Nga Kristaq Sini/
Publikimet mbi futjen e tërshërës në dietën e fëmijëve të moshës 8 muajsh kanë marrë javët e fundit nuanca mjaft kategorike, me opinione që kundërshtojnë tërësisht njëri tjetrin. Shkurtimisht, debatuesit dhe opinionet e tyre do mund të ndaheshin në dy “kampe”: “të bindurit”: tërshëra nuk ka asnjë efekt negativ tek fëmijët, pavarësisht nga mosha. Këtë e ka provuar shkenca! Aplikimi i dietës të bëhet mbi të tërë fëmijët duke filluar nga mosha 8 muajsh.
“Skeptikët”: jo të gjithë fëmijët dhe jo të gjitha moshat e tolerojnë ushqimin me tërshërë. Këtë e ka provuar shkenca! Këtë e vërtetojnë edhe plot prindër, fëmijët e të cilëve kanë manifestuar simptoma anormale dhe shqetësuese të lidhura me përdorimin e tërshërës. Aplikimi i dietës të bëhet me kujdes dhe të përshtatet sipas rastit.
Të dy “kampet” tundin flamurin e shkencës! Kë të besojmë?
Le ta fillojme me « skeptikët »: cilat jane argumentat e tyre dhe mbi cfarë baze mbështeten ato? Ja se çfarë munda të gjej në artikujt e « skeptikëve »: (i) referenca lehtësisht të vërtetueshme (http://www.balcanweb.com/site/a-eshte-tershera-ushqimi-magjik-ne-femijerine-e-hershme/) që mbështeten në statistika zyrtare, (ii) analiza të mbështetura në bagazhin e mirënjohur shkencor apo në experiencën mjekësore të figurave të shquara të shkencës shqiptare apo boterore, (iii) analiza të mbështetura në fakte dhe në parimet bazë të shkencës (https://www.javanews.al/si-duhen-ushqyer-femijet/) (iiii) si dhe mbështetje në sinjalizime të mjaft prindërve për çfaqje çrregullimesh shëndetësore në fëmijët e tyre, dhe që përkojnë plotësisht me futjen e dietës me tërshërë në ushqimin e çerdheve dhe kopshteve.
Kushdo që do lexojë paragrafin e mësipërm, me të drejtë do pyeste: vetem kaq? A ka prova shkencore që një pjesë e fëmijëve nuk e suportojne dietën me tërshërë? Pergjigja ndaj këtyre pyetjeve është fare e thjeshte: PO, prova e pare shkencore eshte vrojtimi “ne terren”, dmth sinjalizimet nga prindërit apo nga mjekë të ndryshëm për manifestime jo normale të mjaft fëmijëve.
Për më tepër, këtyre vrojtimeve i vijnë në mbështetje edhe diskutime apo parashikime shkencore të mbështetura në fakte dhe llogjikë shkencore (shiko ne vazhdim referencen 1 të paraqitur nga “të bindurit”), dhe që theksojnë mundësine që reagimet shëndetësore të individëve të ndryshëm të devijojnë nga reagimet shëndetësore të një shumice të popullsisë.
A duhet të injorohen sinjalizimet e prindërve dhe të mos konsiderohen me seriozitetin që meritojnë, vetëm sepse në Shqipëri, për fat të keq, nuk ka statistika zyrtare me shifra dhe përqindje te sakta? A mund të eliminohen me shkop magjik argumentat “cilesore” të mbeshtetura në parimet bazë të shkencës? Sigurisht, përgjigja e çdokujt ndaj këtyre pyetjeve do te ishte “JO”, për më tepër kur bëhet fjalë për fëmijë të moshës 8 muaj.
Po përse atëherë “të bindurit” janë kaq të sigurt për përdorimin e tërshërës pa asnjë rrezik që në muajin e 8-të të foshnjeve? Me këtë pyetje në mendje, “gërmova” në artikuj të shkruar nga persona “të bindur”, dhe gjeta faqe të tëra me shifra dhe emra institutesh apo profesorësh, që vinin në dukje vlerat e mira ushqimore të tërshërës në përgjithësi, por që ishin të mbështetura vetëm me tri referenca: dy referenca për artikuj shkencorë dhe një reference drejt një faqe interneti.
