“Në qoftë se gjendet një politikan shqiptar që ka bërë më shumë se kushdo për Kosovën e kosovarët, ai është pa dyshim Enver Hoxha”.
Një konsideratë të tillë jep për politikën e jashtme dhe në veçanti atë të ndjekur ndaj Kosovës prej ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, Rita Marko, ish-anëtari i Byrosë Politike.
Në dorëshkrimet e tij të radhës, që “Albanian Free Press” i sjell sot ekskluzivisht lexuesit për të 14-tin numër radhazi, ai tregon pikërisht disa aspekte të politikës së jashtme që ndiqte Enver Hoxha.
“Që gjatë LANÇ-it dhe gjatë tërë viteve të pasçlirimit, Enver Hoxha nuk ka pushuar së foluri me zë të lartë për çështjen kosovare. Nuk ka Kongres dhe nuk gjen ngjarje të tjera me theks politik, ku të mos ketë folur Enver Hoxha për tragjedinë e Kosovës”, citon ai.
Duke përmendur mes të tjerash, edhe vlerësimin që sipas tij, ish-presidenti i Francës, Sharl De Gol ka bërë për Enverin…
Përgatiti: Albert Zholi
Problemin e Kosovës, Enver Hoxha e ka pasur vazhdimisht në qendër të vëmendjes
Sipas Rita Markos, nuk ishte as rastësi dhe as një detyrë e pamenduar dërgimi i forcave partizane shqiptare matanë kufijve shtetërorë. Por edhe pas luftës, ai thotë se Enver Hoxha nuk kurseu asgjë për të ndihmuar arsimin në Kosovë
Në qoftë se gjendet një politikan shqiptar që ka bërë më shumë se kushdo për Kosovën e kosovarët, ai është pa dyshim Enver Hoxha. Nuk ishte as rastësi dhe as një detyrë e pamenduar dërgimi i forcave partizane shqiptare matanë kufijve shtetërorë, në veri të Shqipërisë. Përkundrazi, Komandanti i Përgjithshëm mendonte larg e thellë. Edhe pas çlirimit, siç pohonte Fadil Hoxha me gojën e tij, Enver Hoxha nuk kurseu asgjë për të ndihmuar arsimin në Kosovë. Në vitet ‘70-’80, personalisht Enver H oxha u interesua që të shkonin pedagogë shqiptarë për të dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës.
Të gjithëve u kujtohen veprimtaritë artistike-kulturore në qytetet e Kosovës dhe të Shqipërisë amë, të artistëve shqiptarë dhe të atyre kosovarë. Që gjatë LANÇ-it dhe gjatë tërë viteve të pasçlirimit, Enver Hoxha nuk ka pushuar së foluri me zë të lartë për çështjen kosovare. Nuk ka Kongres dhe nuk gjen ngjarje të tjera me theks politik, ku të mos ketë folur Enver Hoxha për tragjedinë e Kosovës. Duke u qëndruar besnik mësimeve të Marksit e të Leninit, Enver Hoxha mendonte se çështja e Kosovës, në dekadat e pas çlirimit, në radhë të parë ishte çështje e vetë kosovarëve.
“Faktori i brendshëm është kryesori dhe përcaktuesi, edhe në Kosovë”, porosiste ai. Kur në pranverën e vitit 1981 shpërthyen demonstratat e fuqishme në Kosovë për të drejtat e shqiptarëve, më kujtohet si tani, Enver Hoxha thirri në mbledhje të veçantë dhe urgjente Byronë Politike. Kjo e fundit u shpreh me unanimitet në mbështetje të kërkesave të rinisë studentore e të popullit të Kosovës.
Përmbajtja e konkluzioneve të Byrosë, u publikua që të nesërmen në një kryeartikull të “Zërit të Popullit”. Kështu, tërë udhëheqja e lartë politike e Shqipërisë iu vu në mbështetje zërit të fuqishëm politik të shqiptarëve. Fjalimet e Enver Hoxhës, të transmetuara dhe të ritransmetuara disa herë në ditë në mjetet e informimit masiv, elektrizuan të gjithë shqiptarët, ata të matanë dhe këtej kufirit.
Politika e Enverit për Kosovën, e pakundërshtueshme
Rita Marko shpjegon sesi politikanët e djathtë të sotëm nuk mund ta injorojnë politikën e shkëlqyer, sipas tij, të Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës
Disa nga politikanët e djathtë të sotëm e ngrejnë zërin në kupë të qiellit, duke u orvatur të injorojnë politikën e shkëlqyer të PPSH-së dhe personalisht të Enver Hoxhës, për çështjen e Kosovës. Por e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë kot. Politika paqësore e ndjekur nga disa liderë kosovarë, e trumbetuar aq shumë si politikë e kohës dhe demokratike, jo vetëm që nuk nxori gjë në shesh, por përkundrazi, çoi të rëndohej edhe më tej zgjedha në qafën e shqiptarëve. Vetëm kur u veprua siç mendonte Enver Hoxha, domethënë, vetëm kur u vu në lëvizje faktori i brendshëm (kur shqiptarët rrëmbyen pushkët, duke u radhitur në Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës), lëvizi edhe faktori i jashtëm, që çuan në mposhtjen e Milosheviçit.
