Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, po zhvillon këtë të mërkurë, më 18 mars, një bashkëbisedim me furnizuesit kryesorë të naftës në vend, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Ky është takimi i tretë i organizuar nga qeveria me përfaqësuesit e tregut, me fokus garantimin e furnizimit dhe stabilitetin e çmimeve për konsumatorët shqiptarë.
Sipas ministres, shqetësimi kryesor lidhet me sigurinë e rezervave në rast të përshkallëzimit të situatës, ndërsa një tjetër çështje kyçe mbetet monitorimi i çmimeve për të parandaluar abuzimet në treg. Autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimet në bursat ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në tregun vendas, duke theksuar se deri më tani luhatjet e çmimeve në Shqipëri kanë qenë më të kufizuara krahasuar me ato globale.
Në këtë kuadër, institucionet përgjegjëse kanë ngritur struktura monitorimi për të kontrolluar si çmimin e importit ashtu edhe atë me pakicë, me qëllim ruajtjen e një marzhi të qëndrueshëm në treg.
“Ky është takimi i tretë që ne organizojmë me përfaqësuesit kryesore të tregut. Shqetësimi ynë kryesor është ai i rezervës. Me bllokimin e kanalit të Hormuzit do të kishte një bllokim të gjithë furnizimit, por rezulton që rezervat ligjore janë të respektuara. Duke qenë se pjesa më e madhe e tregtarëve kanë kontrata të gjatë që nuk lidhen me Kanalin e Hormuzit. Shqetësimi ynë i dytë është situata e çmimeve. Me qëllim që të garantojmë që nuk do të jetë abuzime, që tregtare të mos abuzojnë me çmimet lidhur me një situatë të paqartë në tregun e karburanteve.
Çmimi i bursës së karburanteve ka pasur luhatje të vazhdueshme, rreth 40%, ndërkohë që çmimet në Shqipëri nuk kanë patur një luhatje të madhe 10-15%. Ne jemi ulur dhe kemi diskutuar, po analizojmë situatën e çmimeve në tërësi. Gjykojmë se nuk jemi ende në kushtet për të ringritur Bordin ndonëse hapësira ligjore ekziston. Nëse ka luhatje në marzhet e fitimit, do të futemi në atë regjim pasi qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit. Nga dita në ditë ne kemi ngritur një ekip, që monitoron çmimin e çdoganimit, gjithashtu monitorojmë çmimin në tabela, në pakicë. Është një marzh që është mjaft i kontrolluar. Nëpërmjet takimeve dhe bashkëbisedimeve të vazhdueshme që kemi pasur me tregtarët kemi arritur që të kemi një marzh të kontrolluar.
Nga ana tjetër jemi duke monitoruar çmimet e ushqimeve. Jemi duke i monitoruar në disa pika tregtimi dhe deri tani nuk ka pasur asnjë luhatje abuzive. Kohët e fundit kemi dëgjuar propozime të shoqatave dhe përfaqësimeve të ndryshme të bizneseve me çmimet e karburanteve lidhur me taksat, ne kemi analizuar nëse do të ishte me vend që ne të dilnin me një ndryshim të taksës. Arsyeja kryesore pse ne kemi vendosur që këtë taksë ta aplikojmë për litër, është që ai që konsumon më shumë të naftës, të paguajë më shumë. Këtë besojmë që është një politike e drejtë, pasi në kushtet ku ka një rritje të çmimeve, individët mund të zgjedhin që të konsumojnë më pak. Është një politikë më e drejtë. Po analizojmë edhe peshën që karburantet kanë në kostot e konsumit, deri në këtë moment analizat na çojnë që të mos kemi ndryshime”, tha Ibrahimaj.











