Nga Jakin Marena
Shqipëria është me të vërtetë një vend i çudirave. Sidomos të atyre politike. Politikanët kur nisin e artikulojnë një kauzë, apo thjeshtë një deklaratë publike, flasin sikur kanë zbritur pikërisht në atë sekondë ne tokën shqiptare dhe flasin për zhvillimet në vend, nisur nga ky pozicionim.
Ndonëse kanë qënë pjesë e zhvillimeve politike të këtij vendi, në opozitë dhe në pushtet për vite me radhë, mënyra se si akuzojnë kundërshtarët politikë apo si i atribuojnë vetes misionin e luftës ndaj të keqes në këtë vend dhe mirëqeverisjes në të ardhmen, është një përpjekje të stërmundimshme për të treguar se ata janë “dorëjashtë” në keqqeverisjen e Shqipërisë në këto 30 vite post-komunizëm.
Nuk ndalen as para faktit se një mënyrë e tillë komunikimi është tepër fyese për shqiptarët, të cilët kanë votuar pro ose kundër tyre për 30 vite me radhë dhe ua kanë parë qederin po në kaq vite qeverisje të këtij vendi. Akoma më fyes është fakti se si pa të keq u kërkojnë mbështetje për të goditur qeverinë e radhës, për ta larguar atë dhe për t’i riprovuar sërish ata në pushtet, pas një “agjërimi” të gjatë në opozitë.
Çudit Sali Berisha, i cili është provuar dhe stërprovuar si President, kryeministër, kryetar opozite dhe sërish kërkon të riciklohet në krye të një formacioni politik, edhe pse është shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe presion ndaj drejtësisë për të mbrojtur veten, familjen dhe bashkëpunëtorët nga akuzat.
Megjithëse iu dha mundësia për të “nusëruar” për herë të dytë në vitin 2005, pasi më 1997 e nxorën me “pushkë” nga zyra e Presidentit, Berisha nuk vuri mend dhe gjatë qeverisjes së tij të dytë 8 vjeçare kanë ndodhur krimet më monstruoze kundër njeriut dhe pasurisë së qytetarëve në 30 vite post-komunizëm.
Megjithëse më 2013 u largua me mbi 1 milionë vota nga pushteti, Berisha sërish nuk qëndroi në heshtje si një pensionist i mirë politik, por nën moton e komunizmit “mbrojtja më e mirë është sulmi” nuk la akuzë pa bërë ndaj pasardhësit të tij Edi Rama, ditën e dytë që hyri në zyrën e kryeministrit dhe në vijim, për korrupsion, krime dhe turli akuzash që një mendje e shëndoshë njerëzore nuk i rrok të gjitha njëherësh. Akuza pa asnjë bazë, të cilat jo vetëm nuk ndikuan tek shqiptarët për të rikthyer në anën tjetër rrotën e historisë, por as tek miqtë tanë amerikanë, të cilët e shpallën në mesin e vitit të kaluar person “non grata” për tre cilësimet që cituam më sipër.
Dhe sot kur ka hyrë në të 80-tat, kur pasardhësi i tij Lulzim Basha e ka zbuar nga shtëpia politike PD, teksa e ka përjashtuar përfundimisht nga partia, nuk ndalet por artikulon akuza nga më të fortat dhe pa bosht, duke u kapur me thonj pas politikës. Por ndonëse tashmë shqiptarët janë mësuar me akuzat e tij kundër atyre që i dalin kundër, Berisha është njeri në hall. Po bën përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjen nga përballja me drejtësinë, dhe dhënia llogari për akuzat e artikuluara ndaj tij që nga shpërthimi i Gërdecit ku mbeten të vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, 21 janari i vitit 2011 ku u vranë nga Garda 4 demonstrues të opozitës me duar në xhepa, e deri tek abuzimet e ndryshme, ku “ndriçon” afera 500 milionë eurosh e CEZ-DIA apo falja e “Detit”. Këto, pa përmendur akuza të tjera të stërcituara dhe që pritet të japë një ditë llogari, nëse do të ketë drejtësi në këtë vend.
Në të njejtën gjatësi vale është dhe aleati i Sali Berishës, presidenti aktual Ilir Meta, i cili tashmë nuk mungon të mbahet tek akuzat për inceneratorët apo akuza të tjera dhe duke dhënë shifra të sakta abuzimi, a thua e përllogarit si fitim të munguar për vete dhe që ish ministri i tij e kishte për detyrë për t’ia dërguar me valixhe në vilën miliona euroshe në Gjirin e Lalzit.
Por nëse Berishën e shpallur “non grata” nga SHBA dhe Ilir Metën kandidat për “non grata” tashmë shqiptarët kanë nisur ti shohin si pjesë të së shkuarës, na habit qëndrimi aspak i sinqertë dhe për më tepër sfidues për inteligjencën e shqiptarëve, i kreut të PD zyrtare Lulzim Basha.
