Lufta në Lindjen e Mesme dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, për kreun e Dhomës Ekonomike, Lulzim Rafuna, do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, me rritjen e çmimeve të naftës dhe të energjisë. Ndaj ai kërkon që qeveria të ketë gati një paketë urgjente në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve.
“Zyrtarisht 20% e tregtisë së naftës dhe energjisë elektrike bëhet përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa jozyrtarisht kjo shkon deri në 30%. Dhe padyshim që ka me na afektu edhe neve. Ne kemi kërkuar edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të jetë e gatshme dhe t’i paraprijë. Në rast se kemi një rritje sidomos të çmimit të energjisë elektrike, atëherë qeveria patjetër që duhet me pas një paketë në mënyrë që me mbështetë biznesin, me mbështetë edhe qytetarin”.
Rafuna i sheh këto masa të domosdoshme edhe për shkak të rritjes së inflacionit.
“Të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se inflacioni mujor ka arritur mbi 6%. Dhe kjo i gërryen qytetarët e Kosovës. Për këtë arsye duhet një paketë urgjente që të përgatitet nga qeveria, që të mos lejohet inflacioni të ndikojë në standardin jetësor të qytetarëve të Republikës së Kosovës ose të ndikojë te biznesi”.
Edhe kreu i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se bizneset në Kosovë janë në prag kolapsi për shkak të çmimit të lartë të naftës dhe detyrimeve fiskale, duke kërkuar nga qeveria Kurti uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.











