Në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, po diskutohet mbi bllokimin e numërimit të votave nga Greqia. Komisionerët e Partisë Demokratike kanë kontestuar votat nga shteti helen pasi PD pretendon se nuk janë plotësuar nga votuesit, por persona të PS.
Nga ana tjetër, PS kërkon nga KAS shfuqizimin e një akti të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, që parashikon që çdo zarf nga diaspora që kontestohet, të lihet mënjanë me një kuti të posaçme. Por, PS thotë se ky akt nuk është nxjerrë në respektim të dispozitave ligjore dhe kërkon shfuqizimin e tij me qëllim që të vijohet me numërimin e votave për Greqinë. Qëndrimi i PS u dha nga përfaqësuesja Elena Xhixha.
“Akti është nuk është nxjerrë në respektim të dispozitave ligjore. Rezulton se në kreun 3 pika 2 përcaktohet, se KQZ administron, numëron çdo fletë votimi që ka hyrë në Shqipëri deri në 19:00. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë kruhet sipas përcaktimeve të këtij akti. Grupi i numërimit të votave mund të bëjë kontestime, por me fletën e votimit specifikisht. Janë parashikuar dhe rastet kur mund të këtë problematika m zarfin B, por vetë KQZ që në momentin që bën ndarjen e zarfeve, ato që kanë problematika që vërehen nga personat që kanë administruar procesin, i kanë futur në kutinë e posaçme dhe janë të gjithë zarfet B që kanë probleme.
Komisionerët në momentin që kanë marrë zarfin B, vetëm pse kanë parë se ky zarf vjen nga zarfi grek, kanë thënë e kontestojmë pa asnjë provë. Zarfet B kanë qenë në rregull dhe vetëm për hir të mungesës së vullnetit të këtyre personave kanë ngelur dhe kanë kontestuar pa asnjë arsye për t’i numëruar. Kërkojmë shfuqizimin si një akt i pavlefshëm.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD, Marash Logu tha se procesi në greqi ka pasur parregullësi dhe sipas tij është cenuar procesi. Logu tha se PD nuk do lejojë asnjë zarf me materiale zgjedhore deri në momentin që do provohet që ato zarfe janë marrë personalisht nga zgjedhësit në Greqi. Logu tha se nuk do të lejojën që të numërohen thasë të mbushur nga patronazhistët e PS.
“Në Greqi ka ndodhur një shkelje flagrante e kontratës nga operatori i shërbimit postar. Pa marrë autorizim, ndonëse në kontratë ishte ndaluar kryerja e nënkontraktimeve, ka nënkontraktuar operatorë për të bërë shpërndarjen dhe marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore. Në Greqi as nuk u kanë shkuar në shtëpi, as u kanë thënë hajdeni tërhiqni, kanë qenë vetë qytetarët që janë interesuar për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore dhe pastaj për ti kthyer. Në momentin që vjen zarfi, duhej ti dorëzohej personalisht zgjedhësit. Duhet të bëhej identifikimi i tij me dokument identiteti dhe duhej të bëhej nënshkrimi. Kjo nuk ka ndodhur. Persona të caktuar janë paraqitur dhe kanë tërhequr në mënyrë të paautorizuar me dhjetëra dhe qindra, kemi sjellë prova se si një qytetar shfaqej duke marrë jo nj, po 10 apo 30 materiale zgjedhore dhe bënte dorëzimin e tyre. Ky proces në shtetin grek, me keqardhje ka cenuar garancitë, siguritë që duhej të ofronte procesi zgjedhor. E kemi informuar KQZ në mënyrë konstante, kryeministri tha se procesi në Greqi është bërë mishmash. Është cenuar procesi. S’kemi kërkuar pavlefshmëri, s’kemi kërkuar të mos i nënshtrohen procesit të numërimit.
I kemi kontestuar për problematikat që u thamë. KQZ, mbrojtjen e të cili s’kam nevojë t’ia bëj unë, se as nuk ka nxjerrë aktin që ne kemi kërkuar. Thotë zarfi B dhe materialet zgjedhore të vendosen në kuti të veçantë, është parashikim ligjor. Kur nuk bie dakord grupi i numërimit dhe as KZAZ, kjo vendimmarrje i kalon KQZ. Ka thënë meqë numri është i konsiderueshëm, të vendosen në një kuti të veçantë që të mos rrinë dorazi dhe më pas të vendoset nga KQZ, që kjo mos të bëhet pengesë për numërimin. Nëse nuk bëhet kështu siç po bëhet aktualisht, procesi prapë do bllokohet. Dhe ne do vijmë për të parë se çfarë mund të bëjmë me këtë proces. PS e ka shumë të qartë, PD nuk do lejojë asnjë zarf me materiale zgjedhore deri në momentin që do provohet që ato zarfe janë marrë personalisht. Kur të provohet që ai është marrë personalisht. Le të numërohet, por thasë të mbushur nga patronazhistët e PS, ne nuk do lejojmë të numërohet sikur të jetë gjeja e vetme që ne do të angazhohemi”, tha Logu.