Për shkak se nuk janë të organizuar, për shkak se nuk funksionojnë si komunitet, për shkak se ende lejojnë të trajtohen vetëm si «fuqi muskuloze» dhe jo si qytetarë me të drejta të plota, për shkak se më shumë u pëlqen të kafshojnë çdo njeri të suksesshëm të komunitetit të tyre. Ndërkohë fushata e politikanëve të djathtë dhe e disa mediave kundër shqiptarëve po merr hov.
Nga Enver Robelli
Kush dëshiron të luajë për Zvicrën duhet të heq dorë nga pasaporta e vendit të origjinës. Ky është propozimi i sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Zvicrës. Mungon vetëm edhe kërkesa që futbollistëve si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e të tjerë t’u amputohen edhe zemrat e reja, pastaj të dërgohen në kurse për t’i rënë fyellit alpin zviceran, Alphornit të famshëm. Funksionari i Federatës së Futbollit kërcënon se nëse talentet e futbollit në të ardhmen nuk heqin dorë nga shtetësia e dyfishtë, atëherë nuk do të pranohen në shkollat dhe akademitë zvicerane të futbollit. Sepse, kështu vazhdon funksionari, Zvicra nuk dëshiron të investojë në futbollistë të cilët pastaj në moshën 21-vjeçare thonë: ditën e mirë, tani dua të luajë për Kroacinë, Bosnjën, Kosovën apo ndonjë vend afrikan.
Ligji zviceran nuk e ndalon shumështetësinë. Çdo i katërti zviceran ka dy apo më shumë shtetësi, në botën e globalizuar kjo është pothuaj e pamundshme të pengohet. Mbi një e treta e banorëve të Zvicrës kanë origjinë të huaj. Sportisti më i famshëm zviceran i të gjitha kohërave, Roger Federer, është shtetas i dyfishtë.
Propozimi që futbollistët e kombëtares zvicerane në të ardhmen të heqin dorë nga shtetësia e vendit prejardhës, vjen pas gjestit me shqiponjë të Xhakës dhe Shaqirit. Është një sulm frontal kundër tyre. E udhës do të ishte që të dy futbollistët tani të deklaroheshin rreth kësaj çështjeje. Për këtë do të duhej të kishin këshilltarë që e njohin situatën politike e shoqërore në Zvicër dhe historinë bashkëkohore të Kosovës dhe luftërave në Ballkan. Reagimi do të mund të bëhej në formë të një letre publike dërguar opinionit zviceran. Por, kjo kërkon pak më shumë përkushtim se sa dërgimi i letrave opinionit shqiptar, siç bënte Xhaka para disa vitesh për të dëshmuar patriotizmin e tij.
Ndoshta heshtja e futbollistëve nuk është ndonjë befasi e madhe, por përse heshtin pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Zvicër? Heshtin për shkak se nuk janë të organizuar, për shkak se nuk funksionojnë si komunitet, për shkak se ende lejojnë të trajtohen vetëm si «fuqi muskuloze» dhe jo si qytetarë me të drejta të plota, për shkak se më shumë u pëlqen të kafshojnë çdo njeri të suksesshëm të komunitetit të tyre. Me bejtexhinj digjitalë që edhe pas tri dekadash në Zvicër nuk dinë të flasin asnjë gjuhë të Zvicrës, nuk shkohet përpara. Ndërkohë fushata e politikanëve të djathtë dhe e disa mediave kundër shqiptarëve po merr hov.
Javën që shkoi revista «Weltwoche» në një numër botoi 11 (!) artikuj në lidhje me shqiponjën. Të gjithë kundër. Në numrin më të ri kjo revistë shkruan se në Ballkan të gjithë kanë qenë viktima dhe të gjithë kanë qenë doras. Ja, pra, kaq e thjeshtë është historia e Ballkanit, serbi vret shqiptarin, shqiptari serbin, boshnjaku vritet nga serbi, pastaj vijnë ca boshnjakë të tjerë vrasin serbët, kroati urren serbin po aq sa serbi urren kroatin. Një tollovi. «Imazhi publik i luftërave në ish-Jugosllavi dhe proceset në Hagë, së fundi gjykimi i Ratko Mlladiqit, përforcuan imazhin e serbëve të këqij», shkruan autori, i cili është edhe deputet i Parlamentit. Sipas tij në Kosovë ka vetëm edhe pak pakica serbe të shpërndara në brendi të vendit, ku nga viti 1999 një trupë multinacionale kujdeset për siguri dhe stabilitet, ajo ruan manastiret e fundit serbe në Kosovë, më parë ekstremistët shqiptarë shkatërruan 150 objekte sakrale. «Gjithsej rreth 200 mijë njerëz, kryesisht serbë, u detyruan të braktisin vendlindjen», shkruan autori. Në fillim të viteve ’90 në Kosovë kanë jetuar më pak se 200 mijë serbë. Nëse janë larguar shumica prej tyre, siç pretendon revista e djathtë zvicerane, atëherë si është e mundur që në Kosovë të jetojnë ende së paku 120 mijë serbë? Po, shqiptarët, ajo pjesa e huliganëve folklorikë, kanë shkatërruar kisha serbe, kanë djegur shtëpi e plaçkitur prona të pakicave, kjo nuk mund të mohohet, por ku është kundërrrëfimi kosovar? 120 mijë shtëpi të djegura e shkatërruara. Mijëra civilë të vrarë. Pajisja e njerëzve në Prishtinë me kartona të gjelbër gjatë luftës, një lloj aksioni si etiketimi i hebrenjve me Yllin e Davidit gjatë Luftës së Dytë Botërore. (Këtu edhe Zvicra ka çka tregon: gjatë Luftës së Dytë në pasaporta të hebrenjve vulosej shkronja «J» për «Jude»). Kundërrrëfimi shqiptar nuk ekziston, së paku nga komuniteti shqiptar në Zvicër.
