Një tjeter media e madhe që ka shkruajtur për kualifikimin e Shqipërisë ne kampionatin Evropian është tabloidi i njohur britanik “Daily Mail”.
Tabloidi britanik e quan Shqiëprinë surprizën më të bukur të Europianit pas kualifikimit historik duke qenë pjesë e një grupi “ferri”.
“Daily Mail” i kushton një artikull të veçantë skuadrës së drejtuar nga Gianni De Biasi, duke theksuar se “Shqipëria, e vogla ku adhurojnë Norman Wisdom është finalistja e papritur e Evropianit në Francë”, ishte titulli i përdorur nga tabloidi i njohur britanik. Daily Mail e cilëson Kombëtaren si surprizën e madhe të turneut, duke theksuar se bëhet fjalë për një vend të vogël, me popullsi afro 3 milionë banorë. Nuk mund të mungonte as historia, me Shqipërinë që cilësohet si një prej vendeve më misteriozë, të izoluar dhe sekretë në Evropë gjatë diktaturës 40-vjeçare të Enver Hoxhës.
E përditshmja theksonte se kualifikimi ishte një çështje shumë e rëndësishme për kombin dhe popullsinë, të cilët festuan gjatë në të gjitha trevat shqiptare. Arritja lidhet me mësimet e marra nga futbolli italian, ku prej vitesh por edhe gjatë këtij sezoni në Serinë A aktivizohen lojtarë shqiptarë, ndërsa trajneri Gianni De Biasi vlerësohet si një takticien i shkëlqyer.
Në fund Daily Mail shkruante se kuqezinjtë janë një prej rivalëve që Anglia do t’i preferonin në grupet e Euro 2016, duke kujtuar se në 4 përballje, Anglia ka regjistruar 4 fitore. Gjithashtu në shkrim përmendeshin edhe futbollistët e kombëtares si Cana, Etrit Berisha, Kace, të cilët luajnë në ekipet evropiane. Nuk kanë lënë pa përmendur edhe ngjarjen e ndodhur në 14 tetor në Beograd dhe dhunën ndaj futbollistëve të kombëtares shqiptare.
Gjithashtu, e përditshmja britanike shkruan edhe për Januzajn, futbollistin me origjinë shqiptare po që zgjodhi të luajë për Belgjikën.