Gjithkush e kupton se është një politikan në hall, pasi nuk “ngjit” tek e djathta dhe e ka sfidë me veten grumbullimin e 50 njerëzve bashkë njëherësh në një takim, apo se është gjithnjë nën trysninë e atit të tij politik, Sali Berisha. Por kjo nuk e detyron Bashën që të ecë “mot a mot” në gjurmët e Sali Berishës përsa i përket artikulimit të tij politik.
Teksa ka siguruar mbështetjen e SHBA në luftën e brendshme për pushtet me Berishën, e theksojmë në luftën mes Berishës dhe Bashës, kreu zyrtar i PD nis e flet sikur “zbritja” e tij në Shqipëri ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar. E vërtetë është se shqiptarët në tërësi mes një Berishe “non grata” dhe një Bashe më të ri në moshë, më me pak gjynahe qeverisjeje do zgjidhte në çdo sondazh këtë të fundit, pra të keqen më të vogël përderisa, pra mund të duan Bashën në opozitë jo në pushtet të kuptohemi se atë e vendos vota, kjo nuk i jep aspak të drejtën kreut zyrtar të PD të bëjë rolin e “mesisë” dhe të të dërguarit të Zotit në tokë që të zgjidhë hallet e qeverisjes, vendit dhe të njerëzve.
E themi këtë sepse po shohim se Basha ka marrë një superxhiro jashtë takatit të tij si politikan dhe si një njeri, teksa i atribuon vetes statusin e rëndë të “atletit” të anti-korrupsionit në Shqipëri.
Nuk e di se kush ia ka mbushur mendjen për të njdekur një strategji të tillë, duke keqkuptuar thellë dhe mikun tonë të madh SHBA në qasjen se kush është më i pranueshëm për të si lider i opozitës, Berisha apo Basha, por kreu zyrtar i PD po del jashtë korrnizës normale të një politikani që ka qënë për 8 vite me radhë në postet më të larta në qeverisjen e Berishës, bashkëpunëtori numër një i tij në afër 17 vite, shtuar dhe kohën kur Berisha e zgjodhi dhe rizgjodhi në krye të PD. Pra Basha po flet si vetë Berisha, sa herë që gjendet në hall.
Pasi përmend si rastësisht se e mbështet SHBA, menjëherë Basha artikulon akuza të rënda ndaj kundërshtarëve politik, deklaron se kush do të shpallet “non grata” nga SHBA, kush do të hyjë në burg pas Saimir Tahirit dhe Lefter Kokës, të cilët sipas tij ai ua paska “kopsitur” vetë dosjet për t’i dënuar apo prangosur.
Pastaj deklaron se do të zhdukë korrupsionin në Shqipëri sapo të bëhet kryeministër, do të fusë në burg të korruptuarit, do të bllokojë pasuritë e vëna përmes abuzimit të zyrtarëve të lartë që janë nxjerrë jashtë vendit, duke i depozituar në bankat e huaja, do të ngrejë drejtësinë e re, do të begatojë vendin, me ndërtime, shërbim ndaj qytetarëve dhe investime serioze.
Nuk po përmendim akuza të tjera që artikulon Lulzim Basha, pasi nuk ka vend pasta për të gjitha akuzat që janë artikuluar fort në drejtim të tij, nga kundërshtarët politikë, organet e auditimit të shtetit shqiptar, nga mbështetës e ish mbështetës brenda PD dhe nga aleatët politikë.
T’i atribuosh vetes statusin e “atletit” të luftës kundër korrupsionit, minimalisht nuk duhet të kesh qënë vetë asnjë herë në qeverisjen e vendit, të mos kesh pasur asnjëherë në dorë firmën për shpenzimin e parave publike, dhe maksimalisht të mos kesh vjedhur asnjë lek nga këto para të shqiptarëve.
Por Lulzim Basha që në krye të herës u tregua një “skuth” teksa deklaroi 830 mijë euro pasuri një javë pasi u bë ministër i Transporteve në vitin 2005. Thotë se i ka bërë kur ishte student, kur ka qënë një punonjës i thjeshtë tribunalit të Hagës, kështu deklaron kur e akuzojnë se ka bërë dosjet kundër ish komandantëve të UÇK për llogari të Serbisë, dhe ka qënë dhe me UNMIK. Deri më tani nuk i ka shpjeguar zyrtarisht burimet e këtyre parave, ndonëse në Shqipëri është ngritur një Inspektorat i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë. Por ata si janë afruar Bashës dhe deri më tani nuk ka dalë ndonjë dokument zyrtar, apo ndonjë deklaratë zyrtare e Bashës që i justifikon zë për zë të gjitha këto para që bënë dhe milionin e parë të pasurisë së tij. Milionin e eurove të jemi të saktë.
