Diku rreth vitit 2011, Keith Richards ishte gati të tërhiqej nga muzika rock ‘n’roll. Tash gjysmë shekulli qëkur i ishte qasur muzikës me “Rolling Stones”, ai veçse ka bërë gjithçka.
“E di se çfarë është fati. Kam pasur shumë”, ka reflektuar ai në një intervistë të dhënë këtë muaj. Ai është rock kitarist tipik: gjeni, krijues i rifave të pastër, arkitekt i tingullit të një bendi me përmasa botërore, mbijetues i cilido incident. Në skenë ai është figurë pompoze, e në të njëjtën kohë edhe i tërhequr, i mbyllur në kitarën e tij, i angazhuar të krijojë variacione të reja brenda secilës këngë. “Asnjëherë nuk e luaj të njëjtën gjë dy herë”, kishte thënë ai. “Edhe ashtu s’mund ta mbaj mend se çfarë kam interpretuar më parë”.
Me “Stones”, pas përfundimit të një turneu më 2007, Richardsit iu deshën dy vjet e gjysmë që të “zhytet për të dytën herë në jetën e tij” dhe të shkruajë autobiografinë e tij bestseller “Life”, në të cilën riekzaminon sesionet, turnetë, varësitë, aksidentet, arrestimet dhe arritjet e tija. Pas publikimit të “Life” më 2010, ai e kishte shijuar jetën familjare dhe të qenit baba e gjysh. Asokohe, tërheqja nga muzika ishte një mundësi reale.
“Mendova se kjo është gjëja më e çmendur që kisha dëgjuar ndonjëherë”, ka thënë Steve Jordan, bashkëproducent i kamotshëm i Richards dhe baterist në projektin e tij solo.
“Ai ishte ndier rehat me atë që kishte bërë dhe arritur. Por ishte e çuditshme të shihje Keith pa ndonjë instrument në duar dhe pa interpretuar. Kur jeni muzikant, ju nuk shkoni në pension. Luani derisa s’mund të merrni frymë më”. Jordan e udhëhiqte Richards në një drejtim krejt tjetër: të kthehej në studion e incizimeve dhe të bënte albumin e tij të parë solo pas 23 vjetësh. I titulluar “Crosseyed Heart”, albumi do të lansohet më 18 shtator.