Nga Valona Tela dhe Arton Konushevci REL
Me fjalët e inteligjencës perëndimore, Kina përbën një kërcënim në rritje për sigurinë globale. Përshkruhet si një fuqi që synon supremacinë dhe përpiqet ta shfrytëzojë epërsinë e saj ekonomike për të arritur qëllime politike.
Shteti komunist, në dekadën e fundit, ka zgjeruar dukshëm ndikimin e tij në Ballkan, duke krijuar lidhje më të forta me disa qeveri dhe duke u përqendruar në sektorë specifikë, si infrastruktura apo energjia, për bashkëpunim. Në vende si Serbia përfshirja kineze vërehet, madje, edhe në kulturë, media dhe arsim.
Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por respekton, siç thotë, integritetin territorial të Serbisë, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e trajton ende si pjesë të territorit të saj.
Radio Evropa e Lirë i kontaktoi të dyja këto institucione për t’i pyetur rreth aktiviteteve të saj, por nuk mori përgjigje.
Ekipi i REL-it ishte i pranishëm edhe tek objekti i zyrës në Lagjen Arbëria në Prishtinë, më datën 7 maj, por sigurimi aty tha se nuk ka personel brenda dhe se ka “rreth dhjetë ditë” që aty nuk ka qenë dikush.
Në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara ambasadat dhe misionet e huaja në Kosovë, figuron edhe Zyra Ndërlidhëse e Kinës. Aty janë publike disa kontakte, por ueb-faqja e zyrës, që do të mund të ofronte informacione për aktivitetet e saj, nuk është funksionale.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a e përcjell punën e Zyrës së Kinës në Kosovë, a ka kontakte me të dhe a merr ndonjë raport prej saj, Qeveria e Kosovës, në përgjigjen e përbashkët me MPJD-në, nuk ofroi shumë detaje.
“Sigurisht që ne jemi në dijeni për praninë e të gjitha misioneve që veprojnë në Republikën e Kosovës dhe për aktivitetet e tyre në vend. Sa i përket Zyrës së Kinës në Kosovë, ne si Qeveri nuk kemi ndonjë komunikim me të, marrë parasysh raportet ndërmjet dy vendeve”, thuhet në përgjigje.
Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, se çfarë kontaktesh ka me Zyrën e Kinës në Kosovë dhe a asiston në komunikimet mes saj dhe institucioneve të Kosovës, por nuk mori përgjigje.
Në ueb-faqen e UNMIK-ut shkruan se më 16 shkurt të këtij viti, shefja e këtij misioni, Caroline Ziadeh, ka pritur shefin e Zyrës së Republikës Popullore të Kinës në Prishtinë, Cheng Lei. Mes tjerash thuhet se Ziadeh ka vënë në pah “iniciativat e UNMIK-ut për ndërtimin e besimit”, por nuk specifikohet më shumë.
Nga kërkimet që bëri Radio Evropa e Lirë në internet rezulton se, muajin e kaluar, Cheng është pritur edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në platformën LinkedIn, Rama ka shkruar se me zotin Cheng kanë diskutuar “mundësi të shumta të bashkëpunimit” në fushat e ekonomisë, artit e kulturës.
“U informova se Qeveria e Kinës, deri tani, ka lëshuar viza për më shumë se 1.000 përfaqësues biznesesh nga Kosova”, ka thënë, mes tjerash, Rama.
Po në prill, Cheng ka takuar edhe kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu. Ky i fundit, në një postim në Facebook, ka shkruar se në takim, mes tjerash, është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme e veçanërisht në lehtësimin e të bërit biznes.
Jashtë politikës, Cheng është pritur nga kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ka thënë se ka kërkuar nga Cheng që, përmes Zyrës së Kinës, komitetet olimpike të të dyja vendeve të lidhin bashkëpunim në fushën e sportit – për ç’gjë diplomati kinez është pajtuar.
Mimoza Ahmetaj, e cila ka shërbyer si ambasadore e Republikës së Kosovës në disa shtete, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Kosova duhet të përfitojë nga prania e secilit mision të huaj diplomatik në vend, përfshirë edhe atë të Kinës. Partneriteti i ndërtuar me to, thotë ajo, do të shërbente, pastaj, në realizimin e objektivave të vetë Kosovës.
“Bashkëpunimi në mes shteteve është në disa dimensione – politik, diplomatik, në aspektin e sigurisë, kulturor, tregtar, ekonomik… Pra, është një gamë e gjerë bashkëpunimi. Normalisht që neve na intereson ta faktorizojmë Kosovën dhe duhet gjetur forma… Unë nuk do të doja që Kosova të ndërtonte mure mes shteteve, por, përkundrazi, ura bashkëpunimi”, thotë Ahmetaj.
