Nga Jakin Marena
Mund të quhet e tepërt që të përsërisim faktin e shfaqjes së “dashurisë” publike të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar të PD të ditës së shtunë.
Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se Sali Berisha nuk do askënd përpos familjes së tij dhe njerëzve që i shërbejnë për të mbrojtur këtë familje.
Lulzim Basha, sa nga frika sa nga zori është i detyruar që të heqë vallen e nisur që në vitin 2005, kur si “bir” besnik” i “atit” të tij politik Sali Berisha, mori një sërë beneficesh, si akush tjetër që nga lufta e dytë botërore. As Mehmet Shehu që luftoi deri në Spanjë dhe ishte numri dy i regjimit derisa u vra apo u vetëvra, nuk i kishte provuar gjithë këto poste, nën hijen e Enver Hoxhës.
Sali Berisha e ka studiuar shkëlqyer skemën komuniste të imponimit, teksa si Stalini dikur, hyri të shtunën vrullshëm në sallën ku mbahej Kuvendi Kombëtar i PD në momentin kur kishin zënë vend të gjithë delegatët dhe lidershipi zyrtar i PD.
Hyrja e tij shkaktoi entuziasëm tek të gjithë salla, të cilët u ngritën në këmbë dhe këtij skenari nuk i shpëtoi as Lulzim Basha, i cili si një “prift” i mirë “kërceu nga belaja” teksa pa të gjithë turmën që rendte drejt liderit real të PD.
Madje ishte i detyruar të dëgjonte dhe shprehje të tilla si “O Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do” apo “u rikthye komandanti legjendar”, shprehje këto që treguan dhe pas 8 vitesh se demokratët kanë besim vetëm tek Sali Berisha për të ardhur në pushtet, duke injoruar rëndshëm liderin real të PD Basha i cili në të gjitha përballjet me kundërshtarin politik Rama ka shënuar vetëm humbje.
Basha i gjendur në një pozitë aspak komode përballë shndritjes së “yllit” të Berishës në radhët e atyre që do të vendosnin për zgjedhjen e forumit këshillimor tashmë Këshillit Kombëtar dhe që do të vendosnin për zgjedhjen e kryesisë dhe të sekretariatit të partisë, nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të shfaqte “dashurinë” ndaj bamirësit të tij politik.
Një rrugë e dy punë për Bashën: Dhe i bashkohej turmës së delegatëve për t’i dhënë Berishës atë që dëshironte në këtë moment të vështirë për të dhe familjen e tij pas shpalljes nga SHBA “non grata”, mbështetjen e PD, por dhe bënte sikur po vepronte nga zori për të lënë një “derë hapur” tek partnerët ndërkombëtarë, sidomos SHBA.
Një lëvizje kjo e Bashës në vijim të ankesave të tij në kancelaritë diplomatike perëndimore se “nuk ka se çfarë i bën Berishës, i cili vepron në kokën e tij dhe ka në dorë të gjithë PD”. Duke justifikuar në këtë mënyrë dhe pafuqinë e tij për ta lënë Berishën jo jashtë Parlamentit, por sëpaku jashtë grupit Parlamentar të PD në shtator!
Po si gjithnjë Basha mendoi dhe për vete, për të mbajtur vulën e partisë. Kreu i PD u kujdes që të nxirrte jashtë listave të gjithë ata që e kishin kritikuar pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, duke filluar me ish sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani, vijuar me rivalen për kreun e PD Edith Harxhin dhe figura të tjera politike, të cilët mbetën jashtë Këshillit kombëtar të PD, duke mos mundur të përfshihen as në një listë të tillë tepër të gjërë fituese prej 300 anëtarësh.
Por dhe duke mbajtur shënim emrin e Edi Palokës që në mënyrë sfiduese nuk i shqitej Berishës, apo dhe personave të tjerë që u treguan më shumë se duhet të “dashur” me Berishën. Jo se mund të sfidojë Berishën, por thjeshtë pastron rrugën e tij për të qënë më afër “babait”, dhe këtë Basha e ka bërë shumë mirë në këto tetë vite: Ka qënë dyshi më rentabël pranë njëshit Sali Berisha.
Paloka me sa duket nuk ka gjasa të jetë më nënkryetar i PD, ndërkohë që pakënaqësinë e tij për këtë fakt e shprehur që në fjalimin e mbajtur në kongres kur tha se do të dëshironte që Basha të ishte fajtori për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa nënvizoi fort se motori i makinës së PD ishte djegur, duke nënkuptuar vetë kreun e kësaj partie Lulzim Basha.
Dhe të gjitha këto “spastrime” Basha i ka bërë me dorën e Gazment Bardhit, i cili në përpjekje për të treguar potencën e munguar, zbaton pa u menduar një çast urdhërat e Bashës, pas të cilit është Berisha. Askush s’duhet të mendojë se bëhet gjë pa lejen e Berishës në PD.
Por ajo që ka dhënë më shumë efekt ka qënë “dashuria” e Bashës për Berishën e anasjelltas, teksa optimistët e përjetshëm kishin parashikuar një shtator të “flaktë” përplasjeje, anashkalimi e deri “atvrasjeje” të Bashës ndaj Berishës.
