Lojërat politike të grupeve të caktuara të interesit janë shkaktarët kryesorë të bllokadës së fundit në Kuvend të Kosovës. Ky është përkufizimi që ka dhënë ish-kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, lidhur me krizën e fundit të krijuar në Parlament. Sipas tij, ka pak “mëlmesa” në gjithë atë meselenë se opozita synon ta marrë pushtetin përmes revolucionit.
Ai e quan të padrejtë adresimin e faturave vetëm në adresë të kryeministrit, Isa Mustafa, lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, për diçka, siç thotë ai, që është gatuar e futur në furrë qysh më herët. Akademik Daci konsideron se sikur AAK-ja të futej në Qeveri do të ndodhin ndryshime më pozitive, derisa ironizon se pushimi i gjatë i Ramush Haradinajt ka bërë që ai t’i përdorë “muskujt” vend e pa vend.
Koalicioni i “elefantëve” siç e quan, nuk e ka fuqinë as të milingonave, dhe se, sipas tij, Hashim Thaçi nuk do të arrijë të bëhet president vitin që vjen, për shkak se nuk do ta votojnë “robtë e shpisë”. Por, ish-kryetari i Kuvendit thekson se Kadri Veseli lehtësisht mund ta realizojë dëshirën e tij që të bëhet kryeministër, madje edhe me ndihmën e LDK-së aktuale, por në asnjë variant me një LDK rugoviste.