Nga Mimoza Dervishi
Në fillim të sezonit të ri politik. (mediatik), është i pashmangshëm reflektimi për sezonin e shkuar, qoftë dhe për të kuptuar ku jemi dhe si erdhëm deri këtu. Kush ishin fituesit dhe humbësit, kush ishin viktimat dhe viktimizuesi? Sezoni politik që shkoi, u shënjua nga një krizë e gjatë, e sajuar nga opozita, e cila e pa veten të pafuqishme për të ardhur shpejt në pushtet. e si rrjedhojë tentoi të nxirrte nga shinat sistemin demokratik, akoma të brishte në një Shqipëri tranzicioni qysh prej vitit1991. Nuk ja doli. Edhe pse me një palë zgjedhje jo të zakonshme, procesi demokratik mbijetoi dhe humbi precedenti i rrëzimit të pushtetit nga rruga. Nuk ka viktima nga politikanët e të gjitha palëve. Ata sic e shihni, janë po aty, duke bërë po të njejtën gjë, duke mos marrë asnjë përgjegjësi, të asnjë lloji, nga asnjë krah.
Ka një viktimë reale: është ligjërimi publik i cili degradoi si kurrë më parë, nga salla e parlamentit në studiot televizive, faqe gazetash e portalesh. Viktimizuesit janë të të gjitha llojeve: politikanë, gazetarë, analistë, akademikë, artistë, intelektualë, njerëz me një zë publik, të cilët platformat që u janë besuar, i shpërdoruan në ekstrem, në kurriz të komunikimit standard, normal, civil.
Sa herë Co-kryetarja e LSI-së hap gojën, duket sikur Civilizimit, nga casti në cast po i vjen fundi. Shprehjet me kufoma që do tërhiqeshin zvarrë, të vdekur ose të gjallë, kartelat psikiatrike, fjalori i mbidozuar me lloje dhe zhargone droge, krijuan një abjent tejet vulgar, që jo vetëm bëri pis komunikimin publik, por tërhoqi pas vetes kë mundi, në një garë skicofrenike se kush shthur gojën më shumë. A e beri banaliteti, argumentin më to forte? Absolutisht jo! As, edhe kur u kordinua me heqjen e cizmes!
Fjala, ajo e thënë, ose në këtë rast e bërtitur/lebetitur, u dëmtua rëndë. Eshtë e trishtueshme, që nuk gëzojmë dot faktin, që pas kaq e kaq vitesh kemi një kryetare partie femër, pa patur rëndësi se cila është ajo parti dhe c’përqasje ideologjike ka, nëse ka një të tillë. Thjesht fakti, që një parti politike shqiptare drejtohet nga një grua, duhet të ishte një lajm i mirë. Ashtu sikur për gruan në fjalë, duhet të ishte një përgjegjësi e madhe, jo vetëm ndaj vetes, por ndaj grave dhe shoqërisë shqiptare, (tejet maskuline dhe ende abusive me gratë). Ky është pikërisht një rast i humbur. Kryemadhi, është kryekeput, gruaja e gabuar. Por për tu kthyer tek degradimi i ligjërimit publik, të gjithë jemi dëshmitare që nuk nisi sezonin e kaluar. Sezonin e kaluar degradimi preku fundin, dhe ajo i vuri gjoksin, shthurjes së gojës, duke u shndërruar kështu në modelin më banal të mundshëm të gruas shqiptare në politikë.
Rastësisht apo jo, një grua tjetër në politikë të vjen në mendje. Noshta sepse gratë i kemi të pakta, ndoshta sepse prej tyre presim më shumë, ose, ose, sepse gratë në majat politike i kemi edhe më të pakta. Jozefina Topalli, vite më parë e drejtoi në mënyrë mllefosëse parlamentin e Shqipërisë. Urrejtja e saj patologjike ndaj të majtës shqiptare, nuk e lejoi të ngrihej dot në nivelin e karriges ku ishte ulur. Fakti që është një ish e persekutuar e regjimit komunist, nuk e justifikonte dot banalitetin e veshur me zhele dhe plumba ballit, por gjithësesi eshtë një arsye emocionale, që ish kreytarja e kuvendit nuk e mbante dot nën kontroll. Kaq për gratë që patën mundësi të ndryshojnë klimën politike në Shqipëri e bashkë me të edhe ligjërimin publik. Nuk ja dolën dhe c’është më e keqja, i dhanë një dorë drejt greminës. Burrat pastaj, janë të panumurt, dhe arsyet, edhe më të panumërta. Babëzia për pushtet, vetëdija për pafuqinë për të ardhur në pushtet, skicofrenia për të ruajtur pasurinë e vjedhur me cdo cmim. frika nga drejtësia e re, jane vetëm disa.
