Shtohet tensioni në rajon, dhe më konkretisht politikat anti-shqiptare. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka ngritur zërin për sjelljen e Brukselit karshi kumintetit shqiptar në rajonin e Ballkanit. Deklaratat Daçiç i ka bërë gjatë takimit me homologun e tij rus Sergej Lavrov.
Sipas Daçiç, Bashkimi Evropian po tregohet i butë në sjelljet e tij me shqiptarët, madje siç shprehet ai ndërkombëtarët i tolerojnë shqiptarët. Ministri serb bazohet në aksionin e fundit policor në Kumanovë, duke shtuar se sipas tij terrorizmi në rajon duhet të luftohet, por është BE-ja e cila ka bërë reagime të dobëta për grupin terrorist shqiptar në Maqedoni.
“Brukseli nuk mendon se sjellja e shqiptarëve është problem, përkundrazi ata e tolerojnë sjelljen e tyre. Terrorizmi në rajon duhet të luftohet, dhe deri tani mbi këtë çështje kemi parë reagime të dobëta nga BE-ja dhe institucionet e saj”, ka thënë ai.
Sipas tij, Serbia nuk është e interesuar të ndërhyje në çështjet e brendshme politike të Maqedonisë, por vendet e rajonit, BE-ja dhe Rusia duhet të jenë të interesuara për stabilitet rajonal.









