Reportazh Nga Francesco Battistini
Kakavije. Po nëse vijnë? “Kanë ardhur tashmë” thotë Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i Shqipërisë e duke marrë frymë thellë: “I kthyem mbrapsht”. Po sa ishin? «Disa qindra». E ku kanë shkuar? «Nuk e di: rreth 10 kilometra larg kufirit tonë. Presin aty, shpresojnë për një korridor të ri nga Shqipëria. Tani për tani po tentojnë të hyjnë me iniciativa vetjake. Por do të bëhet gjithçka më e ndërlikuar, nëse ndonjë organizatë kriminale do të futet t’i nxisë. Eshtë një situatë e papërmbajtshme. Herët a vonë do të shpërthejë…».
Albanian Dream: E quajnë Linja e gjelbër, ashtu sikurse llogoret e ushtrisë në Bejrutin e shqyer nga lufta civile, apo në Jeruzalemin e një lufte të pambarimtë, apo Qipron e ndarë nga lufta mes dy popujve. Eshtë kufiri që ndan shqiptarët prej grekëve e maqedonasve: kufiri i fundit i bombave për sirianët, irakenët apo edhe afganët. Një vend ku «nuk duam të ngremë mure» thotë qeveria e Tiranës, «por që duhet të patrullohet me kujdes».
Nuk ka «hotspot» (pika të nxehta), as kampe të pritjes: «Nuk mund të përballojmë të vetëm një emergjencë të tillë. Italia na ka premtuar të na ndihmojë për të penguar infiltrimet e terroristëve: nga Shqipëria janë nisur 100 luftëtarë të huaj në 2014, dhe është mirë që të kontrollohet rreptë edhe kush hyn…». Sot në kufi ka pesë dogana, pak roje, në radhë janë kamionët TIR nga Turqia, 400 ushtarë të shpërndarë në gati në padukshmëri: emigrantët janë ende fantazma, nuk kalon askush.
«Vetëm për tani», paralajmëron ministri Tahiri: kush nuk ia del dot të kalojë nëpër Maqedoni për t’u ngjitur drejt Gjermanisë, hedh tashmë sytë drejt Italisë. Dhe në shtigjet shqiptare: “Ia thashë edhe kolegut tim Alfano. Kemi më shumë se treqind kilometra për të patrulluar, por duken më shumë se tremijë. Male, pyje, pa infrastrukturë. Në këtë linjë luhet gjithçka: sapo një emigrant hyn në Shqipëri, mjaftojnë tre orë të mbërrijë detin…». Dhe nëse arrin në Adriatik, vetëm pak duhet për t’u kthyer te epopeja e Vlorës. Te anijet e të dëshpëruarve, te skafet, te gomonet e stërmbushura drejt Pulias. Te një korridor që tremb edhe Viminale-n: «Nuk ka ndodhur. E nuk di nëse do të ndodhë. Por kujdes, për të ndërhyrë me vonesë. Do të përjetojmë atë që për Shqipërinë dhe Italinë ishte një epokë makthi”.
Deti i ferrit. (A e mbani mend?) Ndodhi 25 vite më parë, në 7 mars 1991: pushtimi i parë mbi një anije transporti mallrash të Mesdheut. Ndodhi kur ende i konsideronim Boat People (refugjatë me varka), mes dhembshurisë e kuriozitetit, sepse arratiseshin nga rrënojat e komunizmit dhe ishte vetëm fillimi… Anijet tregtare që ishin ankoruar në Durrësi të quajtura “Legjend” dhe “Kallmi”: një mëngjes shkarkuan në Brindizi 27 mijë shqiptarë; – nuk e dinim se do të shpërthenin erën e një migracioni biblik në Evropë.
Ato shkatërrina janë të çmontuara tashmë prej kohësh. Por kujtimet, jo: nëse ministri Tahiri ato ditë ishte veç 12 vjeç, komandanti Halim Milaqi ishte 39 vjeç: «kam ende përpara syve gjithçka, minutë pas minute». Atij historia i vuri në dorë timonin e anijes “Vlora” dhe 20 mijë refugjatët që pak muaj më vonë zbarkuan të gjithë bashkë në Bari, duke u shndërruar kështu në panoramën e përjetshme e eksodit. «Isha kthyer pas një muaj udhëtimi, nga Kuba me një ngarkesë sheqeri. Isha tepër i lodhur. Kishim mbetur në bord vetëm 15 vetë duke riparuar motorin. Papritur, pashë këtë turmë. Dikush i kishte lënë hapur portat drejt portit detar, dhe ishte hapur fjala që italianët ishin dakord. Të gjithë filluan të ngjiteshin nga shkallëzat dhe litarët. Unë tentova të largohesha nga rada, rreth 150 metra, por qe e kotë: njerëzit hidheshin në det, veç për të hipur në anije. Në pak minuta, i kisha të gjithë mbi shpinë. Një tip më qëlloi me kaçavidë në këmbë dhe më urdhëroi: nisu, do të shkojmë në Itali».
Pa ujë, pa ushqim, pa radar, motori i mbinxehur. Pikërisht si disa rrangalla të sotme: «kur dëgjoj se lundrojnë në këto kushte nga Libia, pyes veten si është e mundshme. Pastaj them se ndryshimi është te qëllimet: ata sjellin njerëzit për përfitime, lekë. Unë jo: Lundrova për një arsye humanitare».
Ministri Tahiri e thotë qartë se «udha e Adriatikut është gjithmonë e rrezikshme» dhe se “shërbimet inteligjente po na njoftojnë se grupe kriminale janë duke u organizuar» dhe se “Europa mund t’i shmangë problemet, veçse duke vepruar menjëherë”.
Komandant Milaqi nuk çuditet po qe se kanali i Otrantos rihapet për emigrantët: «Nëse ndonjë mbërrin nga Egjeu, sigurisht nuk frikësohet nga Adriatiku: erërat janë më të parashikueshme, nuk të vijnë nga çdo anë si në Greqi». Ai nuk i trembet invazionit: «në fund të fundit janë fatkeqë që po ikin prej kushtesh më të këqija sesa ato që jetonim ne». Po nëse një tjetër kapiten si Milaqi do të paraqitej në Pulia me 20 mijë sirianë? «Jo, sot gjithçka është më e kontrollueshme. Një ngarkesë e tillë as do të mund të nisej”
Corriere della Sera