Duke menduar që këto referenca duhet (sikundër e kërkon llogjika) të ishin përfaqësueset më serioze ndërmjet “qindra artikuj, faqe studimesh e referencash” në mbështetje të tezës së “të bindurve”, i lexova ato me shumë vëmendje. Këtu më poshtë po përshkruaj fare shkurtimisht esencën e vrojtimeve të mia në lidhje me to:
Referenca 1:
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC1774046/
Bëhet fjalë për një studim të vitit 2002 në Suedi, mbi 116 fëmijë të moshës 8 muaj deri 17.5 vjeç, në lidhje me intolerancën ndaj glutenit, gjysma e të cilëve ishin ushqyer me tërshërë (+ ushqime shtesë pa gluten).
Nga 116 fëmijët, 32 ishin nën 2 vjeç, prej të cilëve vetëm 19 bënin pjesë tek grupi i ushqyer me tërshërë. Nga të 19 fëmijët 0.8-2 vjeç, 4 fëmijë (dmth 21% e tyre) u përjashtuan nga studimi pak kohë pas fillimit të trajtimit, sepse, sipas autorëve: “…..ndoshta fëmijët e vegjël nuk e tolerojnë tërshërën në dietën e tyre…….. e lidhur kjo me …. përmbajtjen e lartë në fibra…..”
Në pamundësi të përsëris këtu rekomandimet e këtij artikulli, për të treguar kujdes të madh në nxjerrjen konkluzioneve, do desha të veçoja prej tij 4 aspekte:
numri shumë i pakët i fëmijëve të ushqyer me tërshërë (vetë 19 !!!),
përqindja e lartë e fëmijëve që nuk e toleruan dietën me tërshërë (16-21%),
për eksperimentin është marrë LEJE nga organizmat përgjegjëse dhe firmat NGA PRINDERIT.
Eksperimentet janë ndjekur nga disa laboratorë dhe klinika pediatrike
Referenca 2:
https://waset.org/publications/1277/the-effect-of-a-nutrient-fortified-oat-drink-on-iron-zinc-vitamin-a-and-vitamin-c-status-among-filipino-children
Bëhet fjalë për një studim të vitit 2012 mbi 72 fëmijë anemikë të moshës 5-8 vjeç!!! Fëmijët ishin ndarë në dy grupe, një prej të cilëve (i përbërë nga 38 fëmijë) merrte, përveç tërshërës, edhe shtesa në hekur, zink, vitaminë C, vitaminë A. Kurse grupi i dytë merrte vetëm tërshërë. Përfundimisht, rezultatet e grupit të dytë na qenkeshin ngatërruar, kështu që studimi konkludon vetëm mbi bazën e fëmijëve të grupit të parë: tek 68% e fëmijëve që morën hekur, etj, anemia ishte ulur shumë!
Katër aspekte do veçoja nga ky studim:
mosha (relativisht) e madhe 5-8 vjeç e fëmijëve të studjuar,
studimi analizon efektin e hekurit, etj, dhe jo të tërshërës,
për eksperimentin është marrë LEJE nga organizmat përgjegjëse dhe firmat NGA PRINDERIT.
Eksperimentet janë ndjekur nga laboratorë dhe klinika pediatrike
Referenca 3:
https://www.nutraingredients.com/Article/2002/07/23/Getting-their-oats-helps-kids-perform-better
Eshtë një faqe interneti ku relatohet një studim i vitit 2002, mbi 30 fëmijë (në këtë faqe interneti, numri i fëmijëve nuk del i saktë) të moshës 6-11 vjeç!!! Eksperimenti konsiston në krahasimin e kapacitetit mendor të të njëjtëve fëmijë në dy situata të ndryshme: kur shkojnë në shkollë pa ngrënë mëngjes (!!!) dhe kur kanë ngrënë mëngjes.
Konkluzioni i parë: kapaciteti mendor i fëmijëve 6-11 vjeç që shkonin në shkollë pa ngrënë mëngjes ishte më i dobët se sa kur kishin ngrënë mëngjes!!!….
Konkluzioni i dytë: në krahasim me vajtjen në shkollë pa ngrënë mengjes, kapaciteti mendor i fëmijëve që hanin tërshërë rritej me 46%, kundrejt 50% të atyre që hanin cereale!
Aspekte që do veçoja nga ky studim:
Asgjë!