Por Lulzim Basha është akuzuar dhe nga KLSH, drejtohej në atë kohë nga Robert Çeku ish deputet i PR i dalë nga lista e PD, i cili e akuzonte e ‘zeza mbi të bardhë’ se janë zhdukur 230 milionë euro nga paratë e Rrugës së Kombit. Pa hyrë në faktin se kjo rrugë nisim me një planifikim prej 419 milionë euro dhe deri më tani ka arritur në vlerën e 1.5 miliardë eurove, të cilat do paguhen nga shqiptarët dhe jo nga Basha fatkeqësisht. U mor nën hetim penal po diku me raport mjekësor, diku me dhimbje barku, diku me presion ndaj drejtësisë përmes “babait” politik Berisha e diku me ndonjë udhëtim drejt familjes së tij në Holandë e mbylli çështjen me procedurë e pa vendim. U hetua si ministër i Transporteve të asaj kohe në qeverinë “Berisha 1”.
U bë ministër i Jashtëm dhe nuk ngurroi nën presion apo me dëshirë, në fakt qeshte vesh më vesh me ish ministren e jashtme greke Dora Bakojanis, dhe firmosi faljen e detit Greqisë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi me një rezultat 9 me 0, si marrëveshje që shkel Kushtetutën dhe cënon tërësinë territoriale të vendit, ndërkohë që Gjykatat shqiptare nuk e morën nën hetim penal për ketë shkelje të rëndë. Ia hodhi me një fjalë, vetëm se ky vend nuk ka pasur kurrë drejtësi.
U bë ministër i Brendshëm dhe u vranë nga Gard e Republikës 4 demonstrues të opozitës më 21 janar 2011para kryeministrisë, dhe Lulzim Basha si titullar sëpaku e pjesë e zinxhirit komandues të Gardës pra dhe urdhërues pas Berishës, as që është thirrur para drejtësisë, as për të dëshmuar. Pa llogaritur këtu se ka qënë sëpaku dëshmitar në mos bashkëpunues për zhdukjen e provave për drejtësinë, bllokimin e prokurorisë për të arrestuar drejtuesit e policisë dhe Gardës. 4 bij nënash po kalbën nën dhe tash 11 vite, ndërsa Basha as që ka shkuar para drejtësisë thjeshtë për të dëshmuar si person që ka dijeni.
Nuk po përmendim 4 vitet në bashkinë e Tiranës, ku përfitoi një shtesë pa leje kati tek pallati ku banonte, as 4 vilat që e akuzojnë nga PD, LSI dhe PS, apo dhe supermakinat me të cilat lëviz për të takuar grupe të vogla njerëzish dhe bërë deklarata publike, apo dhe për të shkuar tek vilat në Hamallaj apo periferi të Tiranës. Ato janë pjesë e hetimit. Apo dhe për lobimin me para ruse në SHBA, pasi nuk janë pak, por gati 1 milionë dollarë që nuk u dihet burimi i financimit.
I thamë këto për të treguar se Lulzim Basha, i cili pretendon të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, nuk e themi këtë as për Sali Berishën dhe as për Ilir Metën të cilët janë të bindur dhe vetë se kurrë s’hyjnë në zyrën kryeministrore si “zot” i saj, pra Basha përpara se të vetëemërohet si lider i anti-korrupsionit në Shqipëri, duke të shpjegojë dhe japë llogari për të gjitha akuzat e ngritura në drejtim të tij, të cilat i sipërcituam, dhe më pas të ketë duart e lira që të angazhohet seriozisht për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.
Ah, se desh harruam. Basha duhet të mendojë mirë që të mos lëvizë asnjë presje nga deklarimet që ka dhënë për aferën 3.4 milionë euro të “Tayota Yaris”, pasi në grupin e prokurorëve belgë që merren me këtë çështje dhe e pyetën Lulzim Bashën në SPAK, njëri prej tyre nuk të fal sekondin dhe është shumë i vëmendshëm. Ka pasur çështje të mëdha nëpër duar dhe i ka shtrydhur mirë e mirë ata që ka futur në dorë, dhe për pasojë mund të bëhet “hataja” me “atletin” antikorrupsion.
Shqiptarët janë në pritje për të parë dhe dëgjuar një Bashë që shpjegon të gjitha akuzat që janë ngritur në drejtim të tij, jo përmes citateve që u përgjigjet gazetarëve të tipit “ju ka dërguar Rama, trekëndëshi i Bermudës, non grata etj”. Shqiptarët duan fakte që të të besojnë, ndaj themi se nuk duhet fyer inteligjenca e tyre. Shqiptarët presin, kur po e presim 12 vite, teksa e lanë në opozitë sepse nuk i besojnë, e presin të jetë i sinqertë dhe 8 vite të tjera. Aty janë. Mjafton që të rrëfejë historinë e vërtetë të burimit të parave të tij. Por dhe shokët që e kanë ndihmuar!
No koment.Shuuumë e saktë dhe pse e gjatë analiza juaj.Hiqe pjesën e parë ku flitet për Sal dhe Ilir dhe ler pjesën e fundit.Konçiz më pelqeu shkrimi