Daja im, Besnik Sulku ishte betuar se do të marrte hak, sepse ka qenë shumë i lidhur me vëllain e tij, Durimin dhe e ka pasur pjesë të shpirtit”. Kështu deklaroi dje në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mbesa e Besnik Sulkut, Sara Alliu. Ajo pohon se konfliktet me familjen Doçi kanë nisur shumë vite më parë, për shkak të xhelozisë. Gjatë intervistës, e reja tregon edhe për takimin e fundit me dajën e saj, Besnikun, që e konsideronte si babain i saj.
Dy vite më parë daja juaj, Besnik Sulku, u bë pjesë e një atentati ku ndërroi jetë edhe ai vetë. Pse ndodhi kjo ngjarje?
Kjo ndodhi prej një xhelozie të tepërt nga pala kundërshtare, pasi kanë qenë shokë që në fëmijëri. Nuk është diçka që është bërë për motivet e shumta që është përfolur deri më tani dhe që unë nuk dua t’i përmend, por mund të them që kjo ngjarje ka nisur që në fëmijëri dhe xhelozia e tepërt i ka sjellë deri në këtë pikë, saqë gjërat janë rritur me vite.
Është pohuar se Besniku vrau Mentor Lufin (Doçi) për hakmarrje. Si qëndron e vërteta?
Përsa i përket pjesës së hakmarrjes, daja im Besnik Sulku ishte betuar se do të marrte hak, sepse ka qenë shumë i lidhur me vëllain e tij, Durimin dhe e ka pasur pjesë të shpirtit. Që pas humbjes të së vëllait, ai u rëndua shumë psikologjikisht dhe ka qenë një moment që nuk ka menduar as për familjen e tij. Nuk diskutohet që nuk donte as jetën e tij.
A keni pasur dijeni për marrëdhënien që Besniku ka pasur me italianin Salvadore Letizia, për të cilin u tha se bashkëpunuan në ngjarje?
Nuk diskutohet që kemi qenë në dije të shoqërisë së tyre, pasi ata ishin shokë prej vitesh, e quante vëlla.
Si sillej Besniku përpara se të ndodhte tragjedia?
Këtë gjë ai e priste, pasi ishte shumë rëndë psikologjikisht dhe mendonte veç që të merrte gjakun e të vëllait. Ai nuk mendoi më as për ne, as për mua që më ka rritur dhe isha si vajza e tij. Sepse unë jam rritur në duart e atij dhe të Durimit, por sidomos të Besnikut. Kjo, pasi unë nuk e kam pasur babain. Nuk mendoi për më gjatë.
Përsa i përket dajës suaj, Durim, si e morët vesh vdekjen e tij?
Ne e dinim sikur kishte ndodhur një aksident dhe jo që e kishin vrarë. Siç na kanë thënë ne familjarët, pasi nuk donin të na tronditnin. Por më vonë mësuam që e kishin vrarë, kjo pasi doli edhe në media dhe u bë shumë e madhe. Por di të them se Durim Sulkun e ka vrarë Markelian Doçi dhe kjo gjë nuk diskutohet për asnjë lloj arsye.
Keni pasur kontakte pas vrasjes së Besnikut me familjarët e Doçit?
Jo aspak, asnjë lloj kontakti.
A e kujtoni momentin e fundit që keni nga daja juaj, Besniku?
Momenti i fundit dhe shumë i bukur që unë kam pasur me të është para se të nisej në Holandë, pasi vdiq dajë Durimi. Unë e dija pak a shumë që ai nuk e donte më jetën e tij dhe në një moment e ula afër meje dhe i thashë “të lutem mos më lër vetëm, mos lër vetëm asnjërin nga ne. Pa ty gjithçka është bosh”. Dhe sinqerisht ashtu doli, gjithçka ngeli bosh, sepse Besniku ishte babai im për mua, pasi siç e thash, unë nuk e kam pasur babain. Momentin e fundit që isha me të, më ka përqafuar dhe më ka thënë që “ty nuk do të të lë kurrë vetëm”.
Një thirrje për drejtësinë?