Realisht, referencat e lart-përmendura:
në rastin më të mirë (referenca 1) janë me vlerë shumë të pakët statistikore (19 fëmijë 0.8-2 vjeç të ushqyer me tërshërë). Duke qenë koshientë për këtë, autorët rekomandojne të bëhen studime më të plota me kohë shumë më të gjatë, si edhe për kujdes të madh në nxjerrjen konkluzioneve, sepse duhet studiuar edhe efekti shumë vjeçar i tërshërës !
ose, janë pa asnjë lidhje me temën që diskutohet (referencat 2 dhe 3: janë studime për fëmijë mbi 5 vjeç, ose për influencën e hekurit), gjë që ve në dyshim shkallën e të kuptuarit të artikujve në fjalë nga autori që i referon….
ose, në rastin më të keq, janë alarmuese: 16-21% e fëmijëve nën moshën 2 vjeç shfaqin intoleranca ndaj dietës me tërshërë (referenca 1, po të merret për bazë vlera statistikore e studimit). Po kujtoj edhe një herë: bëhet fjalë për foshnje!! dhe jo për fëmijë 5-18 vjeç. Pak do ti dukej çdo njeriu që 1 në çdo 5 fëmijë nën 2 vjeç të shfaqë intolerancë ndaj tërshërës?
Çuditërisht, në vend që të zbehin skepticizmin e “skeptikëve”, këto studime shkencore të paraqitura nga të “bindurit” vërtetojnë se sinjalizimet mbi shqetësimet shëndetësore të lidhura me futjen e tërshërës në dietën e fëmijëve që në moshen 8 muajsh kanë bazë reale, të provuara nga shkenca, dhe nuk vijne nga prindër “inatçorë politikë”.
Mund të konkludohet lehtësisht, që këto tri referenca janë përdorur keq, ose për shkak të moskuptimit të artikujve në fjalë, ose për shkak të vënies së një filtri personal në interpretimin e tyre dhe injorimit të rezultateve që nuk përshtaten me opinionet personale.
Si përfundim do thoja që:
debati për futjen e tërshërës në dietën e fëmijëve është më shumë shkencor se social. Në shkencë nuk avancohet me empirizëm, as me sharlatanizëm, as me nxitim, as me filtër personal, as me spekullim. Kur bëhet fjalë për shëndetin në përgjithësi dhe për atë të foshnjeve në veçanti, konkluzionet dhe rekomandimet e studimeve nuk duhet të bazohen mbi shifrat e rezultateve pozitive, por mbi ato negative, aq më tepër kur ato janë alarmuese. Askush nuk do ndjehej i lumtur të shihte 80 fëmijë të përfitonin nga të mirat e dietës me tërshërë, ndërkohë që 20 fëmijë të tjerë do vuanin nga kjo dietë.
Sigurisht që përqindja e vërtetë e foshnjeve që prezantojnë intoleranca ndaj tërshërës nuk mund të bazohet mbi një studim të vetëm sikundër referenca 1 këtu më sipër, sado serioz të jetë ai studim. Megjithatë, studime të tilla nuk mund dhe nuk duhet të injorohen.
Kjo do të thotë që, dieta për fëmijët e çerdheve-kopshteve, nuk duhet zbatuar në mënyrë shablloniste, globale dhe me urdhër nga lart. Ajo duhet të hartohet mbi bazën e një programi EKSPERIMENTAL të detajuar me kujdes e me hollësi, me vrojtim të përditshëm mjekësor, me bashkëpunim të ngushtë me prindërit, me mbledhje efikase të informacionit prej institucioneve dhe prindërve, me marrje të shpejta vendimesh, me adaptim sipas rastit. Ky program duhet hartuar nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë (dhe jo me luftë) ndërmjet specialistëve shkencorë të shumë fushave dhe atyre të enteve përkatëse. Në këtë aksion kaq të rëndësishëm për shëndetin e brezit të ri nuk ka vend për debat të nxitur nga egoja personale.
P.s.: Çdo lexuesi do t’i bëjë përshtypje se në këtë shkrim nuk përmend asnjë emër. Nuk druhem të shënoj emrin tim, por mendoj se një emër i vetëm, çfarëdo kualifikimi të ketë, nuk mund të vendosë për mënyrën e të ushqyerit të foshnjeve dhe fëmijëve. Prandaj, edhe unë që e shkruaj jam:
“Askushi”
Mendim shum i drejt.
Na duhet shume e me shume publikime te ketyre artikujve qe ka te bej me ushqimin pergjithesi e ne vecanti per femijet.
Ju pergezoj Prof.Kristaq