Deputetja e Partisë Socialiste dhe aerobiologia Elona Gjebrea, evidenton se koronavirusi Covid-19 ka patur një mutacion dhe është bërë më infektiv, por shumë më i adaptueshëm në popullatë.
“Prandaj shikojmë një përhapje më të madhe të virusit, gjë që ka lidhje edhe me daljen nga karantina. Mund të thuhet me siguri që sot ka një variant më të përshtatur në popullatë dhe më pak agresiv. 50% e të shtruarve në fillim të marsit dhe prillit ka qenë në gjendje të rëndë, ndërsa sot vetëm 6% janë në gjendje të rëndë. Vërtet që shifrat janë më të larta, por virusi është më pak agresiv. Ne duhet të vazhdojmë të kemi shumë kujdes dhe të respektojmë masat”, tha Elona Gjebrea në intervistën sot për A2.
Gjebrea komentoi dhe përhapjen e virusit përmes ajrit: “232 shkencëtarë i kanë dërguar letër OBSH-së për rrezikun e transmetimit përmes ajrit në ambiente të mbyllura. Bëhet fjalë vetëm për ambiente të mbyllura. Ka pjesë të vogla koronavirusi që qëndrojnë në ajër dhe në ambiente të mbyllura mund të qëndrojnë më gjatë. Bizneset duhet të kenë kujdes dhe të marrin masa për filtrat e ventilimit”.
Ish zëvendësministrja e Punëve të Brendshme njoftoi se Komiteti Teknik do të sugjerojë brenda disa ditësh mbajtjen e maskës me detyrim në ambiente të brendshme.
/a.r