Për hir të së vërtetës Kuvendi Kombëtar i PD, sjellja prej lideri e Berishës që mori mbështetjen e delegatëve në sallë dhe përgjigjia prej vasali e Bashës ndaj “mentorit” të tij politik, treguan se PD do të vijojë të jetë fund e krye dhe më tej në shërbim të halleve personale të Sali Berishës e familjes së tij por dhe të Lulzim Bashës dhe rrethit të tij personal. Themi dhe të Bashës pasi nuk mungojnë akuzat brenda PD, ritheksoi sërish Harxhi, se dhe Basha nuk udhëton dot drejt SHBA.
Kuvendi i PD dha një “fotografi” të qartë se si do të jetë sjellja politike e partisë më të madhe opozitare në shtator kur të fillojë sesioni parlamentar dhe në vijim në katër vitet e mandatit të tretë në opozitë, përballë mazhorancës, ndërkombëtarëve dhe qytetarëve.
Askush të mos ketë dyshime në këtë fakt. Vijën politike do ta përcaktojë sërish Berisha në Parlament, që do të flasë çfarë të dojë dhe kur të dojë, do të fusë dhe nxjerrë grupin parlamentar në Kuvend si ti teket, do të imponojë lëvizjen e tij radikale ndërsa Basha nuk do të ketë fuqi për asgjë, thjeshtë do jetë një certifikues i lëvizjeve të “babait” të tij politik. Madje dhe përmes një mesazhi në facebook, të hedhur nga Sali Berisha!
Por një skenar i tillë nuk u ka shpëtuar partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe veçanërisht SHBA-së dhe BE, të cilët ia kanë bërë të qartë jo vetëm Bashës dhe opozitës por tërë politikës shqiptare, se ka ardhur koha për një qasje të re politike.
Madje mesazhi i ambasadores amerikane Yuri Kim, pas Kuvendit të PD ka qënë në të njejtën linjë teksa ka kërkuar që politika shqiptare të mos mbetet peng e së kaluarës, por të shohë para dhe të mësojë nga historia dhe të mos bllokohet nga kjo e kaluar!
“Shumë diskutim këto ditë rreth historisë. Kur shohim përreth botës, shohim se e ardhmja u përket atyre që e kuptojnë historinë si një shkollë nga e cila duhet të merren mësime – jo një mauzole ose, më keq, një burg që bllokon të gjallët në të kaluarën. Le të zgjedhim të ardhmen mbi të kaluarën”, shkruan Kim në postimin e saj.
Një përgjigjie “ekspres” e ambasadores së SHBA për “dashurinë” që Basha tregoi ndaj Sali Berishës, njeriut të së shkuarës dhe i shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion të nivelit të lartë dhe minim të demokracisë në Shqipëri.
Asnjë parti politike e cila nuk ka mbështetjen e SHBA dhe që nuk është parë nga Uashingtoni si partner i besueshëm në Shqipëri, parë dhe në kontekstin se mbi 90 përqind e shqiptarëve besojnë te mbështetja amerikane dhe janë tërësisht pro-amerikanë, nuk ka mundur që të bindë elektoratin shqiptar për të marrë votat e mjaftueshme për të qeverisur në Shqipëri. Jo më të shfaqesh si një parti anti-amerikane apo celulë anti-amerikane, gjasat janë që parti të tilla shkojnë drejt shuarjes.
Dhe kur një lider si Lulzim Basha, që tjetër gjë thotë nëpër zyrat e partnerëve ndërkombëtarë dhe vepron ndryshe duke mbështetur ish kryetarin e shpallur “non grata, atëherë karta e besueshmërisë së tij para aleatëve tanë të mëdhenj që financojnë dhe mbështesin ngritjen e Shqipërisë në nivelin e demokracive perëndimore, është në nivelin zero.
Me sa duket Berishës dhe Bashës u “volit” një PD e tillë, gjithnjë e dyta në rang-listën e partive politike në Shqipëri, por që ata të jenë menaxherët e vetëm të saj. Për të zgjidhur hallet e veta, përballë drejtësisë dhe për të bërë ndonjë lek, nuk përjashtohet si mundësi.
Megjithëse drejtësia e re, e mbështetur fort nga SHBA dhe BE, po tregon gjithnjë e më shumë se është e vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend. Për pasojë “mburoja” partiake nuk pi unë në këtë rast, sado të kërcënojnë se do të ketë “kataklizmë” nëse i vihen prangat një udhëheqësi politik.
Në Shqipëri çudia më e madhe tre ditë zgjat, dhe njerëzit i rikthehen halleve të tyre, ndërsa politika ka treguar se është e “lëngshme”, merr formën e enës.
Ndërsa “dashuria” Berisha-Basha është sfiduese politikisht, një sinjal dhe për SHBA se janë “mish e thua” bashkë, por që dëmton vetëm PD-në dhe aspak ecjen e Shqipërisë drejt integrimit në familjen europiane. Mbështetur fort dhe nga SHBA e BE.