Gianni De Biasi ndihet i nderuar për çmimin “Pankina e Artë Speciale”, të cilin e ka marrë sot nga Shoqata Italiane e Trajnerëve të Futbollit (AIAC).
Çmimi i është dhënë De Biasit për arritjen e finaleve të europianit me Shqipërinë, një sukses për futbollin shqiptar, por edhe për shkollën italiane të trajnerëve. Për suksesin, De Biasi ka falënderuar stafin dhe futbollistët.
Çmimi i është dorëzuar nga Gianni Rivera, një legjendë e futbollit italian, aktualisht shef i sektorit teknik në federatën italiane, FIGC.
“I nderuar që marr nga Presidenti i Sektorit Teknik Gianni Rivera Pankinën e Artë 2016.
Faleminderit stafit tim dhe të gjithë futbollistëve të mi të jashtëzakonshëm”, shkruan De Biasi në Facebook.
Është e nevojshme të sqarohet se çmimin “Pankina e Artë” e fitoi trajneri i Juventusit, Massimilliano Allegri, pasi çmimi jepet për trajnerët e Serisë A.
Ky që ka fituar De Biasi është çmimi “Pankina e Artë Speciale”, e dhënë për arritje të jashtëzakonshme.