Një që ka publikuar muajin e kaluar Instituti Ndërkombëtar Republikan, me seli në SHBA, ka gjetur se 69 për qind e qytetarëve në Kosovë nuk besojnë se interesat e vendit të tyre avancohen duke mbajtur marrëdhënie të forta me Kinën.
Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Exposenë se ky perceptim është krijuar nga mungesa e marrëdhënieve formale politike ndërmjet dy vendeve.
Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme ndaj rolit që mund të luajë Zyra Ndërlidhëse e Kinës.
“Në mungesë të kontakteve domethënëse me Qeverinë e nivelit qendror, Kina po përpiqet të hyjë në nivele të tjera të qeverisjes. Kjo është potencialisht shqetësuese dhe institucionet e Kosovës duhet të japin udhëzime më të mira se si të trajtohen kërkesat për takime nga Qeveria kineze”, thotë Ilazi.
Ilazi shton se në dëm të Kosovë shkon edhe mbështetja shumë e fortë e Kinës për Serbinë.
Këtë javë, presidenti i Kinës, Xi Jinping, qëndroi për vizitë zyrtare në Beograd, ku përsëriti se Pekini e mbështet qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës. Xi tha, po ashtu, se Serbia është partnerja kryesore e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Sipas Ilazit, forcimi i kësaj aleance paraqet pengesë të madhe për njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës, meqë Kina është anëtare e përhershme, me të drejtë vetoje, e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – organizatë ku Kosova mëton të anëtarësohet.
*Video: Prania e Kinës në Kosovë
Ilazi thotë se Kosova duhet të jetë “potencialisht e hapur për një nivel të marrëdhënieve diplomatike me Kinën”, por se “këtë duhet ta bëjë në koordinim të plotë me SHBA-në”.
Pro një politike më të hapur shprehet edhe ish-diplomatja Ahmetaj.
“Është e rëndësisë së veçantë ndërtimi i raporteve me këto misione. Duhet gjetur mënyrën se si të bashkëpunojmë me secilin prej tyre dhe si të përfitojmë nga prania e tyre. Në asnjë moment, të mos i shikojmë si të padëshiruara. Kosova është në proces të shtetndërtimit, në proces të konsolidimit të shtetit dhe prania e tyre duhet t’i shërbejë Kosovës në këtë frymë”, thotë ajo.
Për të vizituar Kosovën, qytetarët kinezë duhet të pajisen me vizë, përveç atyre që kanë pasaporta diplomatike. Vizat mund të merren në ambasadën e Kosovës në Shqipëri ose Turqi.
Ngjashëm, edhe qytetarët e Kosovës duhet të kenë viza për të shkuar në Kinë – dokumentet i dorëzojnë në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, ndërsa shqyrtohen në Ambasadën e Kinës në Beograd.
Kosova dhe Kina nuk kanë ndonjë marrëveshje formale bashkëpunimi. Në Kosovë nuk ka ndonjë medium me pronësi kineze, apo me përmbajtje pro-kineze. Kosova, po ashtu, nuk ka ndonjë kredi nga bankat kineze.
Ato që janë evidente, janë shkëmbimet tregtare. Nga të dhënat që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Dogana e Kosovës, rezulton se në vitin 2023, Kosova ka importuar nga Kina mallra në vlerë prej 650 milionë eurosh. Shifra ka arritur gati dyfishin e vitit 2019, kur kjo vlerë ka qenë 340 milionë euro. Vlera e eksporteve të Kosovës në Kinë, ndërkaq, ka qenë 442 mijë euro vitin e kaluar.
Dogana e Kosovës ka konfirmuar, po ashtu, se në mesin e importeve nga Kina vitin e kaluar, kanë qenë edhe 57.444 pajisje incizuese. Radio Evropa e Lirë ka zbuluar se shumë kamera nga Kina, të kompanive Dahua dhe Hikvision, janë të instaluara në sheshet e Prishtinës, si dhe në ndërtesat qeveritare, përfshirë Zyrën e Prokurorit të Shtetit, Ministrinë e Tregtisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
*Video nga arkivi: Kamerat kineze në institucionet e Kosovës
Çështja është jo pak shqetësuese kur merret parasysh se dy kompanitë Dahua dhe Hikvision, pjesërisht në pronësi të shtetit kinez, janë në listën e zezë të SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.
Janë disa shtete perëndimore si këto që Kinën e perceptojnë si aktore keqdashëse, e cila në disa raste është angazhuar në fushata dezinformuese që e portretizojnë komunitetin perëndimor si të dështuar dhe joefektiv.
Edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste e ka përshkruar Kinën si “armike”.