Si për shumë probleme, edhe për këtë që ka lidhje me Kosovën, Enver Hoxha ka lënë mësime me shumë vlera. Ato kërkojnë që të lexohen me kokë të ftohtë; ato kërkojnë të zhvishen nga ethet partiake, ethe, që për interesa të ngushta e të çastit, të bëjnë të hedhësh baltë ndaj një vlere me peshë kombëtare e historike, siç është qëndrimi i shkëlqyer ndaj vëllezërve të një gjaku në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Veç puthadorëve të deklaruar të Titos, të gjithë të tjerët në Kosovë janë deklaruar shumë pozitivisht ndaj politikës zyrtare të PPSH dhe të Enver Hoxhës.
Kam patur fatin ta dëgjoj shokun Enver në biseda, diskutime dhe debate me udhëheqës të ish-Partive Komuniste e Punëtore të ish-Bashkimit Sovjetik, të ish-vendeve socialiste dhe të partive komuniste të vendeve kapitaliste, që patën ardhur me delegacione në vendin tonë, ose që i kemi takuar në ish-Bashkimin Sovjetik apo në vendet e tyre. Në këto raste, më ka bërë përshtypje të madhe ajo mënyrë e veçantë paraqitjeje e sjelljeje e shokut Enver, mprehtësia dhe aftësia e tij për të analizuar problemet e shtruara për diskutim, të cilat e veçonin nga të tjerët, e bënin superior ndaj tyre, i detyronin ata të silleshin me respekt ndaj tij dhe të shpreheshin me simpati për njohuritë e gjera që kishte, për karakterin e fortë dhe vendosmërinë e madhe që e dallonin.
Partia Komuniste Shqiptare, personalisht shoku Enver Hoxha, luajtën një rol përcaktues për karakterin e luftës së popullit shqiptar. Brumosur me ndjenjat më të zjarrta atdhetare të popullit tonë dhe nisur nga idealet komuniste, udhëheqësi i PKSH dhe Komandanti i Përgjithshëm i UNÇL, Enver Hoxha, e lidhi Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare me atë të gjithë koalicionit antifashist botëror, anglo-sovjeto-amerikan. Ndër të paktët udhëheqës politikë e ushtarakë të Evropës, që kuptoi se lufta për të shfarosur nazi-fashizmin mbetej jo thjesht ideal, por edhe detyrë e popujve, Enver Hoxha, në krye të Ushtrisë Nacional-çlirimtare dhe në ballë të popullit shqiptar, me këtë veprim të zgjuar politik, arriti t’i japë nder dhe lavdi të përjetshme Shqipërisë.
Le të llomotisin kundërshtarët politikë të Enver Hoxhës për gjoja luftë civile në vendin tonë, por e vërteta ndriçon si drita e diellit: mbarë bota e qytetëruar është e detyruar ta njohë rolin e padiskutueshëm të Enver Hoxhës si udhëheqës i madh i një populli të vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Takimet e Enverit me të huajt
Detaje mbi takimet e Enver Hoxhës në vitin 1952 me delegacionet e huaja që morën pjesë në Kongresin XIX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik
I kam përjetuar dhe i mbaj mend, si të jenë zhvilluar dje, takimet e shokut Enver në vitin 1952 me delegacionet e huaja që morën pjesë në Kongresin XIX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, me dy delegacionet franceze të kryesuara, njëri nga M. Torez dhe tjetri nga Zhanet Vermeshi; me udhëheqës të Partisë Komuniste Italiane, si Pajeta, Taraçini; e kam parë dhe dëgjuar bisedën e tij me udhëheqjen e Partisë Komuniste Hungareze në Budapest në vitin 1956, kur shkonim për në Moskë, etj.
Në të gjitha herët, gjakftohtë, por i prerë, i hapur e pa mëdyshje i shprehte mendimet Enver Hoxha. Ai ndiqte me vëmendje veprimtarinë e delegacioneve që përfaqësonin jashtë Partinë dhe shtetin tonë. Ai gjente gjithnjë kohë t’i dëgjonte shokët kur ktheheshin t’i raportonin për veprimtarinë e kryer. Kur u ktheva nga Algjeria, në vitin 1984, ku kisha qenë me një delegacion shtetëror me rastin e festës kombëtare të saj, Enveri më priti së bashku me shokë të tjerë të udhëheqjes. I raportova për takimet me Presidentin e Algjerisë dhe udhëheqësit e tjerë algjerianë, për fjalët e mira dhe konsideratën e lartë që ata shprehën për popullin dhe vendin tonë, i fola për takimet që kisha bërë me kryetarë të delegacioneve të shteteve të tjera që ndodheshin në këtë festë, si dhe për përshtypjet e mira që ata shprehën për luftën e popullit tonë, për qëndrimet e drejta dhe politikën e jashtme parimore që bënte Shqipëria.