Arsyet e banalitetit të Sali Berishës përshembull, nuk kanë lidhje me ato të Jozefina Topallit. Ai nuk ështe një ish i përndjekur, por një ish komunist. Nuk është një ish i persekutuar, por një ish i përkëdhelur i bllokut. Disa nga arsyet e tij, janë edhe ato gruas së LSI-së. Por ai ka dhe të vetat, si mplakja, frrikerat e testamentit politik që do lërë pas bashkangjitur me frikën që, s’ka moshë për burg. Njihet botërisht si shkon trajektorja e burrave të plakur të politikës. Bëhen më të pjekur, u dëgjohet fjala rrallë e për mall, u vihet veshi me kureshtje, u peshohet cdo gërmë, u merret mendja sa herë ka kriza, shërbejnë si negociatorë, stabilizues, qetësues të mendjeve dhe shpirtarve të trazuar, kthehen dalëndgadalë në baballarë kombesh. Fatkeqësisht, shqiptarët edhe këtu janë pa fat. Sali Berisha sot mishëron të kundërtën e të gjithave sa u thanë më sipër. Mesaduket, noti dixhital, nuk është një sport i rekomandueshëm për moshat e thyera. Por përtej demit personal, demi publik që shkakton dikush, që ka një tufë ndjekësish nga pas, që ka një megafon në dorë dhe një dritare komunikimi me publikun, është disafish më i madh. A i ka dhënë banaliteti më shumë forcë argumentave të Sali Berishës. Përgjigja është sërisht jo. Fakti është, që ai nuk ka më argumenta. Në këtë fazë të jetës, ka vetëm banalitet. Banalitet që ka marrë dhenë dhe fatkeqësisht media, kështjella e fjalës së shkruar dhe vizive, është nënshtruar pa kushte. Jo sepse transmeton apo boton cdo brockull pa filtra (kjo është temë tjetër), por sepse ka adaptuar gjuhën vulgare, që nuk ka asnjë lidhje me normat dhe rregullat bazike të komunikimit publik. Mediumet, sidomos ato publike, ashtu si politikanët, nuk perfaqësojne thjesht veten. Pergjegjësia e informimit, argëtimit dhe edukimit, është e njejtë dhe e pandryshuar që kur u shpik gazetaria. Nuk gjen sot asnjë emision politik shqiptar, që të shkojë paqësisht deri në fund. Gjithë sezoni i shkuar u mbush me fyerje dhe sharje banale, që nuk i linin kohë njëra tjetrës, si një semundje ngjitëse, ku edhe burra me thinja, veshur nën kostume serioze, lëshonin gojën sikur të ishin në bordello. Befas i dhane të gjithë leje vetes të përdornin fjalë të pahijshme. Sigurisht që poltikanet, analistet, gazetarët dhë gjithë njerëzit publikë, janë qenie njerëzore si gjithë vdekatarët, dhe ka raste që mund tu shpëtoje një fjalë e padenjë, e patolerueshme për ligjërimin publik. Kërkohet ndjesë dhe mundohesh të jesh i kujdesshëm herës tjetër. C’u bë me këtë rregull? Ku shkuan gjithë rregullat që shoqëria bashkarisht i ka vendosur dhe kolektivish i zbaton për të mos u kthyer në kopsht zoologjik. Ku shkoi përgjegjësia ndaj publikut e sidomos brezit që po rritet?
Dhe ashtu sic rendom ndodh, dorë për dorë me degradimin leksikor, erdhi edhe ai mendor. Komunikimi publik bëhet mes individesh dhe grupesh të caktuar, që shkëmbejnë ide dhe japin mesazhe për një audience të caktuar. Roli i medias është të percjellë cfarë thonë politikanët, edhe kur këta kanë humbur normat. Asgjë të keqe deri këtu. Por kurrësesi nuk i lejohet medias të imitoje dhe të bëjë egzaktësisht të njejtën gjë si politikanët, të shndërrohet në përcuese, nxitëse dhe në disa raste edhe iniciatore e ideve degraduese, keqdashëse dhe luftënxitëse. U vu re një ngazëllim absurd mediatik, kur lufta imagjinare po afronte. Shprehjet se do ketë gjak dhe të vrarë u bënë të përditshme dhe normale. Politikanët nuk u vunë kurre para përgjegjësisë për fjalet që nxorrën nga goja, për pasojat e përhapjes së urrejtjes dhe klimës destabilizuese në vend, për friken dhe pasigurinë, për dëmin moral dhe material që po i shkaktonin vendit. Dhe jo vetëm kaq, por ishin analistë dhe drejtues emisionesh, të cilët e cuan më tej dëshirën për luftë të një grupi të vogël politikanësh prej 4 vetash. Fillimisht, harruan të tregojnë motivet e vërteta pse atyre u interesonte rremuja, harruan tu kujtojne të kaluaren e errët me votat dhe korrupsion galopant, harruan tu tregojnë njerëzve se arsyet e këtij grupimi janë thjesht personale dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me patriotizmin, atdhedashurinë apo mirëqenjen e shoqërise. Faktet per të ilustruar këtë argument janë pafund, mu para syve të të gjithëve. Harresa ja la vendin ngazëllimit dhe ngazëllimi më pas ja la vendin nxitjes për luftë nga vetë analistët. Sikur kjo luftë do të ndodhte në një shtet pa lidhje, as gjeografike me Shqipërinë, apo në ndonjë planet të largët dhe shqiptarët do ishin thjesht spekatorët që do ta shijonin me teleskop. Ndjeshmëria dhe përgjegjësia e njerëzve publike arriti pikën zero.
Po, Shqipëria ka kalur në fakt ditë të zeza. Por, kurrë komunikimi nuk ka rënë kaq poshtë, as kur opozita gjakosej dhe i thyheshin dhëmbët shesheve, ditën për dielll, as kur gazetat digjeshin dhe gazetarët futeshin në burg, as kur votat vidheshin sheshit dhe pastaj edhe digjeshin lumenjve. Parlamenti ishte parlament, gazeta ishte gazetë, televizioni ishte televizion dhe qebabtorja, tjajtohej si qebabtore.
Shqiperia e vitit 2019 nuk është ajo e 1997-ës, ‘98-ës apo ajo e 21 Janarit to 2011-ës. Futja në shina e sistemit të drejtësisë, që duhet të kishte ndodhur 20 e kusur vjet më parë, i jep Asaj shpresë të futet në rradhën e vendeve me demokraci të konsoliduar. Për këtë arsye, Shqipëria ka shansin të futet në prag të ditëve të saj më të mira. Për të njejtën arsye, ligjërimi publik është në ditët e tij më të këqija. Jo si një paradoks, por si një cmim i ndryshimit.