicë ku, krahas disa institucioneve shtetërore serbe të Serbisë, funksionojnë edhe disa institucione shtetërore të Kosovës!

Dhe, më tej, e çuditshme është se këtë fjalim Gojko Gjogo e mbajti më 27 qershor, dy ditë para tubimit të një numri të dukshëm serbësh te monumenti i Trimave serbë në Gazimestan dhe e mbajti si parafjalë të fjalëve politike, nacionaliste, që do të dëgjohen në atë tubim, me të cilin u shënua 630 vjetori i ngritjes serbe në nivelin e popullit qiellor pas disfatës së knjaz Llazarit në ballafaqimin luftarak me sulltan Muratin.

E shpreh çuditjen time pse fjalimi në fjalë u mbajt ku u mbajt dhe kur u mbajt dhe pse u mbajt jo pse me këtë çuditje do të shprehja kërkesën për ndalimin e atij fjalimi. Jo. Jo. Kam qenë, jam e do të jem gjithmonë kundër ndalimeve e kufizimeve të mendimit e të shprehje së lirë, qoftë edhe si ato të Gojko Gjokos në Graçanicë më 27.6.2019 dhe jo vetëm në Graçanicë, po edhe kudo tjetër, madje edhe në Qeverinë e Kosovës, pa qenë të ndëshkuara siç ndodhi në Qeverinë tonë ku për paraqitje çështë e vërteta të padrejta mospajtuese me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës u ndëshkuan me shkarkim prej kësaj qeverie dy ministra serbë!

Por, shpreha çuditjen time me atë fjalim për një arsye tjetër: për arsye se Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Kryesia e Kosovës, me gjithë numrin gati kinez, gati rus, gati indian a brazilian të këshilltarëve e informuesve të tjerë të tyre, si duket, s’morën vesh asgjë kur duhej për atë fjalim, nuk e lexuan kur duhej të lexohej megjithëse ai u botua në disa revista e gazeta serbe, megjithëse ai u pa e u lexua në disa ambasada në Prishtinë e shumë kund tjetër!

Dhe, e shpreha çuditjen time me atë fjalim që shpreh politikën dhe ideologjinë e djeshme e të sotme të Serbisë ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve, ndaj Shqipërisë pse institucionet shtetërore të Kosovës nuk e quajtën të nevojshme që t’i thonë kur duhej ndonjë këshilltari, shkrimtari, mercenari – akademik të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të ASHAK-ut të tyre a ndonjë mercenari kryetar nga ata tre kryetarët e ASHAK-ut që qe 25 vjet e përdorin si shtëpi private atë ASHAK të shkretë, që të shprehë mospajtimin e shtetit të Kosovës me përdorimin e Kishës së Graçanicës e të Komunës së Graçanicës si tribunë raciste, shoviniste dhe fyese ndaj Kombit shqiptar.

Por, por nuk kanë kohë për mospajtim të tillë as sundimtarët e as mercenarët e tyre. Janë të zënë me punë më të frytshme për veten e tyre e më të mjerueshme për vetë Kosovën!

Janë të zënë sundimtarët tanë dhe çerekakademikët e tyre të mercenarizuar me pajtimin që t’i dhurohen Malit të Zi disa mija hektarë tokë me rëndësi ekonomike e gjeostrategjike, por, por jo edhe me mospajtimin me sovranitetin shtetëror serb të komunës së Graçanicës e të Kishës së Graçanicës në shtetin e Kosovës! /l.m

Next Post
“Sheshi ’Skënderbej’, një nga më të preferuarit në botë”, komenti i djalit të Soros

“Sheshi ’Skënderbej’, një nga më të preferuarit në botë”, komenti i djalit të Soros

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Rusia e miliarderëve, oligarkët në shërbim të luftës dhe Putinit

Rusia e miliarderëve, oligarkët në shërbim të luftës dhe Putinit

December 28, 2025
Trump vendos vijat e kuqe: Asgjë për Ukrainën pa miratimin tim

Trump vendos vijat e kuqe: Asgjë për Ukrainën pa miratimin tim

December 28, 2025
Nga Pepe te protestat anti-ICE, si u shndërrua bretkosa meme e ekstremit të djathtë kundër Trump

Nga Pepe te protestat anti-ICE, si u shndërrua bretkosa meme e ekstremit të djathtë kundër Trump

December 28, 2025
Shkelje me lejet mjedisore në Fier, 7 zyrtarë në gjyq

Shkelje me lejet mjedisore në Fier, 7 zyrtarë në gjyq

December 28, 2025
Lamtumirë Brigitte Bardot! Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare ylli i filmave të viteve ‘50-‘60

Lamtumirë Brigitte Bardot! Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare ylli i filmave të viteve ‘50-‘60

December 28, 2025
I gjendet kanabis dhe municion luftarak në banesë, arrestohet 42-vjeçari në Vaun e Dejës

I gjendet kanabis dhe municion luftarak në banesë, arrestohet 42-vjeçari në Vaun e Dejës

December 28, 2025
Kurti pas balotazhit: S’na ndali dot as bashkimi i gjithë kundërshtarëve… Qeverisim në 7 komuna

Politico, ‘shuplakë’ Albin Kurtit: Është një populist që e ka izoluar Kosovën!

December 28, 2025
Takim me “bluzat e bardha”, Rama: Të vlerësohet puna e mjekëve, rasti  i Onkologjikut na e uli kokën të gjithëve

Rama: Shqipëria e transformimit dhe drejtësisë, nuk do të ndalet nga histeritë politike dhe mediatike

December 28, 2025
Hamza voton dhe fton qytetarët: Të vendosim së bashku për katër vitet e ardhshme

Hamza voton dhe fton qytetarët: Të vendosim së bashku për katër vitet e ardhshme

December 28, 2025
Kurti voton në Prishtinë: Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive

Kurti voton në Prishtinë: Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive

December 28, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com