Analisti Frrok Çupi komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, duke ndalur në mbledhjen e kreut të PS Edi Rama me drejtuesit politik këtë të dielë në Pogradec. Çupi u shpreh se kreu i qeverisë ka kapur thelbin e problemit me administratën, të cilën e konsideroi të paaftë dhe jo të modernizuar.
“Prej ditës kur ka shpallur atë që mund të quhet dialog ‘BESA’, ka kapur të vërtetën se administrata e shtetit është në momente të vështira. Nuk shërben sa duhet dhe politika e madhe koncentrohet te administrimi. BESA më ka tingëlluar si një gjë që e ka detyruar Ramën të zhvendoset mes ligjit dhe moralit. Në administratën lokale dhe nënmesatare të ministrive do ketë ndryshime të shumta. Administrata ka krijuar klishe, dhe e ka krijuar në një mënyrë dembele, hileqare të paaftë. Do të thotë se administrata nuk është modernizuar, në mënyrë alegorike nuk lexon lajmet, është e prapambetur.
Në fund të fundit ajo cfarë ndodhi me bashkitë rebele, dëshmoi se ata njerëz përvec se hileqarë, janë zona vetë, nuk janë njerëz. Kishin shkëputur lidhjet me realitetin. Në sensin teorik të demokracisë, Rama ka aplikuar një gjë interesante që i përputhet temperamentit, jetës ku jeton. Besën e kemi më të kompletuar se sa vetë ligjin. Në rrethanat kur qeveria i ka dhënë besën, pranimit në BE, modernizimit të jetës së vendit, do të thotë se Rama po kërkon me gjithë motorët, atë që quhet fjala e dhënë. Është interesante dhe e ka kapur shumë mirë, thotë që njerëzit pasi bëjnë një bisedë për ligjin apo gjykatën e hedhin poshtë dhe zbatojnë normën kanunore”, u shpreh Çupi, ndërsa shtoi se në këtë rrugë u zhvillua edhe ky takim sot në Pogradec.











