Çmimet e shtëpive dhe qirave në Tiranë dhe periferi (Lista e plotë)
Kompanitë e ndërtimit duket se kanë vendosur të mos i ulin më çmimet e apartamenteve dhe dyqaneve që shesin, me shpresë se kriza ekonomike aktuale do të përfundojë shpejt dhe tregu do të stabilizohet. Por pavarësisht pozicionit “në pritje” të kompanive, të cilat zotërojnë edhe një pjesë të konsiderueshme të ofertës në treg, çmimet kanë vijuar të ulen. Zonat periferike janë më të prekurat nga rënia e çmimeve, sipas agjencive.
“Sot gjen njoftime në gazeta apo internet për apartamente në shitje me çmime prej 315 eurosh për metër katror, gjë që qe e paimagjinueshme më parë”, thotë një agjent. “Nëse shitësit reklamojnë çmime të tilla, imagjino se çmimet reale mund të jenë edhe më të ulëta”, tha ai.
Kriza aktuale e sektorit të ndërtimit u krijua nga një valë e jashtëzakonshme lejesh ndërtimi të dhëna në tri komuna përreth Tiranës, Farka, Kashari dhe Dajti, disa vite më parë. Pallatet e përfunduara në masë të konsiderueshme kanë mbetur pa u shitur. Sot çmimet në këto komuna variojnë nga 400 në 600 euro për metër katror, por agjentët thonë se kriza është vetëm një nga shkaqet e rënies së çmimeve në periferi.
Pesë vite më parë, kur blloku i apartamenteve të Kasharit sapo kishte filluar, çmimet startonin nga 310 euro për metër katror dhe agjentët mendojnë se ka ende hapësirë për ulje. Në zonën e Dajtit, çmimet qenë rritur deri në 700-800 euro për metër katror vitin e kaluar, por tashmë ato fillojnë nga 400-500 euro. Edhe çmimet e dyqaneve janë në rënie. Në zonat periferike, vetëm pak muaj më parë, dyqanet fillonin nga 2 mijë euro për metër katror, por tashmë ka oferta për 800 apo 1 mijë euro metri katror.
Ofertë e bollshme
Gjatë viteve të fundit, në Shqipëri janë ndërtuar një sasi e stërmadhe shtëpish dhe apartamentesh në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të INSTAT, biznesi dhe individët morën leje ndërtimi për 2.9 milionë metra katrorë pallate, shtëpi private e ndërtesa industriale, nga të cilat, 2.2 milionë metra katrorë qenë për hapësira banimi. Sipas statistikave, që nga viti 1994, kur ndërtimi privat filloi, në Shqipëri janë ndërtuar 15.7 milionë metra katrorë shtëpi dhe apartamente, me kosto të përgjithshme ndërtimi prej 400 miliardë lekësh. Kështu, vendi ka ndërtuar 150-200 mijë banesa në 15 vjet, gjë që ka rritur stokun kombëtar të shtëpive me më shumë se një të tretën.
Situatë e ftohtë në tregun e qirave
Numri i njoftimeve “shitet ose jepet me qira” është rritur ndjeshëm në stendat e agjencive të pronave të paluajtshme, ndërkohë që çmimet e qirave kanë rënë në kuota pothuajse të pabesueshme. Në të gjithë Tiranën ka ofertë të bollshme për apartamente dhe dyqane me qira. “Çmimet e dyqaneve me qira në qendër të Tiranës kanë rënë për herë të parë në 5-6 euro për metër katror në muaj”, thonë agjentët. Më herët, në rrugët dytësore të qendrës, qiratë e dyqaneve fillonin nga 8 euro për metër katror. Një numër gjithnjë e më shumë dyqanesh kanë menduar të rinegociojnë qiratë apo të zhvendosin aktivitetin në kërkim të qirave më të lira. Çmimet e qirave për qendrat e biznesit janë prekur pak ose aspak nga kriza për shkak se pronarët e tyre nuk parapëlqejnë të hyjnë në detyrime kontraktuale afatgjata përkundrejt çmimeve të ulëta të momentit. Çmimet aktuale të ambienteve për zyra në qendër të Tiranës variojnë nga 12 në 23 euro për metër katror.
Çmimet e apartamenteve
Qender 1.500-2.000 euro/m2
Kinema “Agimi” 1300-1400 euro/m2
Selvia 900-1500 euro/m2
Ish-Blloku 1500-2000 euro/m2
Myslym Shyri 1000- 1300 euro/m2
Rruga “Muhamet Gjollesha” 1.000-1.400 euro/m2
Rruga “Naim Frasheri” 850-1200 euro/m2
Zona e Zogu i Zi 900-1200 euro/m2
Rruga “Kongresi i Lushnjes” 1000-1500 euro/m2
Kompleksi Dinamo 900-1300 euro/m2
Rruga e Kavajes 700-1300 euro/m2
“21 Dhjetori” 900-1200 euro/m2
Stacioni i Trenit 800-1000 euro/m2
Komuna e Parisit 800- 1400 euro/m2
Zona e Parkut te Autobuseve 700-1100 euro/m2
Rruga “Sami Frashri” 900-1700 euro/m2
Tirana e Re 800-1400 euro/m2
Zona e Liqenit 800-2000 euro/m2
Rruga “Njazi Meka” 800-900 euro/m2
Unaza e Re 400-600 euro/m2
Rruga “Ali Demi” 550-900 euro/m2
Rruga “Arben Brocaj” 850 euro/m2
Rruga “Njazi Meka” 800-900 euro/m2
Tregu i Madh 600-800 euro/m2
Ish-Fusha e Aviacionit 650-850 euro/m2
“Hasim Vokshi” 800-950 euro/m2
Rruga “Don Bosko” 600-900 euro/m2
Selite 600-900 euro/m2
Fresku/Porcelan 450-800 euro/m2
Zona e Yzberishtit 400-600 euro/m2
Zona e Kinostudios 700-900 euro/m2
Zona e Kombinatit 450-800 euro/m2
Lapraka 500-690 euro/m2