Faktet për Ballkanin përpiqen t’i prezantojnë mediat serioze të këtij vendi («Neue Zürcher Zeitung» dhe «Tages Anzeiger») dhe politikanët kryesisht të majtë, të Partisë Socialdemokrate. Pas propozimit të Federatës së Futbollit për përjashtimin e lojtarëve me shtetësi të dyfishtë deputeti Cédric Wermuth tha se ky është një «debat absurd», një «provokim i pastër politik», një përpjekje për të hapur hendeqe, të cilat nuk ekzistojnë. Ministrja e Drejtësisë e kantonit të Zürichut, Jacqueline Fehr, shkroi në Twitter: «Lamtumirë futboll zviceran». Ajo u bëri thirrje futbollistëve të futen në grevë. Wermuth përdori edhe ironinë: «I dëshiroj Alex Miescher (sekretarit të Federatës së Futbollit) dhe Federatës së Futbollit shërim të shpejtë dhe shpresoj që këtë ta kalojnë shpejt. Me gjasë gjatë fluturimit në shtëpi dikush e ka goditur fort kokën në avion. Tani me rëndësi është të pushoni në shtrat – QETËSI».
Përndryshe në shkrimin e «Weltwoche» për të treguar se serbët dhe shqiptarët janë diqysh të njëjtë, një zviceran me origjinë serbe shpjegon se edhe shnicla Karagjorgje dhe ajo Skënderbeu janë të njëjta. Po ky bashkëbisedues thotë se Kosova është territori etnikisht më i pastër i ish-Jugosllavisë, «atje bashkëjetesa praktikisht nuk është e nevojshme». Kush e di se vetëm Anamorava ka dhjetëra fshatra serbe, lehtë mund ta demantojë këtë propagandë, pa folur këtu për veriun gati homogjen serb dhe fshatrat përreth Prishtinës, Shtërpcën etj., të cilat nuk janë më enklava. Bashkëbiseduesi me origjinë serbe i «Weltwoche» thotë se bërja e shqiponjës është gjest «shqiptaro-nacionalist». Ai përkujton se para disa vitesh disa rekurtë zviceranë me origjinë shqiptare qenë gjobitur për shkak se kishin bërë shqiponjën ndërsa bartnin uniforma të ushtrisë së Zvicrës.
Si atëherë edhe sot komuniteti shqiptar hesht. Nuk mund të pritet ndoshta më shumë nga një vend si Kosova, i cili në Zvicër dërgon diplomatë që punën e parë që e bëjnë është të kujdesen që në një përfaqësi diplomatike të mos funksionojnë kamerat. Pastaj aty futen hajnat (apo vetë ndonjë diplomat), vjedhin çfarë gjejnë, mes tyre edhe pasaporta. Një vend që përfaqësohet nga aktivistë e aktiviste partiake dhe jo nga profesionistë mbipartiakë. Të tillë mund të gjenden në Prishtinë, nëse ka vullnet politik. Privatizimi i çdo segmenti shtetëror për interesa nepotiste këtë çmim ka: një shoqëri shndërrohet në memece, kur FIFA, Federata të tjera të futbollit dhe media agresive përpiqen ta shpallin një simbol kombëtar si nacionalist. Çfarë u mbetet, si masë e fundit Shaqirit, Xhakës dhe të tjerëve? Një kërcënim me dorëheqje nga kombëtarja zvicerane. Ata janë produkt i Zvicrës, këtu kanë përfituar nga infrastruktura sportive, por edhe më këtë nuk duhet tepruar: fundja ata këtë sukses e kanë arritur me talentin e tyre, me përkushtimin e tyre, me sakrificën e tyre. Dhe nëse Zvicra nuk është e gatshme ta pranojë këtë, le të vendosin një rregull: për këtë vend guxon të luajë vetëm ai që ka ardhur këtu para një shekulli. Ndoshta zgjidhja më e mirë do të ishte që në kualifikimet për Kampionatin Europian për kombëtaren e Zivcrës të luajë redaksia e «Weltwoche». Atëherë Zvicra do të arrijë sukses të madh.