Dua që drejtësia të vihet në vend, edhe pse në Shqipëri kjo gjë ndodh pak, por i mbaj shpresat tek drejtësia e Holandës që do të bëjë diçka. Nuk është e arsyeshme që gjyqi i djemve dhe i italianit të shtyhet kaq shumë. Kjo sepse po shtyhet seancë më seancë pa logjikë dhe pa arsye. Një nga arsyet e dhëna ka qenë që një nga ata djemtë nuk ka qenë mirë për arsye shëndetësore. Kanë edhe dy avokatë që po bëjnë çdo gjë që të shtyhet gjyqi dhe mua kjo s’më duket e logjikshme. Nuk jam vetëm unë dhe familjarët e mi që themi se Klejvi Doçi dhe Markelian Doçi i kanë vrarë dajat e mi. Kanë qenë shumë dëshmitarë që e kanë parë këtë ngjarje. Logjikisht daja im nuk do shkonte të vriste Mentor Doçin, pa e pasur të sigurt që ai e ka urdhëruar vrasjen e Durimit. Por çdo gjë është e hapur dhe do ishte një nga skandalet më të mëdha në Shqipëri nëse ata të dy do dilnin me një dënim të ulët apo të pafajshëm, se kështu si po rrjedhim gjërat, edhe mund të ekzistojë si mundësi.
Klejvi Doçi: U ndodha rastësisht në ngjarje
Nëna e Durim dhe Besnik Sulkut: Dua drejtësi për djemtë e vrarë
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda vazhdojnë seancat për vrasjen e trefishtë të ndodhur në “Bulevardin Zogu i Parë” në 2015-ës, ku humbën jetën Besnik Sulku, Mentor Lufi (Doçi) dhe Gerti Goxhaj. Hetuesit dyshojnë se ngjarja është e lidhur me vrasjen e Durim Sulkut, vëllait të Besnikut. Ai u ekzekutua në Roterdam të Holandës në parkimin poshtë apartamentit ku jetonte në prill të vitit 2015. Prokuroria po e heton ngjarjen për motive hakmarrjeje. Në seancën e djeshme u vendos të thirren 7 dëshmitarë holandezë për atentatin e kryer ndaj Durim Sulkut. Të dyshuar kryesor për masakrën e trefishtë janë vëllezërit Klevis dhe Markelian Doçi si dhe shtetasi italian, Salvatore Lettizia, i njohur me nofkën Picolo Letizia. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e Mentor Lufit. Ndërsa, sipas prokurorisë, vëllezërit Doçi kanë ekzekutuar Besnik Sulkun. Nga hetimet rezultoi se italiani ishte miku i Besnikut, ndërsa është akuzuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë, mbeten të dëshmojnë shtetasit holandezë, të cilët kanë dijeni për vrasjen e Durim Sulkut, çka solli dhe ngjarjen e ndodhur në Shqipëri. Ndërkaq, në një prononcim për mediat, Gjysere Sulku, nëna e dy djemve të vrarë, Durim e Besnik Sulku, thotë se e ka të vështirë të shohë në sy dy të akuzuarit sa herë që ajo shkon në gjykatë për të ndjekur seancat. E moshuara deklaroi se nuk do të ndalet derisa drejtësia të vihet në vend. “Markelian Doçi më ka vrarë të dy çunat. Nëse ai nuk dënohet me dënim përjetë, unë do të kërkojë drejtësi edhe më lartë”, theksoi ajo. Në seancën e djeshme u lexua edhe dëshmia e Klejvi Doçit. Ai ka deklaruar se: “U ndodha rastësisht në ngjarje. Po udhëtoja në makinë me vëllanë tim, Markelianin. Përpara nesh ishte xhaxhai me makinë. Pamë dy persona që qëlluan në drejtim të tij. Markeliani i aksidentoi ata me makinë. Zbrita me të shpejtë dhe iu afrova xhaxhait tim, Mentorit. I preka pulsin dhe ishte ende gjallë. Të shtënat vazhdonin. Duke menduar se xhaxhai është gjallë, vendosa të pranoj vrasjen e Durim Sulkut, në të cilën nuk kam gisht. Vetëm në gjykatë e mësova se xhaxhai kishte ndërruar jetë, tri ditë më vonë kur dola për masë sigurie në gjykatë”. Gjykata ndërkohë vendosi të mos pranojë si prova procesverbalet e marrjes në pyetje të vëllezërve Doçi pa praninë e avokatit dhe që mbajnë firmën e ish-zyrtarit të lartë të policisë, Dritan Xhindoli, i arrestuar së fundmi për qëllime ekstradimi drejt Italisë./GSH.al/a.m.