Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, nuk përmbahet asnjëherë kur është fjala për të kritikuar ata të cilët sipas tij po shkatërrojnë futbollin dhe ndalojnë progresin.
Ai ka qenë ndër të parët që ka kërkuar që klubet të cilat nuk kanë kushtet e duhura financiare të mos lejohen të marrin pjesë në elitën e futbollit italian dhe këtë e shpjegoi më së miri sot gjatë vizitës në “Anfilld”, ku lojtarët e Napolit do të luajnë nesër në Ligën e Kampioneve.
“Është shumë e bukur të luash kundër skuadrave shumë të forta dhe me emër, për ne është një kënaqësi e madhe. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh në kampionatin italian. Ka një mungesë të madhe ekuilibri të shkaktuar nga skuadra të cilat kanë rënë që tani apo nuk investojnë. Gjithçka është e gabuar.
Pse nuk është dënuar ende PSG nga UEFA? Nuk aplikohet Fair Play Financiar pasi përndryshe gjysma e skuadrave që janë në Serinë A duhej të ulnin qepenat. UEFA bën atë që mundet por ekziston gjithmonë një kontekst politik në të cilin duhet të shkosh mirë me atë që të voton. Ka shumë prej atyre që votohen për këto arsye”, deklaroi De Laurentis.
Ai është optimist ndërkohë sa i përket ndeshjes së nesërme, që vendos fatin e dy skuadrave në Ligën e Kampioneve.
“Do të shohim një ndeshje shumë të bukur dhe si thotë Ançeloti, duhet të argëtohemi duke u munduar ta fitojmë. Ishim këtu edhe 8 vite më parë, por humbëm falë mungesës së eksperiencës”, tha presidenti i Napolit, përgatiti Tema.










