Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 30 ditë nga parlamenti të Sali Berishës. Shkak sipas kreut të grupit parlamentar të socialistëve u bënë deklaratat e kreut të demokratëve ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzatos.
“Zoti kryetar i parlamentit i jemi drejtuar Komisionit të Etikës për të kërkuar përjashtimin për 30 ditë të deputetit Sali Berisha”, tha Taulant Balla.
Kryetari i PD-së mohoi akuzat dhe tha se nuk ka bërë asnjë fyerje dhe ka shprehur mendimin dhe bindjet e tij.
“Kam kërkuar nga ky parlament dhe jashtë këtij parlamenti nga ambasadori të na tregojë cilën direktivë sepse ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Cila direktivë e BE-së përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore?”, tha Berisha.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkroi Marta Kos.
Duke shpërndarë postimin e komisioneres Marta Kos, Rama deklaron se ligji është keqinterpretuar shumë nga disa palë. Ai tha se ligji për barazinë gjinore është tërësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Europian. Rama kërkoi ndjesë sesi u përdor ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Gonzato.
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese me të cilën një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët. Megjithatë, siç themi në shqip, le të lehin qentë, karvani ecën përpara”, shkroi kreu i qeverisë.