Të huajt na folën me respekt të veçantë për shokun Enver si burrë shteti i shquar, si udhëheqës që bënte shumë për përparimin e popullit dhe vendit të tij. Ndërsa i raportoja, shoku Enver ndjente interes për ato që dëgjonte. Meditoi një çast dhe na u drejtua të gjithëve: “Sa mirë që po rritet vazhdimisht autoriteti i Shqipërisë, i cili në të kaluarën nuk përfillej fare!”. Përshtypjet për këtë raportim, ai i ka hedhur edhe në ditarin e vet. Enver Hoxha me luftën dhe përpjekjet e tij e ngriti shumë lart emrin e Shqipërisë në botë, krijoi besim të madh në popull për të ardhmen e sigurt në rrugën e socializmit, bëri shumë të huaj përparimtarë miq e dashamirës të vendit tonë. Vepra e tij edhe në fushë të politikës së jashtme mbetet e ndritur.
NDARJA
Si u përkeqësua shëndeti i Enverit dhe u nda nga jeta?
Shëndeti i Enver Hoxhës, vitet e fundit erdhi duke u keqësuar. Për 65-vjetorin e ditëlindjes nuk më erdhi dot, siç bënte zakonisht në ditëlindjet e shokëve. Më dërgoi shoqen NexhmiJe dhe djemtë. U gëzova shumë, si të kishte ardhur vetë Enveri, sepse ata erdhën për të plotësuar dëshirën e tij.
Mësova prej tyre, se nuk kishte qenë mirë dhe se pikërisht atë ditë, ai kishte pasur kriza zemre. U mundova t’i jap kurajë Nexhmijes dhe djemve që po tregoheshin aq të fortë e të duruar. Nga ajo ditë e mbrapa, me gjithë kujdesin e madh që u tregua, shëndeti i shokut Enver eci keq e më keq. Dhe nuk e pashë më. Më 11 prill ndodhi e keqja e madhe, që nuk deshëm ta besojmë: Udhëheqësi ynë i dashur, fizikisht u nda nga Partia dhe populli, për të cilët shkriu gjithë jetën, por ai rron tek të gjithë në mendjet e zemrat e tyre.
Enver Hoxha, që e ngriti popullin në luftën për çlirim, që e radhiti Shqipërinë në krahun e Koalicionit Antifashist Botëror, që atdheut i zhduku mjerimin, analfabetizmin, moçalet e kënetat, që e nxori vendin onë nga mesjeta dhe e çoi tek Akademia e Shkencave, që e mori nga bishtuku i kandilit dhe e la plotësisht të elektrifikuar, që e bëri zonjë të vërtetë, me nder e prestigj në botë, qëndron e do të qëndrojë mes nesh si flakë e pashuar.
Ish-Presidenti i Francës
Sharl De Gol për Enver Hoxhën: I zoti për ta lodhur kundërshtarin!
Shkrimtari Jon Dalliday, në librin e tij “The Artful Albanien”, ndër të tjera shkruan, se Presidenti i Francës De Gol, ndër dy burrat e shtetit që admironte më shumë, ishte Enver Hoxha, për “… atdhedashurinë (nacionalizmin e rreptë), kulturën e gjerë, aftësinë për të bërë analiza të ndërlikuara dhe për të nxjerrë përfundime të drejta, vërtetësinë e të dhënave, mjeshtërinë për të udhëhequr e për të ndikuar te masat, besnikërinë ndaj Marksizëm-Leninizmit, zotësinë për ta lodhur kundërshtarin e për ta mposhtur atë, burrërinë për të shfaqur e për të mbrojtur hapur mendimet e veta para kujtdo e në çdo rrethanë, po edhe shkathtësinë për të zbuluar të çarat e dobësitë në anën e kundërshtarit e për t’i shfrytëzuar ato në dobi të Shqipërisë e të çështjes së komunizmit”.
Shënim: Sharl De Gol, udhëheqës i shquar i Rezistencës Antifashiste Franceze në Luftën e Dytë Botërore, mbas mbarimit të kësaj lufte, ka qenë President i Republikës së Francës. Në pikëpamjet politike dhe ideologjike ishte antikomunist i vendosur e megjithatë, vepra dhe përkushtimi i Enver Hoxhës për Shqipërinë dhe komunizmin e bënë që të pohojë një të vërtetë dhe ta respektojë e çmojë atë. Ndërsa disa nga ata që i njohën nga afër aftësitë dhe cilësitë e Enver Hoxhës, që aderuan vite me radhë në Partinë e Punës dhe në udhëheqje të saj, nuk lënë gjë pa shpifur kundër tij dhe komunizmit! Janë shumë personalitete botërore që vlerësojnë objektivisht aftësitë dhe meritat e Enver Hoxhës, organizatorin dhe udhëheqësin e PKSH (PPSH), udhëheqësin e Luftës dhe të shtetit shqiptar për gati 50 vjet.
/b.d