Nga Saimir Demi
Gjashtë muaj më parë, UEFA e gjeti fajtor klubin e Skënderbeut për trukim të disa ndeshjeve dhe kërkoi të dënohet. Më pas, çështja u ankimua në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, por edhe aty lanë në fuqi dënimin e institucionit që drejton futbollin në kontinent, pra përjashtimin e klubit korçar për një vit, nga aktivitetet zyrtare europiane. Përpara gjashtë muajsh kjo histori dhe sa shpejt ikin ditët… Ndërkohë që ka qenë një periudhë spektakolare, kur shikoje se si të ndëshkuarit u mbështetën me fanatizëm nga zyrat më të rëndësishme të ngrehinës së FSHF-së, duke organizuar një mbrojtje të tipit “katenaçio” dhe se si të kundërpërgjigjeshin me përbuzje, sa herë që kërkoje të mësoje zyrtarisht diçka më tepër, jashtë kuadratit të kornizës që kishin projektuar. Pra, asnjë prononcim për një akuzë të rëndë, për diçka që dyshohej se kishte sjellë përfitime të jashtëligjshme. Dhe rrezikoi që kjo ndeshje e ndyrë të përfundonte 0-0. Por, vetëm me insistimin e disa gazetarëve, UEFA u bë shumë më e qartë dhe publiku filloi të informohej për atë që kishte ndodhur dhe për këtë që po ndodhte.
Në këto kushte edhe Federata nuk mund të qëndronte më në mbrojtje. Dhe kështu, zyrtarët e zellshëm, nën kujdesin e titullarit, mbushën një thes të madh plot me dokrra dhe filluan ta shëtisnin nëpër studio televizive. Më pas, kur u lodhën, ia vunë mbi shpinë sejmenëve, për t’i bërë edhe ata një xhiro, derisa të gjitha dokrrat i hodhën në formë artikujsh, pamfletesh dhe lloj-lloj marrëzish nëpër gazeta e portale, ndërsa thesin e kthyen bosh atje ku e morën. Kush ka qenë i vëmendshëm, e mban mend atë juristin e FSHF-së, i cili iu drejtua publikut duke thënë, se përse duhet të dënohet Skënderbeu nga insitucioni që ai përfaqësonte, derisa trukimet i kishte bërë në ndeshjet me të huajt. Sipas këtij juristit, këta thjeshtë ja futën botës dhe çfarë dreqin kishim ne të tjerët, që bënim sikur po ndjenim dhimbje. Më pas kampionët e Skënderbeut ju sulën UEFA-s, duke i kërkuar fakte për diçka që pretendonin se e kishin bërë në fshehtësi të plotë. Pastaj e gjetën qetësinë shpirtërore, sepse u munduan shumë, por ama e kuptuan arsyen e vërtetë të acarimit të ndërkombëtarëve. Po, po, UEFA ishte bërë xheloze, për shkak të arritjeve të jashtëzakonshme të Skënderbeut dhe e dënuan, me qëllimin, për t’i larguar një rrezik të mundshëm skuadrave të tjera pjesmarrëse në Champions League. Dilema e vetme që ka mbetur është; sikur UEFA-s t’i shkojë në mendje të bëhet xheloze me arritjet e Realit të Madridit, çfarë masakre duhet të shpikë, për ta dënuar sipas meritave? Gjithsesi, presidenti Takaj duket se u pajtua me pezullimin e klubit, me një sezon mospjesmarrje në kupat e Europës, ndërsa paraardhësi i tij Zeqo u tregua më agresiv, duke kërcënuar se do ta hidhte në gjyq UEFA-n, ndoshta e kishte për prishje imazhi. A po, ishte edhe një ish-ministër financash, më agresiv akoma, të cilin raporti e përmendte si pjesë të aferës, por që ndryshe nga Zeqo, na kërcënoi me gjyqe e sanksione neve të brendshmit, për mëkatin se po lexonim me zë çfarë kishin shkruar të huajtë… Dhe unë nuk jam idiot që t’ia përmend emrin.
Por në të vërtetë, kjo mund të jetë shfaqja më e shpifur dhe më fyese që kam ndjekur ndonjëherë nga kaq afër (kërkoj ndjesë që drejtohem në vetëm e parë, por nuk kam të drejtë ta përgjithësoj këtë përfundim). Këta po mundohen të na bindin që trukime ka kudo dhe jo më në Shqipëri, ku burri var fëmijët e vet, sepse ja dredh gruaja. Këta po mundohen të na qetësojnë psikologjikisht, duke na kujtuar se në këtë vend, mbi vjedhjen dhe mashtrimin është ndërtuar elita dhe vjedhja nëpërmjet futbollit është vetëm një cingërimë. Kështu që me keqardhje duhet të fillojmë të bashkëjetojmë me idenë se prej kohësh këtu tek ne ka shumë pak futboll dhe asnjë kampion. A e dini se pse, drejtuesit e këtij sporti nuk e njohën Partizanin si kampionin e vërtetë të edicionit të shkuar? Për dy arsye: E para, sepse i quajnë normale të gjitha llojet e trukimeve dhe e dyta, që është më e rëndësishmja, sepse janë ortakë në këtë ndërmarrje ilegale. Dhe për ta bërë të hekurt mbrojtjen e së keqes, u treguan aq shpirtzinj, sa e dogjën fare bonusin e UEFA-s, i cili shpërndahet çdo vit për skuadrat pjesmarrëse në Champions League, ndërsa Tiranës i mohuan pjesmarrjen në Europa League, por edhe shpërblimin financiar. As një muaj më parë plasi një tjetër skandal në FSHF, që kishte të bënte me përvetësim të fondit të solidaritetit, të dhënë nga UEFA për klubet, ndërsa reagimi për ta mbyllur gropën e dytë septike ishte i njëjti. Fillimisht juristi që mashtronte me broçkulla, si dhe u aktivizuan sejmenët (ata të thesit). Në fund u përdor për të shpërndarë vëmendjen, karta e ndershmërisë në respektimin e rregullave të lojës, duke e çuar Flamurtarin në buzë të greminës, vetëm sepse Sinan Idrizi është një tjetër zë kundër që është shtuar dhe nuk ka të bëj fare fakti që deri tani nuk ka trukuar apo vjedhur në mënyra të tjera. Seç i quajti “kurva” a “prostitute”, apo është e njëjta gjë.
“Çudia më e madhe tre ditë zgjat”, është vetëm një realitet shqiptar. UEFA është qartësuar nga KAS-i i Lozanës dhe ka vendosur t’i japë Skënderbeut dënimin real që do të thotë njëkohësisht edhe një diskretitim për drejtuesit tanë të futbollit. Të gjitha këto histori të konfirmuara, të paktën duhet të na kenë shërbyer për diçka: Tani e kemi pamjen e pastër, për të identifikuar dallaverexhinjtë e çdo niveli dhe servilët që kanë përdorur si aksesorë. Tani e dimë se si ka funksionuar ky sistem i korruptuar, që ka nevojë për një “vetting” të ashpër, si ai i drejtësisë. Pardje, presidenti i FSHF-së u tha të rinjve, nga auditori i një universiteti prestigjoz se pas humbjes së Kombëtares sonë në Islandë kishte menduar dorëheqjen. Pra, aq shumë e ndjen futbollin, sa që paska qenë gati të sakrifikohej, vetëm për hir të një 90 minutëshi të humbur. Ndërkohë që në këto gjashtë muajt e fundit ka pasur arsye shumë më madhore, për t’ia bërë këtë nder futbollit.
27.al